Sfilatë me “Arman”, e dy kombeve më leckamane të Europës
Nga Halil Matoshi*
Gratë dhe burrat e dy qeverive, ca manekinë tebdilë që po sfilojnë me veshje “Armani”, derisa prapa kanë kombet më leckamane të Evropës – Kosovës dhe Shqipërisë – duke iu shitur kopalla qytetarëve përmes parullave të forta, por anakronike, si ajo “Një popull – një tokë – një ëndërr”. Mirëpo, duke e zëvendësuar nocionin “një komb”, me atë “një popull”, Tirana zyrtare përfundimisht njohu kombin e ri – atë kosovar
Duke menduar se lashtësinë e ka aleate, Tirana zyrtare e ka rikthyer nocionin “popull” për të thënë “komb”, duke imituar keq parullën ameriko-latine: “Një shtet, një komb, shumë popuj”.
Kategorinë “popull” e ka barasvlerësuar me nocionin “komb”, përderisa dihet mirëfilli se populli është një bashkësi njerëzore që lidhet me një territor të caktuar, por që mund të ketë përkatësi të ndryshme etnike, ngase, etnia po ashtu, është kategori tjetër identitare, por që të dyja si konstrukte të dala tashmë nga historia.
Kryeministri Edi Rama duhet të kishte më shumë kujdes në shfaqjen e tij që përkufizohej si turbofolk oral dhe vizual, sepse sot janë ca inferiorë e të padijshëm në Qeverinë e Kosovës, e nesër mund të ketë një Qeveri kosovare-centriste, që nuk vjen në Tiranë të marrë dorë e t’i pyesë disa kinse figura kombëtare se si shqiptohet ose si shkruhet një fjalë në standardin ’72 të shqipes, por do të shkonte për të gjetur partnerë të mirëfilltë për emancipimin dhe perëndimorizimin, për demokratizimin dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, pra për mirëqenien e dy shteteve përkatëse (Shqipërisë dhe Kosovës.)
Së këndejmi, qytetarët e të dyja shteteve në vend se t’i lejojnë strukturat e pushtetit që t’ua manipulojnë ndjenjat atdhedashëse me këso parulla etnonacionaliste, duhet të ngrihen e t’i thonë jo “tritolizimit” (Shqipëri) dhe jo “zaptimit” (Kosovë) të tyre.
Ato 11 çështje për të cilat u diskutua e që u hodhën në letër dhe u nënshkruan nga ministrat përkatës të të dyja shteteve, e që dy Qeveritë tentuan t’i shesin në publik si marrëveshje historike (realisht janë arritur vetëm tri marrëveshje), nuk janë tjetër pos protokolle (tri sosh) dhe memorandume mirëkuptimi (pesë sosh) që nuk janë obliguese.
Marrëveshjet ndërshtetërore kanë anashkaluar “dhimbjet e kokës” për pataten, çimenton dhe tregun e përbashkët (sidomos të punës) duke u fokusuar vetëm në fushën e arsimit.
Sipas Bajramit, u dashka të lypset ndihmë nga universitetet shqiptare për të krijuar standarde unike evropiane në këtë fushë!?
Kjo s’do koment!
Dhe, besohet se edhe fushën e arsimit do ta kënaqin krejt, si në rastin e Universitetit të Pejës, ku nga 505 diploma, vetëm dy kanë qenë ose janë konsideruar të rregullta, përderisa 503 false!?
Po mirë, na thoni që të ekzaltohemi, sa shqiptarëve iu gjet një punë me këto “11 marrëveshje”, ose sa shqiptarëve ose kosovarëve iu zgjidhen hallet?
Asnjërit, për be!
Ministri patriot – i Arsimit kosovar – e ka emrin Arsim, e kjo është vërtet shumë sinjifikative, për një pjesëtar të një populli rob të përjetshëm, deri në intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, më 10 qershor 1999.
A keni dëgjuar për emër serbianësh ta zëmë: Obrazovanje?
