Seksi, droga apo krimi? Kush na tundon më shumë?

“Lajmi për humbjen e mandatit të një deputeti të rëndësishëm, i cili kishte vijuar të përfitonte fonde publike edhe pasi u bë deputet. Lajmi për masakrimin e një gazetari që tashmë, thuajse u harrua nën zhurmën e ngjarjeve të reja”…

Nga Blendi Fevziu

Dy ditët e fundit renditjen e lajmeve më të lexuara të portalitwww.opinion.al e dominonte thuajse në mënyrë ekskluzive historia e Shukri Xhelilit. Të gjitha lajmet e postuara për të, nga videoja e të brendshmeve të kthyera në hit,  premtimet e deri tek informacionet mbi vajzën dhe historinë e saj përpiheshin me një kuriozitet të shumëfishtë. Me një lloj kurioziteti shoubizi, por edhe intrige politike, pa harruar gjykimin e rëndësishëm moral në këtë rast. Në Hit Paraden e lajmeve, Shukriu zinte vendin e parë, të dytë, të tretë, të katërt e të pestë…

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë nën kuriozitetin për të brendshmet e shkyera të Xhelilit dhe nën lajmet për abuzimin me postin publik të tij qëndronin disa lajme të tjera, që as më pak e as më shumë kanë një peshë të madhe në shoqëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Lajmi për punësimin në një post të rëndësishëm shtetëror lokal të një personi që kishte qenë arrestuar për trafik narkotikësh në 2006; Një histori tipike që po e cfilit Shqipërinë që prej vitit 2013 dhe që po kthehet në një mallkim.

Lajmi për përfshirjen në historinë e këtij personi të përsonaliteve të rëndësishme politike që shfaqeshin edhe krah tij në më shumë se sa një foto. Shfaqeshin në një inagurim pa pyetur kurrë se nga vinin paratë e investimit dhe a ishin legale ato?

Lajmi për largimin e Balilit, ndërkohë që në shtyp e në Tv diskutohej për rolin e tij në trafik droge dhe për përgjegjësinë që ai kishte. Përgjegjësi që ai vetë e kishte mohuar. Një mohim që e ka kompromentuar ai vetë duke u larguar në drejtim të paditur.

Lajmi për pajisjen e paligjshme të përgjimit, që askush nuk di të thotë si është futur në Shqipëri, përse është përdorur dhe kush e ka nën kontroll!

Lajmi për sharrimin e një segmenti të autostradës Durrës – Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë të pafajshëm dhe ku në 1 vit kanë ndodhur 5 aksidente. Një akt i pastër korruptiv dhe përfitimi për të cilin Prokuroria dhe gjykata kanë dërguar deri tani në burg 3 vetë.

Lajmi për humbjen e mandatit të një deputeti të rëndësishëm, i cili kishte vijuar të përfitonte fonde publike edhe pasi u bë deputet.

Lajmi për masakrimin e një gazetari që tashmë, thuajse u harrua nën zhurmën e ngjarjeve të reja.

Të gjitha këto u tretën, ose mbetën pas, thuajse pornografia dhe abuzimi i pastër i një zyrtari publik, të ishte më i rëndësishëm se sa gjithë këto mijëra abuzime që marrin jetë, shkelin ligjin dhe ushqejnë krimin çdo ditë. Nuk ka asnjë dyshim që ajo që u dokumentua me Xhelilin është shumë e rëndë. Një person që ka marrë votat për t’i shërbyer qytetarëve dhe abuzon me pushtetin duke tentuar marrëdhënie seksuale me një vajzë që është në moshën e fëmijëve të tij, është e ndëshkueshme moralisht dhe ligjërisht. Dhe çështja ka marrë ndërkohë edhe rrugë ligjore. Por të ekzaltohesh nga të brendshmet e Shukriut dhe të fokusohesh në historinë e tij, më shumë se sa në problemet e drogës, emërimeve kriminale, lidhjeve të politikës me krimin dhe shkeljes së ligjit, kjo nuk shkon. Kjo tregon se shoqëria rend pas skandaleve, pa u thelluar në fenomenet bazike që i prodhojnë ato. Dhe fenomenet nisin të gjitha tek lidhja e politikës me krimin… Aty nis gjithçka. Edhe Shukriu në vetvete është një produk i saj. Opinion.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?