Sfida
Nga Arian Galdini
Nuk është kritiku që vlen, as njeriu që tregon me gisht duke u ankuar për më të fortin që e pengon, apo për Krijuesin që mund t’i kishte bërë gjërat më mirë. Vlera i takon njeriut që është ndërkohë në arenë, i cili në rastin më të mirë është i vetëdijshëm për triumfin e arritjeve të mëdha, ashtu sikurse është i ndërgjegjshëm në rastin më të keq se nëse dështon, në fund të fundit ka dështuar duke guxuar fort. Ndaj edhe vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ndrojtur e të ftohtë, të cilët nuk e kanë njohur kurrë as fitoren dhe as dështimin.
Pikërisht ky fill mendimi, kjo sfidë vazhdon të më buçasë në veshë si një ngasje e pareshtur e ndërgjegjes sime qysh nga dita që fillova të besoj se unë mund dhe duhet të bëj diçka për vendin tim. Ndërsa jemi në prag të së disatës fushatë elektorale në këto 25 vite “rropatjeje nëpër tranzicionin për kah demokracia”, një nga sfidat më urgjente të punëve të pambaruara e të pasqaruara për këto vite që kanë shkuar dhe për të tjerat që do të vijnë është çështja e lidershipit në shoqërinë tonë të lirë, e posaçërisht vendi i karakterit në këtë lidership. Jetojmë në ditë kur krizat personale janë bërë ushqimi kryesor i jetës publike, dhe shumë “të nderuar”, nga drejtues të lartë institucionesh deri te drejtues partish, deputetë, apo qeveritarë lokalë, burokratë të mëdhenj apo të vegjël, drejtues të shoqërisë civile e njerëz të biznesit etj., po ecin përmbi skandale duke mbuluar të vjetrat me të reja më të mëdha dhe kriza e karakterit në lidershipin kombëtar apo lokal ka prekur e vazhdon të prekë çdo qytetar në çdo nivel të shoqërisë, pavarësisht nga përkatësia politike apo backgroundi që mund të kenë. Kualitetet esenciale për një lider të madh, thoshte Presidenti Eisenhower janë: Vizioni, integriteti, kuraja, mirëkuptimi, aftësia për t’u artikuluar dhe thellësia e karakterit. Por ironikisht, sipas këndvështrimit të sotëm që e hasim në çdo dalje publike të udhëheqësve tanë, në çdo lajm televiziv, në çdo talk-show, në çdo gazetë apo revistë që shfletojmë, ne mund të klasifikonim disa virtyte të tjera, si p.sh. mashtrimin dhe ndjesinë e providencës. Por përtej atyre që nuk do të ishin dakord me Eisenhowerin duke lënë jashtë liste: karakterin, ky curriculum që na ka lënë ish-presidenti amerikan vë në dukje një seri mësimesh klasike dhe moderne që na udhëheqin drejt një konkluzioni mbizotërues: karakteri është themelor për një lidership të mirë, e jo vetëm për liderët politikë, por edhe për nënat dhe baballarët, mësuesit dhe klerikët, menaxherët dhe çdokush që influencon jetët përqark tyre. Ashtu sikurse Kushtetuta e një vendi shpreh karakterin dhe formën e tij, edhe karakteri i një personi shpreh përthellësisht çfarë e konstituon atë si një qenie unike. Në fakt konfuzioni mbi karakterin ngre krye edhe për shkak të preokupimit tonë me pushtetin për pushtetin. Pushteti ka qenë kaherë esencial për lidershipin. Televizionet, gazetat dhe revistat gjuajnë në faqet e tyre, sekretet e pushtetit në zyra, pushtetit pas dyerve të mbyllura, pushtetit në fushat e lojës, pushtetit në korridore, pushtetit në veshje, pushtetit në negociata, pushtetit në marrëdhënie, pushtetit në dhomën e gjumit etj., etj. Në faqet e tyre na premtohet historia e brendshme e asaj se çfarë është pushteti, si merret dhe si mbahet ai… “Dreka pushteti”, “shtrëngime duarsh pushteti”, “kravata