Jo, sigurisht dhe s’keni për të hasur kurrë një emër të tillë!?
Kosovarët e kanë pasur vetëm këtë ëndërr: arsimimin, një shekull nën robërinë e tri Jugosllavive dhe një Serbie armiqësore…
Prandaj, Bajrami edhe sillej në Tiranë si një arsimtar, të cilit i skuqen veshët para drejtorit, që simbolikisht përfaqëson autoritetin (në këtë rast shefin e tij, Hashim Thaçi) ose si para inspektorëve komunalë (që përfaqësojnë pushtetin/shtetin), që në këtë rast ishin ministrja e Arsimit shqiptar dhe shefi i saj Edi Rama.
Bajrami i referohej Shqipërisë si “shtet amë” (në emisionin “Shqip”) ngase ai tërë jetën e tij nuk do ta tejkalojë atë që përthekon emri i tij si nocion: arsimin!
Pse nuk ka shtet amë dhe babë, por ka shtete, republika autonome sovjetike dhe provinca autonome (sipas koncepteve perëndimore).
Porse një kombi modern dhe një shoqërie politike i duhet emancipim qytetar dhe perëndimorizim para së gjithash.
Arsim Bajrami si konstitucionalist me shkollë (njëri ndër shkruesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës) nuk e kupton se cili shtet është amë e cili shtet është njerkë, sepse asnjë shtet nuk ka as amë, as babë e as njerkë, por është produkt i ideve të elitave politike dhe kulturore, që e përbëjnë një lëvizje kombëtare.
Por Bajrami nuk e kupton idenë themeltare, atë të një atdheu të lirë, që është realisht shteti kombëtar, sepse kulmi i organizimit të një shoqërie të lirë është shteti sovran kombëtar.
“Atdhe. Pa asnjë dyshim ekziston domosdoshmëria për të pasur atdhe dhe ndonëse nuk mund ta definoj më qartë se çfarë ndiej si atdhe, prapë pa ngurrim mund të them: kam atdhe, nuk jam pa atdhe, jam i lumtur që kam atdhe, por a mund të them se Zvicra është atdheu im?” – shkruante Max Frisch.
Ky zotëri është mësuar ta ndiejë, ta perceptojë veten dhe të sillet si pjesëtar i një pakice kombëtare (kombësia shqiptare në ish-Jugosllavi) karshi shtetit amë të Kosovës – që është Serbia – nga këndi kushtetues – juridik dhe i së Drejtës Ndërkombëtare (Shih: Marc Weller “Shtetësia e kontestuar”).
Republika e Kosovës nuk ka dalë nga konstitucioni i Republikës së Shqipërisë si shtet i pavarur, por nga ai i Republikës së Serbisë.
Po ashtu, duhet përkujtuar Bajramin se vetëm Serbia e ka institucionin e Amzës (Matica Srpska), sipas dioptrisë së të cilës “Ama” e ka të drejtën ekskluzive të përkujdesjes ndaj “fëmijëve” që vegjetojnë në periferi të një Piemonti imagjinar, dhe sipas kësaj logjike, aty ku është një serb është Serbi.
Por të pyetemi së pari se ku e çoi Serbinë ky koncept nacionalist?.
Në fashizëm konsensual dhe në luftë me tërë botën.
Pse tash përdoret fjala popull e jo komb si në epokën e Berishës?
Dhe si ndodhi që Tirana nga ky takim spektakolar e njohu de facto kombin kosovar?
Sepse politikëbërësit e Tiranës kanë filluar të reflektojnë se me nocionin “jemi një komb” po i lëndojnë ndjenjat patriotike të shumë kosovarëve, kështu që kanë zgjedhur fjalën popull, si një nocion shumë më neutral, por që shkon prapa në kohë, deri në antikitet, pra është një term primitiv për të identifikuar një bashkësi njerëzore.
