Satira e Gjekmarkajt: Braçe me Xhafën luanin domino, Luli me flokët e lyer…
Nga: Agron Gjekmarkaj
Kronika historike e këtij viti me halle.
Një habi e madhe u shfaq para nesh sapo mbërritëm në Kuvend. Një burrë i gjatë dhe një tjetër i shkurtër, këtë dallim e bëmë kur në këmbë u ngritëm, në anë të ndërtesës me nga një kokore të hirtë nga ato që mbante ushtria e kuqe në kokë, batani mbi supe po ngroheshin pranë një zjarri bërë me zhumile. Madje kishin vënë një xhezve dhe zien kafe turke. Ishte Kosta i Gramozit dhe Linditës me Genc Gjonçajn. Po ju more që dukeni si xhindër ç’bëni këtu? “Po ja ç’të themi u gjegjën pothuaj njëzëri. Deputet e PS- kanë ardhë që mbrëmë.
Ata janë strukur brenda, qajnë e lebetiten dhe pyesin a thua do dalim më gjallë nga këtu dhe stresin e mbysin me të ngrëna. Ne të dy si më trima falë edhe kronikës vendosëm të bëjmë roje në rast mësymjeje nga fanteria e Kryezevendes Liderit Muli. Si po vinë punët tha Genci vetëm ne i kemi mbetur Babos besnikë që jetën e japim po partinë kurrë”. Nga cepi i syrit të majtë të Kostës u pa një lot që u rrokullis si ortek drejt tokës. Dy kallashnikollë i kishin mbështetur në mur. Aty kuptova fuqinë e besimit. Tensioni vibronte në ajër. Mungesa e Jorushit të Tabakëve ma bënte më përzhitur ekzistencën e më shumë se ajo pikëpyetja në e kishim merituar pikëllimin e saj sot, në të denjë ishim për mërzinë që mbështjellë e ka?!
Në krah kisha Liderin që kërkon perspektivë Gazin po nuk ishte e njëjta gjë. Jorushi është jeta, rruga dhe e vërteta. Ajo nuk më qorton kurrë. Ai më pa vëngër, klithi “lufto aty se nuk të mbroj më kur luftëtarët e lirisë të të zhdëpin si oportunist! As Salianji s’të bën derman po nuk shtyve si dem Sukthi dhe ta marrësh gardën përpara”. U ktheva të shoh ku është ai viran po nuk e pashë, me lëshuan këmbët. Nejse mblodha veten dhe mërmërita ” jam trim, jam trim do të luftoj deri në agim” dhe u turra. U hap fjala që gardistet do na respektonin duke na qëlluar poshtë nga këmbët me putra. Që llaf i lig, nuk ndodhi. Po një komandant i tyre qerratai na rraste duart ngado, “avash more ashik i thashë se nuk ndiej lezet nga duart e burrave, boll me gudulise, he të paçin sytë, nuk u bë gjithçka sadomë e gomorrë”.
Lefter Geshtenja kërkonte me ngulm të hynte brenda. U drejtohej rojave, “jam Luli më lini të hyj”. Polici, fuste dorën në xhep nxirrte një foto dhe i përgjigjej, “nuk je Luli se Tao vetëm për këtë burrin në resme ka dhënë urdhër që të hyjë lirshëm e me temenara, madje i ka kerkuar Babos që ti vërë edhe muzikë e dy valltare, një para një pas që tunden ritmi, si tek samiti i diasporës ku patrioteve u bëhej syri thëngjill e çakerr, po Babo paskësh thënë bah nuk është ai për këto punë i ka zët gratë dhe ahengun”. Deputeti ynë nuk ndalej “ore jam Luli” vazhdonte Lefkua, ai prape dorën në xhep e fap foton e këqyrte, “ja ky ka flokë shumë, pis të zi, të lyer ti je gjysmë tullac”. Lefkua insistonte po mi zhgulen militantet e PD në rrugë, ç’të bëj?! Ai ” jo jo, shko behu si ky që kam në foto dhe eja”. Lefkua” po kush bëhet si ky mo burrë, eja me merr ç’të kem, me shpi e katandi po si ky nuk bëhem dot”!
