Rudina Xhunga: Studentët e dhjetorit që s’kërkojnë pushtet por shtet
Nga Rudina Xhunga
Protesta e opozitës, (asaj reales) të shqiptarëve kundër arrogancës së të pushtetshmit, korrupsionit të më të fortit, konformizmit të kujt ul kokën, që pushtoi Shqipërinë papritur, është nga më të bukurat e kohëve të fundit dhe më unikja, sepse është protesta e parë jopartiake. Është protesta e studentit, e të rinjve.
Çfarë duan, kush është pas tyre, deri ku do të arrijnë?
Po lexojini pankartat e tyre, të kuptoni. Është kaq e thjeshtë. Ne e kemi idealizuar shumë protestën. Edhe mitizuar, e sidomos presim shumë prej saj.
Frika ime është më e madhe se pritshmëritë. Kam frikë mos shuhet dhe mbytet nga politika, për ta blerë e përdorur. Rasti i përzënies se profesorit, Jani Marka, një nga profesorët më aktivë, është rasti tipik i përdorjes së protestës nga partitë, kundër vetë protestës. Dhe kam frikë mos protesta mbaron pa fituar asgjë. Sepse unë besoj që kjo protestë, mbase nuk do të shkundë gjithë Shqipërinë, por auditorët po. T’i shkundë e trondisë.
Në fund të saj, ditën që do të mbyllej, do të doja që ministri i ri i Arsimit të ishte njëri nga ata. Njëri nga pedagogët e rinj, të mençur dhe aktivë të publikes. Sepse Lindita Nikolla dështoi. Në mos për të bërë reformën, për ta shpjeguar atë. Minimumi për mungesë komunikimi, duhet të japë dorëheqjen. Por dikush duhet ta kërkojë, jo vetëm me pankarta. Dikush duhet t’i artikulojë kërkesat e studentëve. Nëse kërkesat nuk paraqiten, nëse nuk dilet me përfaqësues që negociojnë, do të jetë e vështirë të vazhdojë protesta.
Sepse ata që duan ta përdorin, kur të mos munden, do ta prishin, duke bërë të vetmen gjë që dinë, dhunë. Dhuna do të sjellë përplasjen dhe do të largojë studentët.
Ndaj negocioni!
Hiqeni kokën e reformës dhe bashkë me të do të vrisni edhe frikën se diploma nuk ju duhet, se Shqipëria nuk ju mban dot, se emigrimi është e vetmja çfarë ju pret.
Jo, ju jeni të marrë, jo të mjerë. Ju jeni studentët e dhjetorit me të bukur shqiptar. Jeni studentët e dhjetorit që nuk kërkon pushtet, por shtet. Atë duam edhe ne, një shtet që funksionon, ndaj me ju janë të gjithë. Ndaj mjaft me deklarata viktimizimi, mjaft me denoncime të atyre që do të ju prishin protestën.
Merreni në dorë protestën tuaj dhe negocioni! Ose e gjitha do të shuhet dhe harrohet.