pushteti”, “lojëra pushteti”, për të afeksionuar të pushtetit, kjo listë mund të shkojë shumë, shumë gjatë. Që të mbërrish në nivelin e lartë, duhet të lësh jetën tënde nën “kontrollin” e “Tyre”, dhe t’u përkasësh atyre që të të shfrytëzojnë sipas nevojave që kanë. “Zotërit e universit” janë pushtetushtrues parexcellence. Njerëzit janë katandisur në pengje, të cilët sillen rrotull një kutie shahu në lojën e madhe të pushtetit të kësaj jete. Problemi me etjen për pushtet qëndron në faktin se ai kërkon më shumë pozë dhe shtirje. Shumë taktika të pushtetit shesin më mirë nga sa punojnë. Dhe shumë nga njerëzit më të fuqishëm në vendin tonë, por edhe në botë janë pardoksalisht të ndërgjegjshëm jo për pushtetin që kanë, por për atë që nuk kanë dot. Problemi tjetër me etjen për pushtet qëndron në faktin se lideri si lojtar pushteti mbështetet në taktika premtuese dhe strategji fituese, e kësisoj nuk sheh asnjë nevojë dhe nuk ka as kohë për “karakterin”. Stili dhe imazhi janë bërë monedha funksionuese e politikanëve tanë modernë dhe lidershipit të sotëm. Nëse paratë janë qumështi i nënës për politikën moderne të kohëve që po jetojmë, stili është gjaku që i jep jetë. Është ndoshta ndjesia ime, por duket se temën e karakterit po e sjell në tryezë presioni i ngjarjeve rreth e qark nesh. Probleme të tilla si krimi, korrupsioni, kriza financiare ndërkombëtare dhe ndikimi i saj i mundshëm në Shqipëri, mashtrimi në ditën për diell, mediokriteti në shkolla, varfëria, mungesa e shpresës etj., shihen nga njerëz të virtytshëm si probleme racionale. Si të tilla, këto probleme shihen si të zgjidhshme vetëm nëpërmjet strategjish të pastra teknike, ekonomike, legjislative apo sociale. Sfida është kryesisht të zbulohen rrethanat që krijuan dhe mbajnë në këmbë problemin dhe pastaj të punohet për t’i ndryshuar ato.
Larg çdo klisheje, zgavra social-morale e krijuar nga e ashtuquajtura “mëshirë civike” apo “kujtesa e shkurtër kolektive” është shndërruar në një çështje që meriton vëmendje, pasi në skandalet e shumta, qoftë edhe të nivelit personal që kanë dalë në shesh e që çdo herë nga shumë njerëz janë quajtur çështje pastërtisht private, kemi parë të dalin në sipërfaqe dhe njëkohësisht të justifikohen cilësi të një presidenti, kryeministri, ministri, kryetari i partisë apo kryetari bashkie, të cilin askush nuk do të donte ta kishte as baba/nënë dhe as bashkëshort/e, as shok e as mik. Kriza aktuale e karakterit është goxha më e thellë dhe më e rëndë se çdo skandal i nivelit kombëtar. Kjo është arsyeja pse kërkimi për të gjetur shërim volit që ne të ngrihemi përtej dilemave tona të ditës dhe të shohim pas në historinë tonë kombëtare për urtësi dhe drejtim, por edhe te mendimtarë të mëdhenj që ka njohur bota e njerëzimi. P.sh.: Platoni në librin e tij “Republika”, thotë: “Shtetet janë si njeriu, ata rriten dhe ndërtohen nga karakteri njerëzor”. Ai mendon se ripërtëritja e shtetit varet rreptësisht nga zhvillimi i karakterit individual, sidomos nga zhvillimi i karakterit të liderëve. Ligji është vital, por askush nuk mund ta mbajë në këmbë ligjin thjeshtësisht duke u përpjekur. Sikurse filozofi Dallas Willard shkruan: “Njeriu duhet të synojë të bëhet ai lloj personi prej të cilit veprat e ligjit rrjedhin natyrshëm”. Me pak fjalë, çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë nuk janë vetëm aksionet, veprat tona apo sjellja jonë, ato na çojnë veçse në