SHBA e shqetësuar, zgjedhjet drejt bojkotit masiv…demokracia në rrezik?

Nga Aranit Muraçi

Nëse në zgjedhjet e javës së ardhshme, që rrezikojnë të bojkotohen masivisht, do të marrin pjesë në votime, supozojmë 20 për qind e popullsisë, ose më pak, a mund të konsiderohen kandidatët që do të fitojnë, se janë të zgjedhur nga populli dhe që gëzojnë shumicën për t’i qeverisur ata?!

 Ambasada amerikane u ka bërë sërish sot apel shqiptarëve që të votojnë më 21 qershor. Përmes një mesazhi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Ambasada shprehet se “nuk ke fuqi, nëse nuk voton”. – “Ti mund të protestosh. Mund të mbështesësh partinë tënde. Mund të jesh dakord ose jo me një vendim të liderëve apo partisë tënde. Por nëse nuk voton, nuk ke fuqi. Bëhu i rëndësishëm. Voto!”, – thuhet në mesazhin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Por përse ngrihet ky shqetësim dhe kjo thirrje, kur zgjedhjet e 21 qershorit po afrojnë? Duket se publiku është tmerrësisht i zhgënjyer, si asnjëherë tjetër në këto 24 vjet nga politika. Bojkoti masiv mund të jetë kërcënues për demokracinë në Shqipëri dhe se për këtë arsye shihet si shqetësim nga ndërkombëtarët. Publiku i gjerë mund të konstatohet lehtë, se e ka humbur tërësisht besimin tek forcat politike dhe ka të dhëna se zgjedhjet do të bojkotohen masivisht prej tyre. Fushata elektorale e këtyre zgjedhjeve po tregon se partitë kryesore janë bojkotuar nga popullsia e gjerë, si kurrë ndonjëherë më parë që pas rënies së komunizmit. Nëse i referohemi militantëve, anëtarëve të partive  apo edhe të punësuarve në administratë, që janë përzgjedhur në mënyrë abuzive nga dy kampet politike, edhe ata, siç konstatohet nuk kanë dalë të gjithë me familjarët në fushatë. Sepse numri i pjesëmarrësve nëpër sheshet elektorale duhet të ishte më i lartë. 

Por ç’po ndodh në të vërtetë dhe përse zgjedhjet në Shqipëri kërcënohen nga bojkoti masiv? Kandidati për kryetar bashkie, i një zone elektorale banorët e të cilit votonin historikisht prej 24 vjetësh për PS-në, mësohet se nuk është pritur mirë këtë herë, kur shkoi për të kërkuar sërish votat. Në atë zonë, pas ardhjes në pushtet të së majtës, PS-ja kishte mundur të punësonte vetëm një përfaqësues që ishte dalluar në fushatë dhe nga ana e tij në dy vitet e fundit kishte menduar veçse për familjen e tij dhe ndonjë të afërm të ngushtë. Ata që ishin punësuar padrejtësisht gjatë qeverisjes së kaluar u kthyen si me “shkop magjik”, në të majtë. Por pikërisht kjo dukuri, që ndodh thuajse në çdo zonë tjetër, duket se solli zhgënjimin e gjerë të elektoratit besnik, si atij të majtë, ashtu edhe atij të djathtë, që me një llogari të thjeshtë po arrin e kupton se përveç se kishte votuar, nuk kishte përfituar në 24 vjet asgjë nga politika.     

Anë tjetër e medaljes është përzgjedhja “brutale” e kandidatëve dhe e këshilltarëve nga të gjithë forcat politike, duke injoruar votuesit e shumtë. Askush nuk është pyetur në bazë, qoftë edhe për këshilltarët e përzgjedhur që duhen votuar. Një politikan i nivelit të lartë mësohet të ketë thënë kohë më parë, se edhe sikur “xhaketën time të lë në një zonë elektorale që voton për forcën time politike, me siguri unë fitoj.” Por nëse brezi i rritur me kulturën e së shkuarës diktatoriale që i duhet të duartrokiste fort dhe të brohoriste sa herë ishte nevoja, “Parti Enver, jemi gati kurdoherë!”, e hëngri “sapunin për djathtë” në këto 24 vjet, brezi ri është rritur me një kulturë tjetër, është më i informuar, më i hapur me botën e zhvilluar dhe prandaj vështirë se mund të mashtrohet dhe manipulohet më tej nga politika.

Qeverisja e kaluar u ndëshkua në zgjedhjet e 23 qershorit dhe fushata aktuale po tregon se akoma nuk e ka marrë veten dhe nuk e ka fituar dot më besimin e gjerë të elektoratit, qoftë edhe atë që pati dikur.

“Rilindja” e kryeministrit Edi Rama, edhe pse në opozitë, fitoi mbështetje të madhe popullore në fushatë gjatë zgjedhjeve të  kaluara dhe u kuptua qartë se ajo do t’i fitonte zgjedhjet, ende pa u zhvilluar ato. Por nëse kryeministri aktual ia doli atëherë të fitonte popullaritet në masat e zhgënjyera nga paraardhësi i tij, sidomos tek të rinjtë që duan të shohin një Shqipëri tjetër, kjo pasi Edi Rama foli për tetë vjet me radhë pa pushim për meritokracinë, të drejtën, talentin, dhe për “vlerat e rrënuara” nga demokracia (sistemi gjyqësor e shpjegon më mirë), ai nuk ia doli në këto dy vjet të kënaqte as pjesën më të vogël të tyre. Llogaritë janë të thjeshta: vota e kryeministrit, e ministrit, e deputetit, apo e të zgjedhurit në zonë, është e barabartë me atë të çdo qytetari tjetër. Pushteti i të parëve sigurohet nga këta të fundit.  Por abuzimi me pushtetin, ka vijuar rrugën e nisur nga çdo forcë politike deri tani dhe nuk po ndalet. Të njëjtët zyrtarë, të denoncuar madje për korrupsion, anëtarë të një familje apo të një fisi, vazhdojnë të sundojnë administratën publike.  Me qindra të rinj, të talentuar dhe të arsimuar nga ana tjetër me mundime, pjesë e familjeve që nuk janë bërë asnjëherë pjesë e administratës, vazhdojnë të largohen jashtë vendit, për të kërkuar një vend pune, qoftë për të mbijetuar, qoftë për një të ardhme më të mirë.              

Zhgënjimi masiv është real, bojkoti masiv i zgjedhjeve po aq, më 21 qershor. Fituesit nuk kanë asnjë rëndësi.  Rroftë Demokracia!    

SHKARKO APP