Koncepti popull për kushtet e një shteti modern kombëtar është koncept primitiv (anglosaksonët e përdorin për: njerëz/disa njerëz), por ja që shumë shqiptarë dhe mashtrues që janë ngjitur në pushtet, në të dyja vendet ku jetojnë shqiptarët etnikë, duke mos ditur ta bëjnë dallimin mes popullit, etnisë dhe kombit, na shfaqen si “shpëtimtarë”…
Koncepti “popull” qëndron neutral sa u përket origjinave etnike, është njëfarë amalgame e barasvlershme me “civilin” modern dhe daton që nga Roma antike.
“Populus Romanus, ose "njerëzit e Romës" janë njerëzit që kolektivisht mund të fitojnë pasuri, të bëjnë kontrata dhe të emërohen trashëgimtarë. Pronë publike e përfshirë në pronën e thesarit. (Shih:.http://www.britannica.com/EBchecked/topic/470503/populus-Romanus)
Duke qenë kështu, shqiptarët mund të konceptohen si një popull (parashtetëror), porse në realitet janë tashmë dy kombe politike dhe këtë fakt po e dinë shumica e atyre ministrave që turpërohen kur e zënë veten n’zgabim, duke folur me konceptet kombëtareske të ideologut otoman me origjinë shqiptare Sami Frashri (koncepti kawm – uma ose ymeti), pra me gjuhën e shekullit 19 në shekullin 21, kur po koturohet projekti më i madh perëndimor, ai evropian…
Patriotizmi është shndërruar në mallin më të lirë të disa oligarkëve dhe disa pjesëtarëve të estradës (tallava, turbofolk e rap) që po e rikthejnë në skenë një nacionalizëm romantik të shekullit 19.
Deklarata e presidentes së Kosovës, Jahjaga, kur tha se ideja e bashkimit kombëtar është ide e shekullit të kaluar, (parimisht është e drejtë, ndonëse si ide evropiane – ideja kombëtariste – është ide e shekullit 19) është e drejtë, ngase ajo është zgjedhur nga një trup zgjedhor kosovar për të drejtuar një komb sovran dhe paguhet po nga taksapaguesit kosovarë për punën që bën; të sigurojë unitetin kombëtar!
Dhe në këtë sens jam krah saj.
Po pse mund të cilësohej ky takim si hipokrizi e dy qeverive?
Takime të ngjashme po organizojnë edhe qeveritë e tjera të kombeve ballkanike, sepse kjo njëherësh është edhe agjendë e BE-së, mirëpo larg trumbetimeve e shfryrjeve nacionaliste.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po i përdorin këto mbledhje të përbashkëta për nevoja të brendshme (duke mos mund t’u japin bukë qytetarëve – po u japin lojëra, mimikëri patriotike, flamuj e turbofolk).
Në anën tjetër, një hit i nxehtë turbofolk, i modelit të Ceces dhe Arkanit, i "ka mbytur" kanalet televizive, andej e këndej kufirit shtetëror, një temë muzikore me sfond ultranacionalist, por me sportin si paravan dhe ku i brohoritet “Shqipërisë etnike” dhe “Shqipërisë së madhe”, (dy kinse-projekte që u shfaqën gjatë kohës së fashizmit, por që dështuan) e ku valëviten flamuj e bëhen be të mëdha, derisa Shqipëria po vuan dhe dridhet nën peshën e goditjeve me tritol.
E ku për vrasjet me porosi të lidershipit politik flitet me lehtësi të padurueshme dhe ku mbretëron pasiguri totale, kurse Kosova (njerëzit e saj) po zhvendoset nëpër Serbi, nga Hungaria e tutje, nëpër botë, duke lypur një copë bukë dhe pak lumturi.
Në anën tjetër, po kësaj Qeverie, e cila po e ngre “fallusin patriotik” në Tiranë – Qeverisë së Kosovës – i është diktuar nga Ivica Daçiqi (ministër i Jashtëm serb) që të mos guxojë të nxjerrë kund një flamur a një shenjë të saj, si dëshmi që është shtet.
