Sadam Huseini, Lufta e Gjirit dhe Lindja e Mesme e re
Iraku pushtoi Kuvajtin në gusht 1990. Komuniteti ndrëkmbëtar iu kundërpërgjigj me fillimin e një operacioni ushtarak. Konflikti u zgjidh shpejt, por ai kishte një efekt transformues në Lindjen e Mesme.
Ishte një provokim. Kuvajti e kishte shtuar nxjerrjen e naftës dhe kjo në disfavor të vendeve të tjera naftëmbajtëse, duke e mbushur tregun me barrela me tepricë dhe duke ndikuar kështu në uljen e çmimit. Fqinjët e inkurajuan Kuvajtin të ndalonte mbiprodhimin menjëherë pavarësisht kostove. Pavarësisht kësaj vendi vazhdoi të prodhojë naftë dhe presidenti i Irakut mendoi t´i japë fqinjit të vogël në jug një mësim. Më 2 Gusht 1990 ai urdhëroi ushtrinë irakiane të sulmojë. Kujvajti u pushtua shpejt.
Sadami nuk kishte menduar se trupat e tij do ta linin vendin po aq shpejt sa edhe e invaduan atë. Më 7 gusht Presidenti George Bush kishte dërguar trupa për të mbrojtur Arabinë Saudite duke e pagëzuar misionin “Operacioni Desert Shield” dhe atij iu deshën vetëm pak muaj të formojë një koalicion ndërkombëtar të aftë të ndërmarrë goditje ushtarake nëse do të ishte e nevojshme.
Kombet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur i kërkuan Irakut të tërhiqte trupat nga Kuvajti, por ai i injoroi këto thirrje, gjë që vuri në veprim Operacionin Desert Storm. Më 17 janar 1991, koalicioni ndërkombëtar nisi sulmet ajrore mbi Bagdad. Pas pesë javësh dhe pas më shumë se 100 sulmeve ajrore, trupat tokësore të koalicionit marshuan në Irak dhe Kuvajt më 24 shkurt. Ato hasën në shumë pak rezistencë dhe pas pesë ditësh forcat e Sadamit u mposhtën plotësisht. “Mamaja e të gjitha betejave” siç e kishte cilësuar Sadami atë, ishte fillimi i ngajrjeve që do të sillnin rënien e diktatorit 12 vjet më vonë, kur SHBA e udhëhequr tashmë nga djali i Bushit, George W., e pushtoi Irakun për herë të dytë.
Lufta në Irak shpalosi një kapitull të ri në veprimtarinë luftarake moderne dhe po ashtu në raportimin mediatik. Për herë të parë një konflikt u raportua ashtu siç po ndodhte. Teleshikuesit panë aeroplanët ushtarakë të ngriheshin nga aeroplanmbajtëset në largësi dhe SHBA po tregonte dominancën si superfuqia e fundit. Në fillim lufta ishte përshkruar si aq kirurgjikale sa nuk do të linte asnjë të plagosur. I ashtuquajtur shpesh si "Stormin' Norman," gjenerali amerikan Norman Schwarzkopf kishte theksuar në mënyrë të përsëritur përpikmërinë e goditjeve, por shpejt do të dilte në pah ana e errët e luftës high-tech të supozuar si e pastër. Publiku mësoi “dëmet kolaterale”. Ky term ishte i zakontë kur u përdorën dronet në veprimtaritë luftarake në fund të mijëvjeçarit por që shpejt rezultoi të jetë e pavërtetë. Në vitin 2014 organizata britanike e të drejtave të njeriut “Reprieve” publikoi një raport sipas të cilit nga shumë goditje me drone të drejtuara kundër 41 personave për shumë vite me rradhë janë vrarë 1147 njerëz të pafajshëm dhe që nuk ishin në objektiv të goditjve. Bombat e zgjuara nuk janë aq inteligjente sa ushtria mundohet ti paraqesë ato.
Radikalizimi fetar
Kur shpërtheu lufta në Irak Lindja e Mesme ishte ndryshe. Në rajon kishte vetëm pak rryma të forta ekstremiste dhe shumica e arabëve dukej se e kundërshtonte lëvizjen fetare. Sadam Huseini e kuptoi këtë kur ai donte të trembte koalicionin ndërkombëtar në janar të vitit 1991 dukë thënë “Ne u bëjmë thirrje të gjithë arabëve, të gjithë luftëtarëve fetarë t´i bashkohen Xhihadit. Ne iu bëjmë thirrje të sulmojmë forcën e së keqes, të tradhëtisë dhe korrupsionit dhe interesave të tyre kudo qofshin. Kjo është detyra juaj.” Thirrja ishte e kotë. Asnjeri nuk e pasoi Sadamin, luftëtarin e shenjtë të vetëshpallur. Madje asnjë nuk e pasoi as edhe kur ai u përpoq të theksonte religjozitetin e luftës kur lëshoi raketat Scud kundër Izraelit.
Edhe pse Sadami i kishte shkaktuar Irakut shumë trazira, sanksionet ndërkombëtare që pasuan në vitet në vazhdim e goditën popullatën rëndë. Njerëzit ranë në varfëri të thellë dhe të rraskapitur u bënë të ndjeshëm ndaj radikalizimit. Shkencëtari irakian i shkencave politike Fanar Haddad, shkroi në librin e tij në vitin 2011 “Sektarizmi në Irak: vizione antagoniste të uniteteit“ se „ndoshta një kthim tek Zoti ishte për një pjesë të irakianëve mënyra për t´iu kundërvënë të këqijave që iu ranë atyre gjatë luftës së Gjirit dhe më pas“. Vështirësitë ekzistuese dhe korrupsioni politik të shkaktuara nga lufta kundër Iranit në vitet 1980 deri 1988 dhe përkeqësimi si pasojë e konfliktit në Kuvajt ka shumë gjasa të kenë kontribuar në pranimin gradual të radikalizimit në shoqëri. E gjitha kjo është nxitur edhe nga invazioni amerikan i pajustifikuar politikisht i vitit 2003, që u kritikua shumë në nivel ndërkombëtar dhe që e zhyti vendin në kaos.
Arabia Saudite pësoi gjithashtu dëme të mëdha kolaterale. Mbretëria lejoi SHBA të nisë sulmet kundër Irakut nga aeroportet saudite. Disa trupa amerikane mbetën atje pas përfundimit të Operation Desert Storm, gjë e cila i inatosi luftëtarët që kishin formuar grupin terrorist al Qaeda rreth vitit 1993. Ata e kishin deklaruar tashmë familjen mbretërore saudite si ilegjitime dhe përhapën urrejtje kundër trupave amerikane dhe aleatëve të saj. Komuniteti ndërkombëtar arriti të shkatërrojë regjimin sekularist të Sadam Huseinit, por tani i duhet të përballet me xhihadistët humë më të rrezikshëm që përhapin frikë e tmerr në emër të fesë.