Shalli i tragjikes
Kalon në revistë me shallin e lidhur gonxhe Taulant Balla, Pandi Majko, Luan Rama dhe i fundmit Ben Blushi. Po ky? Deputet i Elbasanit, ish-student i Dhjetorit, i betuar kundër Babës, gazetar i Frrok Çupit tek “Rilindja Demokratike”.
Shalli i kuq është simbol i komunistëve, i cili u përdor nga do luftëtarë të rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore ndoshta pa ia ditur kuptimin.
Blushi me siguri duhet t’ia dijë. Ai është shkrimtar dhe së fundmi ka fituar një çmim europian.
Në letërsinë e tij mundohet të risjellë kohët e Voskopojës, dyerve të mëdha, të flasë për dasitë fetare, tragjeditë.
Ai duhet ta dijë se e kuqja si flamur apo shall na vjen nga “Komuna e Parisit” dhe bashkë me grushtin e ngjitur lart, drapër dhe çekanin u kthyen në simbolin e propagandës së diktaturave.
Kur ka qenë fëmijë me siguri nxitonte sa mbaronte mësimin ta hiqte shallin dhe ta rraste në çantën plastike, ku mbante me gjasë edhe kallamarin.
Kur ka arrit në klasën e shtatë a të tetë do të jetë ndjerë “garip”, kur ka bërë sikur e ka harruar shallin në shtëpi ose është justifikuar se ia kishte larë mami. I vetëm pa shall mes deleve të ngjyera me bojë. Çfarë gallate!
Sot, del tek lapidari para fotos së Dullës me shallin që po i merrte frymën, dëgjon një fjalim gagaç të Lalës dhe lyp votat e prostatës. Po atëherë pse i hakërrehen atij burrit që i akuzon si bij të etërve?
Me thënë të drejtën nuk do më bënte përshtypje Pandi, Luani, se aq kanë. Kur Blushi dëgjonte hit parade në radio italiane, këta i çonte peshë Dekada e Majit. Por, rasti i Benit është alarm i madh, ndoshta konvertimi i parë ditës për diell i qytetit në katundare.
Tash, dy rreshta për ata që do më thonë ballist, kolaboracionist, fashisht, nazist, tradhëtar, i deklasuar.
Unë besoj se të rënët duhen nderuar me respektin më të madh. Nuk ka patur gjë më të bukur në këtë muaj respekti që kanë rrëfyer britanikët për të rënët e tyre në Luftën e Madhe dhe ata të Luftës së Dytë.
Simboli i tyre ishte një lule, heshtja, trompa e borizanit të Gardës Mbretërore. Simboli ynë është shalli i diktaturës që vrau e shkatërroi më shumë se Lufta dhe fotot e mëdha të shokut Enver që i mbajnë mbi kokë ca që për të mbajtur trutë në krye kanë nevojë për kasketa.
Ne duhet të nderojmë të rënët, partizanët, legalistët, ballistët. Duhet të gjejmë mundësinë që ringjallim bashkimin dhe pajtimin e Pezës e Mukjes që u tradhëtua nga komunistët. Duhet të lëmë mënjanë rrenat dhe të themi sa dëshmorë kemi me të vërtetë.
Kjo puna e 28 mijë të vrarëve është pa lidhje. Duhet të nderojmë të rënët e diktaturës, sepse edhe luftëtarët e rezistencës që humbën jetën, nuk lanë kockat për komunizmin, por për çlirimin e tokës së tyre.
Duhet të heqim emrat e killerave me pagesë nga rrugët, librat e shkollës dhe kur të shkruajmë historinë, mos të kemi drojë të themi se luftuam ndaj pushtuesit të tërë, shpëtuam hebrenjtë, bëmë luftë civile me shall të kuq në qafë dhe pushteti i marrë me dhunë pas lufte vrau tre mijë kosovarët e Tivarit. Të rënë janë dhe këta.
Po t’i kemi parasysh këto pak gjëra ku i dihet shalli, drapëri, çekani i hyn në xhep veç Markos se Benit i rri shëmtut, s’ka as qafë për atë punë.