Shansi për “JO-në” e parë!
Lulzim Basha është prej më shumë se një jave nën presionin e Familjes Berisha, për të qenë ai kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Për ta zyrtarizuar këtë qëndrim, Berisha e artikuloi vendimin e Familjes përmes dhëndërrit biologjik, që tashmë e ka angazhuar dhe politikisht në PD, i cili pa asnjë hezitim tha se Lulzim Basha do të jetë kandidati për kryetar Bashkie.
Lajmi do të ishte normal sikur shkuarja e Bashës në krye të Bashkisë dhe më pas në krye të partisë, të mos kishte një histori atipike që nuk lidhet me aftësitë e tij, por me vendimet e Berishës. Ai u bë kryetar Bashkie pas një procesi, për të cilin ka dëshmi ligjore dhe politike që ishte jo vetëm i manipuluar, por që në fund u detyruan të ndryshojnë dhe rezultatin e ngushtë të fitores së Ramës në mandate për Bashën, duke diskretituar gjithë procesin dhe zgjedhjen e tij. Pra, Berisha më shumë ishte i interesuar të ishte ai heroi i zgjedhjes së Bashës me dhunë në krye të Bashkisë, se sa ishte vet Basha i interesuar të merrte atë mandat në atë mënyrë aq poshtëruese.
E njëjta situatë u përsërit edhe në zgjedhjet formale brenda PD-së. Rivali serioz i Bashës, Sokol Olldashi filloi një fushatë personale të ashpër brenda partisë dhe javën e fundit të zgjedhjeve, Basha u detyrua të shkojë në zyrën e Berishës dhe t’i kërkojë të largohej nga gara, pasi Olldashi po e rrezikonte me dhunë në gjithë degët.
Kjo mjaftoi, që Berisha t’i thoshte “Boll” djalit qaraman dhe ta urdhëronte të vazhdonte garën dhe të hynte vet në fushatë, duke marrë çdo kryetar dege në telefon dhe duke kërcënuar hapur mbështetësit e Olldashit. Si për ta bërë fare vulgare prishjen e lojës dhe fletët e votimit u bënë me numër rendor, për tu lexuar sot e 100 vjet se kush ka votuar, për kë.
Basha e pranoi edhe këtë emërim të përlyer pa garë dhe pa dinjitet në krye të partisë.
Tani është hera e tretë që Berisha po e dikton publikisht se çfarë duhet të bëjë. Po i kërkon të bëhet sërish kandidat për Kryetar Bashkie, ndërkohë që ai është në pozitën që ishte Edi Rama më 2011-ën, pra duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër edhe kandidat për Kryetar Bashkie.
Ata që i thonë mos rikandido brenda Partisë Demokratike dhe afër Bashës, i mbështetin argumentat tek fakti që rikandidmi rrëzon fushatën elektorale të Bashës më 2011-ën, sidomos idenë që Kryetar i Bashkisë nuk ka kohë të merret me qytetin etj…
Në fakt, Basha nuk fitoi nga fushata, por nga manipulimi dhe aleanca e gjerë PD-LSI në kryeqytet. Nëse i duhet të kandidojë për të fituar, i duhen sërish këta dy faktorë, të cilët nuk i ka. Nuk ka më as KQZ-në dhe as LSI-në në krah të tij dhe rikandidmi është një humbje e sigurtë për të.
Për të qenë korrekt me traditën politike, Lulzim Basha duhet të rikandidojë. Çdo Kryetar Bashkie duhet të largohet nga detyra prej votave dhe jo prej skemave taktike të politikës. Në këtë pikë Familja është korrekte, sikur ta kishte çështjen parimore. Në të vërtetë ata nuk e kanë tek parimi, se sa e kanë tek fakti që Basha duhet të përballet me humbjen, që i jep fund një mini-pavarësie financiare që ka krijuar me pazaret e lejeve në Tiranë dhe të jetë thjeshtë një i bindur i tyre.
Në këtë pike, ata që këshillojnë moskandidimin janë miqtë e vërtetë të Bashës, që e dinë se çfarë e gjen. Por e vërteta është se nuk është më në lojë mandati i Bashës për Kryetar Bashkie, por fuqia e tij për t’i thënë “Po” ose “Jo” Berishës. Në këtë pikë duhet parë dhe vendimi për rikandidimin ose jo të tij.
Moskandidimi nuk vlen për të shpëtuar Bashën nga humbja, por vetëm si një shenjë që ai mund t’i thotë “Jo” Berishës dhe urdhërit të tij për të rikandiuar. Është Shansi për “Jo-në” e parë të tij kundër Berishës, e cila mund të maskojë dhe “Jo-në” e qytetarëve kundër tij. E ndershme do të ishte të kandidonte, por lajm nuk përbën mandati i tij, por fuqia për t’i thënë “Jo” Berishës. Ajo do ta linte Bashën pa zyrë në Bashki, por do t’i jepte më shumë fuqi zyrës së tij në SHQUP.