Shënim/ Prapaskena e Tahirit me policin që doli në pension

Sot pa përjashtim shumica e mediave vendase pasqyruan me të madhe një shfaqe mediatike të ministrit të Brendëshëm i cili i organizoi ceremoninë e lamtumirës njëpolici rrugor që pas katër dekadash punë po dilte në pension. “Polici Xhemil Haluli shërbeu për 45 vite si punonjës i Policisë Rrugore. Ditën që doli në pension, për të u organizua një ceremoni surprizë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nën kujdesin e ministrit Tahiri” thuhej në njoftimin e ministrisë së brendëshme e cila u mor me gjithë shpërndarjen e lajmit fotove dhe videove.

 Pas njoftimit të ministrisë gjërësisht u shpërnda edhe një status i vetë ministrit. Ja çfarë shkruan Saimir Tahiri:

“45 vjet ne Polici, 22 vjet me te njejtin motorr. Cfare emocioni surpriza qe i rezervuam Xhemilit diten e fundit te punes se tij.

Emocion i pamase edhe per mua. Per te gjithe ne”.

Dhe deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Nderimi i një punonjësi të virtytshëm të shtetit është një praktikë që duhet promovuar. Por në fakt po të shkosh pak më tejë, kupton lehtësisht mesazhin e vërtetë të këtij lajmi.

Po të shikoje kronikat dhe të lexoje artikujt dalloje lehtësisht se qëllimi i tyre nuk qe nderimi i një punonjësi të thjeshtë të shtetit, por promovimi, i një ministri zemërgjërë. Nuk qe devotshmëria e një polici, por thjeshtësia e një ministri. Në fokus nuk qe Xhemili, por qe Saimiri.

Dhe lajmi i shpërndarë nga stafi i Tahirit u përcoll me të njëjtën frymë edhe në TV e Portale. Aty nuk thuhej asnjëgjë për punën e këtij polici, për karierën e tij. As edhe një Cë e thjeshtë. Aty theksi qe vënë të ministri që i paskësh shkuar mendja ti bënte surprizë një polici të thjeshtë.

Pikërisht ky rast është një nga mijra simbolet se si mediat tona janë vënë në shërbim të kastës. Ato as nuk raportojnë më për jetën e njerzve të zakonshëm, për problemet e tyre, apo për punën e tyre. Ato përditë e më shumë po luajnë rolin e servisit të të pushtetshmëve.

Prandaj dhe në lajmin e sotëm ngjarje nuk qe nje polic që kish kaluar jetën mbi motor, por një ministër që u përpoq ta surprizonte atë. (Lapsi.al)

SHKARKO APP