Serbia nën “akullin” politik
Shkaktari i "akullit"
Lideri ultranacionalist Vojisllav Sheshelj ia doli qëllimit: që sërish t'i përcaktojë rrjedhat politike në Serbi. Sheshel pas më shumë se 11 vitesh sa ka kaluar në burgun e Hagës, ku akuzohet për krime lufte, është kthyer në Serbi në nëntor – për shkak të sëmundjes nga kanceri. Ai është duke pritur vendimin e Gjykatës së Hagës, por ky vendim nuk pritet para mesit të vitit të ardhshëm. Por ai e ka shfrytëzuar rastin, që menjëherë të futet në rrjedhat politike. Me angazhimet e tij nacionaliste kundër vendeve të rajonit dhe krerëve të tanishëm serbë (Vuçiq dhe presidenti Tomisllav Nikoliq) të cilët i quan tradhëtarë, Sheshelj ka nxitur sërish elementet nacionalistë në Serbi. Parlamenti Evropian e ka miratuar javën që shkoi një rezolutë kundër Serbisë, ku thuhet se "Beogradi nuk është distancuar sa duhet nga fjalori i Sheshelit i cili nxitë urrejtje". Iniciativën për këtë rezolutë e ka dhënë Kroacia, që për Aleksandar Vuçiqin ishte një "poshtrim" i Serbisë.
Distancimi i Serbisë nga Sheshelji
Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Shesheljin, tha Vuçiq i cili gjatë viteve 90-të dhe deri në vitin 2008 ka qenë së bashku me Nikoliqin bashkëpunëtori kryesor i liderit të radikalëve Vojisllav Sheshelj. Vuçiq tha se vetë bashkësia ndërkombëtare e ka liruar Sheshelin nga burgu, e tani po e akuzon Serbinë për retorikë dhe veprime nacionaliste. Serbia mund të akuzohet ndoshta për shumë gjëra të tjera, por jo edhe për mbështetjen e idesë së Shesheljit për krijimin e Serbisë së madhe. Autoritetet e Serbisë mendojnë se nuk janë duke u trajtuar si duhet nga vendet e rajonit. Në Kosovë dhe në disa rajone të tjera ka pasur së fundi shumë flamuj me hartën e Shqipërisë së madhe, që Beogradi e sheh si kërcënim. Mosmarrëveshje të reja ka dhe në linjën Serbi – Mali i Zi, pasi që kryeministri Millo Gjukanoviq e ka quajtur Gavrilo Principin, si "terrorist". Gavrilo Princip e ka kryer para 100 vitesh atentatin ndaj princit austrohungarez Franz Ferdinand, që shkaktoi edhe fillimin e Luftës së Parë Botërore. Serbia ka pasur së fundi edhe përplasje shumë serioze me Shqipërinë, për shkak të incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe kërkimit të kryeministrit Edi Rama në Beograd që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve dhe incidenteve Shqipëria ka vendosur që të ndalojë importin e medikamenteve nga Serbia. Serbia është një vend që pretendon anëtarësimin në BE. Ndaj Brukseli do të ketë në të ardhmen edhe më shumë punë për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Serbisë dhe vendeve të rajonit.