Dash Sula me përparse të bardhë, stetoskop dhe një tufe qepe në krah na hijeshoi oborrin. Pyesnim veten jemi në ëndërr? Këta duan të na heqin Doktorin ky vjen si Doktor. Po Dashi ishte mbyllur në hermetizmin e tij simbolik dhe nuk jepte xhevap. Hymë brenda ! Ç’të shihnim?! Salla e Parlamentit ngjante me një kapanon, dyshekë për tokë, Ismet Beqiri si përfaqësues i vegjëlisë flinte mbi dysheme, Baftua kishte shtruar byk dhe gërhiste, kanoçe, duhem sallami , firome grishe vërtittëahin pranë Klosit, hudhra e raki pranë Bujarit të Lushnjës si evlat rajaje, paçe plenci te Xhemali, bishta cigararesh tek Laerti dhe dy kupa të qarash plot. Vetëm pranë Mimi di Puccinit dhe Etildës ndihej një aromë dolçe, oaz profumi që trazohej herë pas here nga gromësirat e Nasipit si tufan. Më vonë Nasipi luajti një rrol shumë destruktiv. Ai një dy na shfokusonte “erdhi Luli” dhe Gaz Bardhi brofte tek dera kryesore.
Apo nuk është i bëshëm ai Jezit.
Çuçi e Toni luanin spathi me letra. Braçe me Xhafën domino. Eri ankohej “ti bën me hile gjithmonë” dhe kthente e pyeste Antonetën a “erdhën të këqijtë Ina me Elden më thuaj të fshihem”. “Të mbroj unë pa merak vazhdo lojën ti”. Damua kishte ndezur një puro e meditonte i heshtur si erdh kjo punë?! Tao kishte lyer dy feta bukë më gjalpë dhe reçel, i hante si i babëzitur nën shikimin e vuajtur të Ulsiut që po i shkonte goja lëng. Çyrbja përtypte fara lule dielli pa fjalë. Bela gjithë natën ishte krehur dhe rezultati dukej. Niko, Ogerta dhe Tezja kishin bërë jatak pas banakut të Qeverisë pasi Margeriti u kishte premtuar që derën anësore e mbaj unë veç po kaluan mbi trupin tim atëherë s’ka më gjumë. Nikua dridhej “do më rrahin do më rrahin” Ogi i paskësh dhënë pak ilaç gjumi e ashtu gjumi e kishte këputur mes të çirrurave. Elisa si xhind e motivuar nga Kongresi ku Babo e nxori të hapte, ishte lidhur për karrigen e tij , lyer me benzinë dhe nëse e shihte pisk fap flaken dhe as ndënjesa as ajo nuk do binin të gjallë në dorë të armikut. Ajo pagjumësi filxhan ja kishte bërë synë e zi.
Arben Pëllumbi hapte me gojë dhe lëshonte një pasthirrme të pafajshme.
Kryezevendes Lideri na bëri me shenjë ta ndiqnim kur befas u shfaq Babo hijerëndë si nata. Nuk i leviste asnjë muskul. Të vetët vdiqën të gjithë njëherësh. Vetëm Tao fliste me Lulin , “u nise , erdhe , ku je, garda ka bërë kordon, mos me turpëro, kam dhënë fjalën që vjen, mos ma bëj këtë, të sjellim me një dron Bajraktar?”
Ai nga ana tjetër i shkruante ” Jo jo kam frikë nuk mundem, të lutem më fal, frika është njerëzore, Blerina me shkruan që më kanë zënë rreshtin. Meqenëse ra fjala sa gocë e mirë ajo edhe darkat na i paguan në Strasburg kur jemi delegacion”. Tao vazhdonte ” Eja je në besën time, Babo më ka thënë mos harxho kohë me atë por unë i kam premtuar, mos ma bëj këtë, mos të votojmë kundër Doktorit vetëm ne socialistet ?!”. Luli ja kthente ” Blerina me shkruan po me presin me miell unë sa i kam lyer flokët, madje parukierja uli qepenat që të mi bënte fije për fije, kanë marrë dhe bojë e veze, ku të mbytem unë i ziu?”. Tao “më turpërove që mos pafsh më ditë të bardhë, vulën ta dhashë që mos e gëzofsh, te ambasadoret të mbroj, këta të ish partisë tënde i ndëshkoj, ç’të bej më?”. Ai “Kam frikë vlla kam frikë bëma kabull”. Pas kësaj seance Doktori që vjen nga historia po shkon drejt së panjohurës e pas tij gjithë Opozita.