Sandër Lleshaj: Sikur të mos mjaftonin deputetët që kemi, u dashka edhe një senat

Nga Sandër Lleshaj, ish-ministër i Brendshëm

Shpikja e pandalshme e temave të reja është metoda më efikase për të harruar dhe mbuluar me tym zjarret reale. Dhe që kjo gjë të funksionojë mirë, duhet që temat që hidhen në mjedisin publik të jenë përtej arsyes dhe sa më pranë absurdes. Krejt ashtu duket edhe ideja e fundit për të shtuar një dhomë tjetër në Kuvendin Shqipërisë, a thua se vendit tonë nuk i mjaftojnë marrëzitë që prodhohen në dhomën aktuale, aq sa paska nevojë për të shtuar kapacitetet e prodhimit të tyre me një organ të ri.

Rrallë të qëllon që të takosh shqiptarë sot që të jenë të krenarë apo të kënaqur me nivelin e organit të më të lartë përfaqësues të tyre. Niveli i Kuvendit të Shqipërisë ka ndjekur një trajektore rënie të fortë përgjatë këtyre dekadave të sistemit të ri politik për të mbërritur në gjendjen e sotme. Sot ai i ngjan më tepër një arene përleshjeje për interesa personale (që në Shqipëri do të thotë edhe partiake) pa asnjë lidhje me interesin publik dhe në konflikt alarmant me vetë emrin e tij si Kuvend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Deputetët e Shqipërisë së sotme, në masën e tyrë absolute, janë përfaqësues të dy personave, një lloj kloni i tyre si për nga niveli arsimor dhe kulturor ashtu dhe për nga vizioni, idetë, sjellja etike dhe vendimarrja politike. Ata jo vetëm që nuk janë përfaësues të populllit, por nuk përfaqësojnë madje as vetë partitë të cilat formalisht i nominojnë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Që popullli shqiptar të mund të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë, ai duhet të ketë të drejtën që të përcaktojë vetë KANDIDATËT e tij dhe po ashtu të drejtën që të përzgjedhë vetë se cilët prej tyre janë më të përshtatshmit për në Kuvend. Për sa kohë që partitë të përcaktojnë kandidatët, populli nuk mund të ketë rolin e sovranit, por vetëm rolin e mjerë të viktimës që duhet të nështrohet ndaj vullnetit të njërit apo tjetrit kryetar partie.

Shqipëria ka nevojë urgjentë për të rishkruar „algoritmin“ e zgjedhjes së përfaqësuesve të popullit. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte sot autoritet për të miratuar vetëm një ligj, ai do të duhej të ishte Ligji për Partitë Politike, ligji që aktualisht u jep partive politike fuqinë ekskluzive për të formuar Kuvendin, duke ja mohuar popullit këtë atribut. Sipas ligjit aktual, për të cilin nuk ankohet askush, partitë politike nuk funksionojnë si institucione kushtetuese të bazuara në parime të qarta demokratike dhe që përfaqësojnë interesat e popullit, por si struktura hierarkike që përfaqësojnë interesat e anëtarëve të tyre.

Sot nuk nevojitet shtimi pa leje edhe i një kati tjetër të epërm në strukturën tonë parlamentare, por rindërtimi i themeleve të saj. Jo shtimi i numrave, por paksimi i tyre dhe përmirësimi i cilësisë së përfaqësimit janë nevojat imediate të vendit. Shqipërisë nuk i duhet edhe një senat, kur ende nuk ka një kuvend të vërtetë, por vetë kuvendi: një kuvend dinjitoz, kompetent, përfaqësues; një kuvend me përfaqësues të popullit dhe jo me emisarë kryetarësh, një kuvend krejt ndryshe nga ai që ka sot.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?