Sa më shumë të shkruajnë politikanët aq më mirë është
Nga Afrim Krasniqi –
Edi Rama botoi libër në vitin e fundit në opozitë. Lulzim Basha prezanton këto ditë një libër të ri. Botime kanë bërë edhe Alia, Meidani, Moisiu dhe Topi. Libra me kujtime kanë botuar edhe ish kryeministrat Meksi, Bufi, Fino. Berisha e Nano nuk kanë botuar libra si autorë, por “me porosi” në emër të autorëve të tjerë. Tek Rama e Basha ka një situatë të re, – janë botime për promovim elektoral. Janë identike në mesazhin, synimin dhe përpjekjen për të prezantuar vetveten, platformat dhe një format drejtuesi. Nuk ka rëndësi nëse autorët i kanë shkruar vetë, në shumicën e rasteve në perëndim politikanët angazhojnë ekspertë për gjëra të tilla dhe tek e fundit, shumica e politikanëve shqiptarë e në botë nuk i shkruajnë as fjalimet vetë. Nëse je politikan nuk do të thotë se je njëherësh edhe shkrues librash dhe për më tepër shkrues i mirë. Rama ka pasur përvojë gazetarie, por p.sh, edhe ai është në borxh me standardet e shkrimit për shkak se në faqet e librit të tij gjen fjali me 25-26 reshta, gjë që nuk është gjetje aq profesionale. Libri i tij i ngjan mendimeve që ka njeriu i shtrirë në krevat duke parë tavanin. Nuk ka fakte të referueshme, por ka opinione e meditime të shumta stilistike. Libri i Bashës ende nuk është publik për të parë nëse ka zgjedhur të njëjtën gjini e stil. Zakonisht libra të tillë kanë vlerë 2-3 mujore. Për shembull, “Kurban” ndryshoi përmbajtjen disa herë kur u ribotua më pas, pasi vetë Rama kishte ndryshuar raportet personale me personazhet e librit të tij. Ndaj libri u harrua shpejt, siç ndodh gjithnjë me libra të tillë elektoralë, siç pritet të ndodh edhe me Bashën.
Megjithëse në secilin rast kemi të bëjmë me përpjekje për kurim imazhi, për të krijuar një identitet të ri politik, për të ofruar një model lideri apo për të shprehur një vizion tjetër nga ai që publiku njeh, personalisht nuk i shoh libra të tillë si harxhim boje e letre, as si objekte humori, por si dokumente që na duhen. Sa më shumë të shkruajnë politikanët aq më mirë është sepse na lënë të shkruara mendimet e tyre. Imagjinoni ata që nuk shkruajnë asgjë, nuk lënë asnjë memorie dhe e ndryshojnë pozicionin çdo vit, sipas nevojës elektorale! Nano, Berisha e Meta kanë zgjedhur këtë model. Ndaj Rama e Basha bëjnë mirë që shkruajnë, që japin intervista në media dhe që kështu na lënë burime referimi, të cilat kanë vlerë nëse ballafaqohen për të parë sa herë i ndryshojnë pozicionet, sa herë i mbajnë premtimet, sa është diferenca midis autorit në libër dhe atij në realitet, sa ka përputhshmëri me faktet, se çfarë mendojnë ata për kolegët, partnerët, politikën, vendin e shoqërinë dhe vite më vonë, sa janë ose do të pendohen për atë që kanë shkruar. Për këtë arsye profesionale, dhe pavarësisht përmbajtjes, si libri “Kurban” ashtu edhe “Misioni”, ashtu si “Kasandrat” apo “Jeta ime” janë të mirëpritura!