SHBA-ja ka braktisur idenë për ndryshimin e kufijve
Është shumë e vështirë të dihet se cili do të jetë drejtimi që do të marrë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Janë disa sinjale të mira, megjithatë ka edhe trende të cilat janë shqetësuese.
Si një shenjë e mirë është ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, që zvogëlon ndikimin e Rusisë dhe hap rrugët për Republikën Veriore të Maqedonisë që të lëvizë përpara drejt integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, ndërkohë në Bosnje votuesit kanë votuar për tre herë radhazi një kroat demokrat, më shumë se nacionalist të fuqishëm për presidencën e tyre treanëtarëshe.
Dhe Serbia po bën hapa të mëdhenj drejt bashkëpunimit ushtarak me NATO-n. Në të njëjtën kohë, ka disa kauza të cilat lënë vend për shqetësim: kapitalizmi, rikthimi i etno-nacionalistëve, dhe përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Bosnjën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe për të manipuluar me Serbinë politikisht dhe ekonomikisht.
Një ndër shenjat më të fundit të rrezikut është propozimi rrënjësisht i gabuar për ndryshim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një hap që do t’i prijë marrëveshjes finale për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve dhe për lehtësimin e tensioneve ndëretnike të vazhdueshme.
Kjo ide është e sigurt se do të jetë në agjendë edhe gjatë vizitës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sado që shihet si një ide që do të mund të normalizonte raportet Prishtinë-Beograd, pasojat e paqëllimshme të një shkëmbimi të territoreve janë të tmerrshme për rajonin, rrethin dhe sigurinë trans-atlantike. Pas gati dy dekadave të një retorike të ashpër mes Kosovës dhe Serbisë, shenjat e përparimit drejt normalizimit të raporteve kanë stagnuar në vitet e fundit, edhe përkundër ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.
Duke parë gjithë këto zhvillime, presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në shtator të vitit 2018 e risollën në tavolinë idenë për korrigjim të kufijve gjatë Forumit të Alpbachut në Austri.
Duke marrë pjesë në këtë Forum, ku po diskutohej për perspektivat dhe zgjerimin e BE-së, deklarimet e dy presidentëve i hapen derën perspektives për ndryshimet e kufijve pa ndonjë plan të detajuar. Që atëherë, specifikat e një ideje të tillë kanë mbetur të paqarta, përveç asaj që thuhet se katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës do t’i jepen Serbisë në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës.
Vuçiq madje fare nuk e ka sqaruar nëse propozimi i idesë për korrigjim të kufijve do të rezultojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, ose thjeshte nuk ka treguar nëse do të implementohet një ide e tillë Serbia nuk do të luftojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara apo INTERPOL.
Ndërkohë ende nuk ka një pozicionim të qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e bënë një ide të tillë të papërfillshme, dhe ka disa indikacione të vogla se një ide e tillë është braktisur.
Por këshilltari i Donald Trump për siguri kombëtare, John Bolton, fillimisht kishte deklaruar se SHBA_të nuk do të kundërshtojnë një ndryshim të kufirit nëse një gjë e tillë do të zgjidhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por më pas zyrtarët tjerë të administratës së Trumpit duke se u zmbrapsen.
Megjithatë në janar, prestigjiozja amerikane “Washington Post” raportoi se Thaçi dhe Vuçiq kishin zhvilluar disa negociata për marrëveshje në ‘Kopshtin e Trëndafilave’ në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë administrata e Trump nuk kishte informacione rreth diskutimeve të mundshme për shkëmbime të territoreve.
Ndërkohë në Evropë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, po e shtynë përpara një marrëveshje të bazuar në idenë e korrigjimit të kufijve, megjithatë disa nga shtetet kryesore të Evropës po e kundërshtojnë.
Gjermania, Britania e Madhe, Austria e Luksemburgu, të gjitha kanë dalë hapur në kundërshtimin e tyre për një ide të tillë, duke dale në mbrojtje të një zgjidhje që do të ruaj multietnicitetin.
