Shefi në radhë

 

Nga Enkel Demi

Teksa pret në paradhomë, shumë mendime duhet t’i kenë kaluar në kokë. Pa dyshim, edukata ka mundur padurimin e takimit. Emigrantët e Kanadasë, meqë janë dhe aktivë nëfacebook, kanë prioritet. Ata kanë sakrifikuar për t’u larguar nga atdheu. Kanë kapërcyer dete e male; kush me skaf, kush me kamion, me viza kallpe apo identitet të rremë, kanë arritur të ndërtojnë një jetë në Toronto a gjetkë.

Dhe tani që kanë ngritur kulmin atje larg, mbrojnë në facebook vlerat e partisë dhe të kryetarit, duke sulmuar të gjallë e të vdekur, ndaj ia vlen të presësh.

Nuk ka pse të merret për fyerje që prej axhendës së ngjeshur të pritet në paradhomë. Ka ajër të kondicionuar, është fresk, ndërsa jashtë është nxehtë.

Në dosjen që mban në pëqi janë të shënuara ku është arritur fitorja dhe cila do të jetë analiza.

Fill pas këtij takimi do të rinisë edhe ringritja e fuqishme, por pa koka turku, sepse kujt iu pre koka një herë, pak gjasa ka t’ia presësh për të dytën herë.

Meqë jemi te turqit, a nuk prisnin ata në këmbë të kështjellave sa mbarohej uji dhe buka? Keq u doli atyre? Kështu do të na dalë edhe ne. Qeveria rrethohet me pritje, dhe ajo dikur rrëzohet. Gjoli, kur pret, bëhet kënetë.

Në dhomën e takimit hyjnë kafetë dhe uji i ftohtë.

Pra, duhet me prit edhe pak, sepse biseda duhet të jetë e rëndësishme për antikomunizmin, për diasporën e re dhe të vjetër kanadeze, por edhe për represionin e pushtetit.

Pritja është virtyt, është shenjë e durimit. Kinezët kanë një shprehje të famshme: “Qëndroj buzë lumit dhe pres kufomën e armikut tim të kalojë.” Kështu duhet të mësohen të gjithë të presin, sepse është e sigurt se të vjen radha.

Pas dy, gjashtë apo dhjetë vitesh dikur radha do të vijë, ngaqë këta do gabojnë. Madje këta po gabojnë dhe keqas. Ne thjesht duhet të presim derisa njerëzit ta kuptojnë që ka ardhur ora e kthimit të pllakës. Ajo do të jetë koha e duhur, kur do çelet dera e odës së qeverisë dhe pritësit do të hyjnë triumfues.

Duhet pritur të ndryshojë humori i shefit, ndoshta është i idhnuar. Ka gjasa që jo, sepse është e vështirë ta kuptosh, por, derisa axhenda është e ngarkuar, nuk duhet bërë zë.

Në këtë mënyrë mund të kuptohet fort bukur edhe çfarë kanë ndjerë apo menduar ata që prisnin me orë, ditë e javë tek dera e ministrisë apo bashkisë; ja si bëhet njeriu i njëgjëjtë me hallexhinjtë duke u trashur në paradhomë.

Pikërisht duke lëshuar rrënjë në ndenjëse kalitet durimi, përcillet ndjenja e shtrirë e pritjes tek mbështetësit, tek zërat kundër.

Zyrën e lë heroi i Kanadasë, i cili pasi ka gjetur muzën do shkojë të llapë për të gjallë e të vdekur. Hyn pritësi. Del pritësi. Zbret poshtë tek makina, e cila pret buzë këmbësores. Shoferi pret siç ai priti pak më parë. Artikulli shkoi në redaksi, dhe ai ftillohet:

“Po a nuk jam unë shefi?”

Tesheshi.com

SHKARKO APP