“SAGAPO” zoti Dule, pavaresishte se…

 

Greqia, komshia ime e shtrenjtë! I njëjti diell na zgjon çdo mëngjes. E njëjta erë na zbulon pjesët e turpshme. Gjithnjë e njëjta zënkë dëgjohet në shtëpitë tona, të bërtitura, të qara, të qeshura, të shara! Në të njëjtin tel i ndejmë teshat për t’u tharë, me të njëjtat kapse i mbërthejmë shpresat, inatet, dashuritë dhe urrejtjet për të na i parë. I njëjti tingull na bën të ngrihemi e të kërcejmë, me të njëjtat meze mbushim tryezat, kapardisemi, egzaltohemi dhe dehemi dhe po të njëjtat gjëra vjellim më pas. Me të njëjtën thënie përkëdhelim fëmijët, i qortojmë. E njëjta fishkëllimë dëgjohet kur na kalojnë para syve vajzat e bukura. Çmimeve, lajmeve, por më e çuditshmja edhe çudirave i fishkëllejmë njëjtë!

 

Ia shajmë perënditë njeri-tjetrit,themelet e shtepive…por ja qe të parët ia zgjasim dorën njeri-tjetrit në skamje. Kripën, duhanin,hirin…

 

Deti i njëjtë, dallga e njëjtë, peshku i njëjtë!

 

Në të njëjtën kohë biem të flejmë. I njëjti mur na ndan. I njëjti rënkim dëgjohet kur bëjmë dashuri.

 

E njëjta kukuvajkë na lajmëron për mort, po e njëjta kukuvajkë na lajmëron mbi të njëjtën çati.

 

Greqinë…Komshinë time më të vjetër, sikur të jetë e çmendur po e tallin. Sikur të jetë me zgjebe po e përbuzin, sikur të jetë hajdute po e poshtërojnë. Greqi…Komshia ime fisnike, sikur të kesh vdekur, po gëzojnë!

 

Kam muaj që mendohem. Çfarë i shtyn gjithë këto shtete, udhëheqës, bashkësi, apo media të jenë mbuluar djallëzisht me mllef e smirë?! Ç’është kjo dëshirë për hakmarrje?! Çfarë do të kenë në duart e tyre pas robërimit të shtetit grek, nëse prangosin një popull të tërë?! Çfarë traditash të reja mund të sjellin nëse djegin varkat e vjetra bashkë me lopatat para çdo shtëpie në ishujt e saj?! Çfarë mbajnë në shpirtin e tyre, ndërsa fajësojnë kishën ortodokse greke si shkaktare të kaosit, krizës dhe pasigurisë së krijuar?!…

 

Greqia…Komshia ime prej luani. Ashtu si ti, edhe unë nuk jam i çmendur t’i jap as mendjen, as penën hijenave të ta shkruajnë historinë. Ashtu si ti, edhe unë nuk jam me zgjebe të mos ulëras të vërtetën në mesin e të gjithëve. Nuk jam hajdut t’ia liroj ishujt gjuetarëve e aq më shumë, edhe unë ashtu si ti, akoma nuk jam i vdekur t’ia lejoj ndokujt të ta blejnë besimin, e aq më pak shtrigave!…

 

Greqia dhe ne… rusë, bullgarë, turq, shqiptarë, serbë, italianë e shumë e shumë të tjerë që sot vazhdojmë të jetojmë…të bëjmë një udhëtim sa më parë në Greqi. Një orë, një ditë, një javë s’ka rëndësi. Të fotokopjojmë faqen e pasaportës me vulën hyrëse dhe mbrapa në gjuhën e gjithsecilit prej nesh të shkruajmë vetëm dy rrjeshta:

 

Shkëlqesia juaj, Z. Ban Ki Mon…

 

Në datën e shënuar në këtë letër bëra një udhëtim në Greqi. Një vend me më shumë ishuj të jetueshëm, sesa kombet e anëtarësuara në organizatën që ju drejtoni.

Do të isha i lumtur nëse edhe ju e vizitoni Greqinë. Do të isha shumë i lumtur nëse organizatën tuaj do ta mblidhni vetëm për një seancë në Akropol.

Një qytetar i botës që shpreson e beson te ju…

 

Greqia dhe ne…. rusë, bullgarë, turq, shqiptarë, serbë, italianë e shumë të tjerë…Të gjithë kemi komshi. Të gjithë jemi zënë shpesh me ta edhe kur kanë qënë vëllezërit tanë.

Nëse do ti qëndrojmë pranë do të vazhdojë të ekzistojë Greqia! Nëse nuk është Greqia edhe ne nuk kemi qënë kurrë! Nuk kemi thënë kurrrë “TË DUA…’’

 

 

.                       .                 .

 

I nderuar Z.Dule,

 

Kur e kam botuar shkrimin e mësipërm në gazetën Shqip, data shënonte 11 Korrik 2011. Ishin ditët më të vështira të mëmëdheut tuaj, Greqisë. E shkrova veçse në gjuhën shqipe, që sado pak tu gjindesha pranë bashkëkombësve tuaj në Shqipëri.

Shume të panjohur me prejardhje greke, pasi lexuan shkrimin më gjetën dhe vëllazërisht më përgëzuan.

 

Një lider politik që përfaqëson një pakicë të mrekullueshme si ajo greke në Shqipëri mendoj se duhet të tregojë të njëjtin përkushtim për të drejtat e pakicave të gjithë Ballkanit, pra si për Serbët në Kosovë, si Maqedonasit në Greqi, si Turqit në Bullgari e sidomos për ata të Preshevës që janë më të lexuarit e gjithë hapësirave shqiptare…

 

  1. Dule! Krasitja e lirive dhe të drejtave të pakicave kombëtare janë një prej pengesave më të mëdha të funksionimit të demokracisë në Ballkan. Liritë dhe të drejtat e pakicave duhet të shihen në tërësinë e rajonit, e jo veç e veç, si po i shihni ju. Liritë dhe të drejtat e pakicave nuk pranojnë kurrsesi krahësime, ndarje apo copëzime, si po bëni ju… Ato nuk ngjasojnë me një ndeshje sporti. Ose fitojnë të gjitha pakicat, ose humbin të gjitha pakicat, pra ose të gjitha njëherësh, ose asnjëra!

 

Z.Dule! Habia ime më e madhe rreth jush ka qenë dhe vazhdon të jetë se sa pak, ose aspak keni mësuar prej njeriut më të zgjuar dhe largpamës që jep e merr frymë në Shqipëri siç është hirësia e tij Janullatos. Një njeri që ia kupton gjuhën dhe ka patur mundësinë të qëndrojë aq afër dhe gjatë si ju, sot mund të kishte më tepër deputetë në parlamentin shqiptar dhe të mos rrezikonte që një parti aq e rëndësishme për demokratizimin e vendit, siç është PBDNJ, të shndërrohej në shoqatë në zgjedhjet e ardhshme.

SHKARKO APP