E përkrahësit e kësaj ideje Thaçi-Vuçiq për pazar me kufijtë, thonë që ky është një rast unik, që nuk do të krijojë asnjë precedent si pasojë e ndryshimeve që do të ndodhin nga lëvizja e kufijve. Ky qëndrim i tyre është jo real dhe i çoroditur.
Për disa të tjerë, precedenti që do të dilte nga këmbimi i mundshëm i territoreve me baza etnike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të nxiste lëvizje nacionaliste në të gjithë rajonin.
Ultranacionalisti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe shoku i tij kroat, Dragan Çoviç, janë të pa epur në misionin e tyre për ta zhbërë Bosnjën. E Qeveria e Malit të Zi që u zgjedhe në mënyrë demokratike për pak sa nuk u shkatërrua nga një grushte shtet që u mbështet nga Rusia në vitin 2016
Në Kosovë e Maqedoni nacionalistët etnik shqiptarë ende e valëvitin flamurin kuqezi në vend të simboleve shtetërore të Kosovës apo Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë duke parë gjithë këtë tundimi i Rusisë për të ndërhyrë sa shkon e rritet me qëllimin për të destabilizuar rajonin, me praktika të cilat i ka provuar në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Moska mund të përdor me lehtësi taktikat e saj të provuara duke qëndruar prapa këtyre forcave ekstreme nacionaliste, me para dhe armë, në mënyrë që t’i inkurajojë për të nxitur trazira politike dhe sociale
E në Kosovë proklamohet një mbështetje e rreme për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Prapa dyerve të mbyllura ku është diskutuar kjo ide, janë lënë disa prej akterëve më të rëndësishëm, p.sh. Kuvendi i Kosovës, ku shumica dërmuese janë kundër, si dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Për më tepër këtë çështje e bën edhe më të komplikuar aktakuza e mundshme e Gjykatës Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin e cila është themeluar për të hetuar krimet e pretenduara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Edhe Beogradi qëndron shumë i paqartë karshi një ideje të tillë. Një shumicë e përkrah Vuçiqin, ndërsa në disa sondazhe të kryera vërehet se ka mospajtime të mëdha sa i përket statusit të Kosovës dhe për idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Një sondazh tjetër tregon se problemi i Kosovës nuk është një shqetësim kryesor për qytetarët serb.
E një demarkim i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thuhet se nuk do të mund të zvogëlojë nacionalizmin në ty anët. Për një pajtim të drejtë dhe të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një alternativë premtuese për ndryshimet kufitare është paraqitur në marrëveshjen e Brukselit. Për shembull, Asociacioni i propozuar i komunave serbe do t’i mundësonte komunitetit shumicë serbe një autonomi të konsiderueshme ku do të mund të mbikëqyrini, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë dhe sektorët e tjerë. Megjithatë Kuvendi i Kosovës i ka rezistuar kësaj ideje, me frikën se do të prodhonte një lloj mosfunksionimi të shtetit më të cilën po përballet Bosnja.
Sidoqoftë komuniteti serb në Kosovë do të ketë nevojë për kompetenca substanciale, në rast të arritjes së normalizimit me Serbinë, dhe arritjes së marrëveshje finale që si rezultat do të kishte njohjen e Kosovës nga Serbia. Problemi tjetër për serbët është mungesa e një lideri udhëheqës që do të përfaqësojë ata serbë të cilët kundërshtojnë idenë për shkëmbimit të territoreve, që rrjedh nga vrasja e politikani serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili gjatë gjithë kohës kishte avokuar për arritjen e një pajtimi me shqiptarët e Kosovës.
Angazhimi i fuqishëm dhe i durueshëm politik e diplomatik i BE-së dhe SHBA-së është rruga më e mirë përpara.
Shpërblimi i politikanëve të dobët në Prishtinë dhe Beograd, me presionin për arritjen e një marrëveshje të gabuar dhe të rrezikshme për ndryshim të kufijve, nuk është në interesin afatgjatë të shqiptarëve të Kosovës, serbëve, e as Perëndimit demokratik. Një gjë e tillë duhet të hiqet nga tavolina përfundimisht, për të mirë. /GazetaExpress/
Richard Kraemer- Anëtar i Institutit për Kërkime të Politikës së Jashtme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.