Sipas medias kosovare, kushtet e "njeriut të Sllobës" i cili, sipas ish-presidentit serb Boris Tadiq, paskësh dashur ta riniste luftën në Kosovë, Qeveria Mustafa & Thaçi i ka pranuar në heshtje!?
Prandaj, kosovarët nuk mund t’i besojnë një Qeverie të tillë dhe “përrallave të saj me mbret” dhe as retorikave të saj patriotike-demagogjike që thjesht e identifikojnë si Qeveri inferiore karshi Tiranës zyrtare!?
Ashiqare, këtë turbofolk që po e shesin si patriotizëm e kanë vetëm për ta forcuar pushtetin e tyre personal.
Për famë dhe pare, por jo për ndonjë hair!
Koncepti atdhe dhe shtet, me të cilin shumica e kosovarëve nuk po mësohen dot – por që shqiptarët e kanë tejkaluar tashmë këtë leksion – sepse secili shtetas (qoftë edhe me origjinë greke, maqedonase, vllahe ose serbe e boshnjake) i është luajal shtetit kombëtar të shqiptarëve, e jo shtetit ku jeton etnia së cilës i takon për nga origjina, dhe kjo ka shumë rëndësi për kohezionin e një shteti dhe kombi modern, rëndësinë e së cilës nuk e akcepton dot Mister Rama, i cili deklaroi në dehje e sipër nga simbolikat patriotike, që mund t’i shkojnë emisionit “Shqip” të një televizioni privat shqiptar, por jo një kryeministri…
Ai gaboi rëndë kur tha se serbët në Kosovë i kanë kuotat e garantuara në Qeverinë e Kosovës, e n’dashin lë të rrijnë n’dashin lë të shkojnë, por Rama nuk e di se me “shkuarjen” eventuale të tyre, ata pretendojnë të marrin edhe tokën me vete, mbi 15 % të territorit kushtetues kosovar dhe me resurse të pamatshme kombëtare të Kosovës!
Prandaj kryeministri shqiptar duhet të ketë kujdes, sepse sot janë ca inferiorë në Qeverinë e Kosovës, e nesër mund të vijnë disa kosovarë të tjerë, partnerë të vërtetë për emancipimin dhe perëndimorizimin e shteteve përkatëse (Shqipërisë dhe Kosovës), por jo për “tritolizimin” (Shqipëri) ose “zaptimin” (Kosovë) e tyre.
Harrojini uniformitetin dhe mendësinë kolektiviste, kthehuni tek ideja e bashkimit në diversitet – rreth vlerave të përbashkëta evropiane.
Lidershipët e të dyja vendeve nuk do të duhej të talleshin me qytetarët (që i pandehin injorantë!?) për bashkimin e shqiptarëve në BE, sepse në Bruksel eventualisht shqiptarët do të bashkohen edhe me serbët – përreth vlerave të përbashkëta evropiane.
Prandaj kjo parullë e shpifur “alla shqiptarçe” është hipokrite.
Shqiptarët etnikë të Kosovës tashmë janë “njësi e rritur” – komb sovran – si të gjitha kombet e tjera që aspirojnë t’i bashkohen Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Dhe në këtë aspiratë ata synojnë bashkëpunim normal me të gjitha kombet, veçanërisht me Shqipërinë, me të cilën i lidh gjuha e shumicës (shqipja), origjina e pandehur e njëjtë dhe “traditat e shpikura” (Smith.)
Kosovarët, pra, duhet të angazhohen për një Shqipëri demokratike e të mirëqenë, ku sundon ligji dhe ku janë të lumtur të gjithë qytetarët e saj. Ata e duan një Shqipëri shtet normal dhe vërtet moderne, e jo një tokë që dridhet nën këmbët e politikanëve hajdutë dhe mujsharë e egërshanë.
Por ata, para së gjithash, duhet t’i japin besnikëri e lojalitet Republikës, ta rimëkëmbin atdheun e tyre: Kosovën!
*Koha Ditore