korrektësi politike. Çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë është karakteri. Kështu pra gjithsecili që e njeh rolin themelor të karakterit në momente kaq të mëdha të historisë, flet për karakterin jo si për një temë luksoze që është i parëndësishëm në këto kohët tona të ngutjes, ambicies, egos dhe imazhit pa kufi. Karakteri është një sfidë e pamat personalisht dhe kulturalisht. Hegel shkruante kohë më parë se “nuk mund të ndërtojmë një komunitet politik pa krijuar më parë një komunitet moral, për më tepër, pa sigurimin e jetës, të pasurisë dhe pa sigurimin e nderit, një vend nuk mund të përparojë dhe, për pasojë, morali publik nuk mund të përmirësohet”. Kjo ka qenë sfida ime personale, por edhe miqve të mi kur vendosëm të bashkonim vullnetet tona, pavarësisht se kemi bindje e përkatësi të ndryshme politike në atë që sot njihet si beteja e dalëzotsave shqiptarë për dinjitet. Vizioni i dalëzotsave është të krijojnë një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale në Shqipëri. Ne nuk jemi grup presioni, por kërkojmë të ndryshojmë shoqërinë me anë të ideve dhe veprimeve tona, duke drejtuar nëpërmjet shembullit dhe integritetit tonë personal. Qëllimi nuk është kurrsesi të zëvendësojmë emra të përveçëm të politikës shqiptare për të pasur rezultate në përmirësimin e klimës politike, por të ndikojmë për të ndryshuar frymën, ligjërimin dhe ambientin politik ku veprohet dhe merren vendimet. Kur ne e nisëm këtë punë gati 10 vite më parë donim vetëm t’i jepnim fillesë një procesi të gjatë në favor të së mirës, “ngaqë një kohë të gjatë ndiejmë nevojën e krijimit të një institucioni, të një shkasi që do të nxiste shqiptarin të bëjë introspeksionin, ta inspektojë vetveten, të reflektojë jo vetëm për bëmat e të tjerëve, por edhe të vetvetes.
Shqiptarët, si kurrë më parë, kanë nevojë për trajnim për aftësim, që në mënyrë sa më efikase të fillojnë ta inspektojnë vetveten, ta zbulojnë të ligën, çfarëdo forme qoftë ajo dhe mekanizmat, pretekstet që e legjitimojnë atë. Pa njohje nuk ka vetëdijesim, ndërgjegjësim. (Arbën Xhaferi)” Aktivitetet, aktet, fjalët, artikujt në gazeta, qëndrimet publike nga shumë dalëzotsa gjatë këtyre viteve, e sidomos gjatë këtyre muajve të fundit kanë qenë demonstrimi i dëshirës dhe nevojës së qytetarëve shqiptarë për bashkim dhe kohezion në shoqërinë tonë të lodhur e të rraskapitur nga konfliktet dhe ndasitë. Por kanë qenë gjithashtu demonstrim i dëshirës dhe nevojës së qytetarëve shqiptarë të gjithëve së bashku, për vleftësimin e të tërës përmbi të pjesshmen, për vleftësimin e kombit dhe vendit përmbi partinë, për vleftësimin e interesit publik përmbi atë vetjak. Në fakt për të thënë të vërtetën duhet të themi se gjithçka e bërë deritash kanë qenë vetëm fillimi i një procesi. Vetë procesi do të jetë një sfidë e vazhdueshme më së pari për vetë djemtë dhe vajzat që janë bashkuar nën moton: ‘Unë jam, unë mundem. Ne jemi, ne mundemi’, si dalëzotsa në këtë betejë për dinjitet dhe në këtë lëvizje të ripërtëritjes morale, por edhe për të gjithë njerëzit që lëvrojnë mendime, opinione dhe marrin vendime në shoqërinë shqiptare. Sfida është për çdo qytetar, për t’u përcjellë me forcë dhe vendosmëri edhe tek udhëheqësit politikë, sepse sikurse thonë të moçmit: “Mbill një mendim, korr një veprim, mbill një veprim, korr një traditë, mbill një traditë, korr një karakter, mbill një karakter korr një fat”.