SHËNIM – Gjeopolitika e Ukrainës
Nga një këndvështrim më i gjerë, Ukraina është një terren i përplasjeve të gjeopolitikave mes Rusisë dhe Perëndimit.
– SITUATA GJEOGRAFIKE: Ukraina është një prej vendeve më të mëdha në kontinentin evropian pas Rusisë me një sipërfaqe prej 603 700 kilometrash katrore. Kjo sipërfaqe përfshin gadishullin e Krimesë, aneksimi i së cilës nga Rusia nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
– KRYEQYTETI: Kiev.
– POPULLSIA: 45,6 milionë banorë në vitin 2012 (Banka Botërore).
– GJUHA: Ukrainishtja (zyrtare). Rusishtja mbetet gjuhë e folur rrjedhshëm veçanërisht në lindje dhe jug të vendit.
– BESIMI: Ortodoksët zënë pjesën më të madhe të popullsisë, por katolikët janë të pranishëm në perëndim, pranë Polonisë.
– HISTORI: Djep i ortodoksisë ruse në shekullin X, Ukraina kaloi nën kontrollin e Perandorisë Ruse në fund të shekullit XVII dhe më pas bëhet republikë e federuar në Bashkimin Sovjetik në 1922-in.
Republika u bë skenë, në vitet 30, e privimit nga ushqimi të urdhëruar nga Stalini dhe masakrave gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 26 prill 1986, reaktori numër katër në centralin bërthamor të Çernobilit shpërtheu duke kontaminuar një pjesë të mirë të Evropës dhe veçanërisht rajonet në Ukrainë, Bjellorusi dhe në Rusi. Centrali u mbyll në fund të vitit 2000.
Ukraina shpalli pavarësinë më 24 gusht 1991.
– POLITIKA: Në vitin 2004, fitorja e njoftuar në zgjedhjet presidenciale të kandidatit prorus Viktor Janukoviç nxiti një lëvizje proteste (Revolucioni Portokalli) që i dha pushtetin properëndimorit, Viktor Jushçenko.
Por, popullariteti i Jushçenkos ra pak nga pak, pasi reformat e premtuara nuk u mbajtën. Në kuadër të krizës politike, kryeministrja Julia Timoshenko, ish-aleatja e tij, kthehet në armiken e tij të betuar.
Në vitin 2010, Janukoviç fiton zgjedhjet presidenciale përballë Timoshenkos, dënuar në vitin 2011 për abuzime me pushtetin dhe burgosur në përfundim të një procesi politik sipas BE-së, që kërkoi lirimin e saj.
Në nëntor 2013 kthesa e papritur e presidentit Viktor Janukoviç duke hequr dorë nga një afrim me BE-në për t’u kthyer drejt Moskës shkaktoi një lëvizje kontestuese në sheshin “Maidan”. Në fund të shkurtit, pas një represioni që bëri më shumë se 100 të vdekur, Janukoviçi u arratis në Rusi. Gjatë trazirave forcat ruse pushtuan Krimenë para organizimit të një referendumi për bashkimin e gadishullit me Rusinë.
Në mes të prillit, Kievi fillon një operacion antiterrorist për të bllokuar rebelimin prorus në rajonet e donetskut dhe Luganskut. Një armëpushim i arritur më 5 shtator shkelet vazhdimisht. Separatistët do të organizojnë më 2 nëntor zgjedhje e tyre në territoret që kanë nën kontroll.
– EKONOMIA: Vendi, që u përball me një vit 2013 katastrofik përsa i përket planit ekonomik dhe financiar, është konsideruar si pranë falimentimit.
Gazi është një çështje e ndjeshme me Rusinë, që mbulon rreth 60 për qind të konsumit ukrainas. Në vitin 2009, evropianët u përballën me një ndërprerje dy javore të livrimeve të gazit rus për shkak të konfliktit të gazit mes Kievit dhe Moskës.
PBB: 176 miliardë dollarë në vitin 2012 (BB).
TË ARDHURA PËR BANOR: 3 500 dollarë në 2012 (BB).
PAPUNËSIA: 7,5 për qind në 2012, parashikohet tetë për qind në 2013-2014 (FMN).
MONEDHA: Hryvnia.
MBROJTJA: 129 950 trupa. Paraushtarakë: 84 900, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike. (IISS, 2014).