Ruani farën…
Fejton
Nga Thoma Goga
Vite e vite të shkuara, bisedoja me një ish-diplomat që kish punuar në një ambasadë shqiptare në vendet e ish-bllokut socialist. Nga ai mësova edhe këtë ngjarje që nuk është aspak e stisur, por reale.
-Një herë e kemi ndjerë vetën keq ne që punonim në atë ambasadë,- tregonte ai. – Na humbi fara e kosit. Gratë e punonjësve të tjerë e kishin bërë me grafikë që të ruanin farën e kosit shqiptar se ishte origjinal. Po njëra nga gratë nuk u tregua e saktë. Pa plasën kabllogramet… “Dërgoni një shishe kos se ashtu është puna. Na ka humbur fara…”.
Siç e shikoni edhe vetë, fara e shqiptarit edhe te kosi zë vendin e parë…
E kështu lajmi mori dhenë. E po, fara është baza e riprodhimit. Edhe kosi, edhe djathi, edhe bimët, kafshët, domosdo edhe jeta njerëzore nuk riprodhohet pa farë. “Të humbtë fara, t’u shoftë fara, farë harbuti, farë…” Ja, këto zhargone popullore na janë ngjitur e na shoqërojnë gjithë jetën.
Një bujk i mirë e zgjedh dhe e ruan farën e bimëve nga prodhimi më i mirë. Madje ka nga ata që edhe shesin. Kështu ka qenë tradita. Jam bërë kureshtar një ditë se sa mirë i kishte selektuar fshatari që shiste të gjithë llojet e farërave afër shtëpisë sime. Të gjitha farë origjinale shqiptare. Bio, si i thonë. Po si për dreq, atë çast erdhi një djalë i gjatë që donte të tallej me fakirin. Hall fukaraja që donte të nxirrte bukën e gojës, duke shitur farëra, tjetër “hall” ai shuli i gjatë.
– O xhaje, a ke farë pordhe?
– Kam,- ia ktheu ustai i rrahur me jetën,- po shikoji mirë. Zotrote, e njeh si farë?
Ndërsa djali “gango” filloi të shikonte qeskat më radhë, xhaja si me porosi e çoi një të vogël, që fishkëlleu si qemane…
– Të lumtë,- bërtiti xhaja,- e gjete. Qënke flori, djalë pordhali…
Disa vite më parë ndodhi dhe kjo. Ca firma fantazëm filluan e bënë biznes me farëra. Patjetër që e keni dëgjuar. Po me ato lloj farërash misri “pillte” në një kalli vetëm 2-3 koqe si qeros. Kalliri i grurit e mbante kokën përpjetë se nuk kishte asnjë koqe gruri. Edhe në këtë rast kishte vlerë shprehja popullore “kalliri plot e mban kokën poshtë”. E pra, të tjerët kanë dashur t’ia prishin farën shqiptarit. Po farë e shqiptarit ka marrë dhenë…
Prej kohësh vazhdon debati se kush ka rëndësi më shumë; fara apo toka. Kur nuk ecën prodhimi, ata që shesin farëra ia venë fajin tokës. Domosdo që edhe toka ka rëndësi, por ç’të bëj toka kur fara është “pa farë”… Ka ca të tjerë që fajin nuk ia heshin as tokës, as farës, por kokës. E pse çuditeni, ka dhe kokëpalarë që s’kanë as një kokërr farë?!…
Jo më larg, po edhe këtë verë kemi parë domate pa shije, specka që kur i skuq s’vijnë erë fare, apo bostane hibrid. Në kulmin e vapës bleva një shalqi, që vetëm formën kishte të tillë. Kur e hapje ngjante si pjepër, kur e haje si kungull. Por nuk ishte as shalqi, as pjepër e as kungull. Si gjuhëtar, vendosa të shpik një emër për këtë hibrid. Le të marrim tre gërmat e para të këtyre tre specieve; shalqini-pjepër-kungull. Dhe e dini ç’na del? Na del “ shal-pje-kun”. Hej, çfarë kompozite! E le ta vazhdojmë logjikën gjuhësore. Kjo trajtë, që vjen nga gegërishtja, në gjuhën letrare lexohet “shalpjekur”. Hajde hybrid, hajde! Hibrid me shalpjekur! S’na hyjnë në punë shalët, as pjekur e as pa pjekur. Ne e kishim fjalën te farërat. E ç’punë ka fara te shala…Nejse, se mos më keqkuptoni. Nuk e kam mendjen aty ku e kanë ca si ju…
Ose kjo tjetra. Domosdo ju kujtohet ngjarja që mori dhenë, kur u arrestuan ca qytetarë se u kapën me ca qeska plot farë. Shteti ynë, që s’të fal po qe fjala për farë, bëri hatanë. Kishte të drejtë; ishte farë e dyshimtë. Qytetarët thoshin se ishte farë meli për kanarinat. Bile kishin dhe fletë-dalje për farë meli, me firmë e me vulë. Betoheshin fakirat: “Kemi kaq vite që tregtojmë dhe kanarinat vetëm me këtë farë rrojnë”. Mirëpo, policia dyshonte se ishte farë hashashi. Punë e madhe se kishin dokumenta. Ehu, sa gjëra fshihen me letra fallco. I morën qytetarët dhe i plasën brenda. Akuza ishte ca e rëndë. Pas tre ditësh në gjyq. Njëri nga të dyshuarit, nuk duroi dhe u përgjigj hazërxhevap:
-Ore, po të ishte siç thoni ju, kanarina do ishte bërë shqiponjë…
Ca qeshën, ca ranë në mendime. E po, kujdes o njerëz. Ruani trutë e kokës se edhe truri ështe si farë gruri. Vetëm kjo farë mos të humbtë se pastaj të merr lumi. Nuk është si farë kosi, as farë “shalpjekun”, as mel apo hashash… Prandaj nuk ka dalë kot ajo shprehja: O zot, na ruaj trutë e kokës, se është farë e rrallë. Kujdes; nuk gjendet në pazar…