S’flasin me njëri-tjetrin, Juli dhe Genti bëhen bashkë: “Mirësevini në pushtetin e Çuçkave”!
Nuk flasin me njëri-tjetrin prej disa vitesh, ama bëhen bashkë kur vjen puna tek mbështetja e një kauze të fuqishme siç është mbrojtja e Teatrit Kombëtar nga shembja, shkruan Vox Albaniae.com.
Gentian Zenelaj dhe Julian Deda kanë shprehur hapur replikat ndaj opinionit të drejtorit aktual të Teatrit të Kukullave, Erion Isai, i cili jo vetëm që mbështet politikën e shembjes, por duket se nuk është kursyer as në fyerje ndaj kolegëve të tij aktorë.
Pikërisht, lidhur me publikimin e opinionit të tij ditën e djeshme, por edhe për t’i numëruar arsyet se, përse nuk duhet shembur Godina e Teatrit Kombëtar, Julian Deda ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook:
Statusi i plotë:
Mirësevini në pushtetin e Çuçkave.
Para se të bëhej drejtor.
Bëri gjithë fushatën në një vend skajor të Shqipërisë. I përulur para partisë mëmë dhe të dërguarës për deputete zone. E bëri me lekët e veta, ose pa marrë asnjë lek. I vetmi shperblim që priste, ishte ta bënin diku drejtor në ndonjë qoshe. Mirëpo ata të partisë nuk po kujtoheshin për të, më saktë e harruan fare. Në këtë moment, ky harabel i lumtur socialist u nervozua dhe në shenjë proteste ndaj të vetëve u rreshtua në krah të aktorëve për të mos prishur teatrin. Madje oborreve i shante këta të partisë, por mesa duket nuk i paska sharë se paskan dashur të prishin teatrin, por sepse nuk e kishin mbajtur fjalën për t’i dhënë post.
Tani që u bë drejtor del e thotë, “le të prishet Teatri”. Madje i quan karagjozë ata që flasin dhe mendojnë lirshëm dhe drejtë. I quan karagjozë kolegët e tij.
Sa po qesh. Po çfarë kolegësh i ke ti ata mor çun? Që t’i kesh kolegë duhet të jesh si fillim aktor, pastaj hajde se flasim për kolegë. Nejse, me ç’po shoh karrigia e drejtorit duhet të ketë ndonjë gjë si të ngritur aty te ulësja, se s’ka mundësi të ndryshojë njeriu kështu. Hajt, se je i vogël, kur të rritesh do zësh mend, do i shohësh filmat dhe më në fund do i kuptosh”!
Kujtojmë që Erion Isai, pasi mbështeti fuqishëm fushatën e Partisë Socialiste përkrah Elisa Spiropalit, prej pothuajse një muaji është titulluar drejtor i Teatrit te Kukullave – Tiranë.
/Burimi: Vox Albaniae.com/