Shërbimet me interes publik duhen përmirësuar
Nga Sadedin Çeliku
Sot qytetarët në mbarë globin po i japin prioritet sektorit shërbimeve dhe jetojnë me to. Industria e shërbimit përbën sektorin ekonomik me rritje më të shpejtë në të gjithë botën. Fushat ku shtrihet shërbimi janë të përfshijnë financën, bankat, sigurimin, transportin, sigurimin e kujdesin shëndetësor, ushqimin etj. Kurse tek ne këto shërbime gjejnë shtrirje kudo dhe në çdo gjë. Kjo për shkak të prapambetjes dhe kulturës që ka sektori i shërbimeve por dhe të korrupsionit të kthyer në sistem gjithashtu. Sipas Leonard Berrit: “një e mirë është një objekt, kurse një shërbim është një veprim, një përpjekje”. Dekadat e fundit kanë treguar një rritje të paparashikueshme të industrisë së shërbimit që tashmë është kthyer në fuqi ekonomike.
Në dy dekadat e fundit kemi një lulëzim të ekonomisë së shërbimit. Kjo periudhë nënkupton të ardhura më të larta, rritje të kohës së lirë si dhe ngritje të standardit të jetesës. Tendencat e punësimit në këtë sektor janë gjithmonë në rritje. Kjo tendencë vërehet edhe në vendin tonë, ku shërbimet po bëhen pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik. Ekonomistët, kohë më parë, i kanë kushtuar pak vëmendje shërbimeve, duke i konsideruar ato si joproduktive, që nuk i shtojnë asnjë vlerë ekonomisë. Nocioni shërbime është i vështirë për tu përcaktuar, sepse shërbimet hidhen në treg lidhur ngushtë me të mirat materiale. Ato nuk mund të mendohen pa të mirat fizike. Një shërbim është një aktivitet apo përfitim që një palë mund ti ofrojë palës tjetër dhe që kryesisht është i paprekshëm dhe nuk rezulton në pronësinë e asgjëje. Disa mendojnë se shërbimet janë aktivitete të identifikueshme dhe të paprekshme, qe janë objekti kryesor i një transaksioni dhe që synojnë plotësimin dhe kënaqjen e nevojave të konsumatorëve.
Kështu, shërbimet janë të paprekshëm, siç është transporti përshembull që marrim një makinë me qira, nuk e blejmë atë, por marrim shërbimin e saj. Kur shitet një shërbim në fakt shitet diçka që nuk ekziston. Kur blejmë një shërbim, konsumatorët blejnë një produkt që nuk mund ta prekim. Kur vizitohesh tek mjeku, merr shërbimin e avokatit, blejmë një produkt që nuk e prekim. Në evolucionin e literaturës së marketingut të shërbimeve, ka patur diskutime mbi nivelin me të cilin shërbimet duhet të konsiderohen si një disiplinë e dallueshme e tërësisë së studimit në marketing.
Një shërbim përmban shumë elementë të rëndësishëm të cilat kanë pika të përbashkëta. Përgjithësisht pranohet që ekonomia e shërbimeve përfshijnë “pjesët e buta” të ekonomisë që përbëhen nga nëntë supersektorë të industrisë si shërbimet e edukimit, shëndetësinë, shërbimet sociale, aktivitetet bankare e financiare, hoteleri, biznes, transport etj. Tradicionalisht, ekonomitë në botë tentojnë të zhvendosen nga një ekonomi agrikulture në atë industrial e pastaj në ekonomi shërbimesh. Veprimet e agjencive qeveritare në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar vazhdojnë të formojnë strukturën e ekonomisë së shërbimeve dhe të kushteve në të cilën zhvillohet konkurrenca. Këto struktura kanë rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e shërbimeve.
Teknologjitë e reja po ndryshojnë në mënyrë radikale drejtimin e shërbimeve. Forca më e madhe e këtij ndryshimi vjen nga futja e teknologjisë informacionit si kompjuterë etj. Dixhitalizimi lejon tekstin, grafikat, videon etj të ruhen dhe të trans-metohen në gjuhën dixhitale të kompjuterave. Kësisoj, zhvillimi i këtij shërbimi është përhapur me shpejtësi në të gjithë globin. Edhe në vendin tonë po kuptohet gjithnjë e më shumë rëndësia që ka sektori i shërbimeve, por shpesh ky sektor noton në informalitet dhe organizohet në mënyrë spontane. Kështu ndërsa janë bërë hapa përpara në disa sektorë, këtë nuk e gjen në turizëm ku një familje do të gjejë një strehë në plazh duke pyetur njëri-tjetrin dhe jo përmes sektorit të shërbimeve. Qytetarët që frekuentojnë plazhet janë të detyruar të paguajnë 500-700 lek për një sozllon e një çadër vlera e së cilës riciklohet brenda 10 ditëve, nuk ekzistojnë tualetet ose ato mund ti gjesh në lokale por që duhet të konsumosh ushqim atje që të mund të shkosh. Plazhe publike pothuajse nuk ka fare kur ato i gjen të tilla në të gjithë plazhet e botës. Nga ana tjetër pushteti vendor ja ka dhënë këtë privilegj vetëm lokaleve dhe kësisoj informalitetin e ushqejnë kryetarët e bashkive ku vlen të përmendim atë të Durrësit e cila është jashtë çdo kontrolli. Në këtë mënyrë krijojmë e konsolidojmë monopolet dhe nuk nxisim punësimin që aq nevojë kanë të papunët.
Në informalitet do ta gjesh një elektricist, hidraulik, marangoz apo bojaxhi etj. Kryeqyteti por dhe qytetet e tjera kanë patur në vartësinë e tyre ndërmarrjen e shërbimeve komunale, por ato nuk aktivizohen përkundrazi përbuzen sepse janë të interesuar gjithçka ta bëjnë me tenderë dhe të abuzojnë me fondet e taksapagueseve shqiptarë. Atje mund të merrje çdo shërbim që kanë familjet tona, tani këto shërbime i marrim nga njerëz që punojnë në të zezë, të pasiguruar e pa kontroll. Disa shërbime të cilat janë monopol nga shteti janë mjaft keq. Bie fjala të paguash ujin, dritat, telefonin, të marrësh një çertifikatë lindje apo familjare, certifikatë pronësie apo automjeti, jo vetëm që harxhon kohë shumë, por të del shpirti sepse shërbimi është shumë i keq dhe korrupsioni pengon në zhvillimin e këtij sektori. Edhe pse me ngadalësi, ky sektor do të ndryshojë, përmisohet më tej dhe do të kompaktësohet, por kjo do të ndodhë kur shërbimet të kenë strukturat e veta sepse deri tani nuk ekzistojnë sepse janë shkrirë brënda institucioneve të tjera. Duke parë rëndësinë që kanë shërbimet në zhvillimin ekonomik dhe tek të ardhurat buxhetore, qeveria duhet të angazhohet më seriozisht që edhe ky sektor të ecë e të zhvillohet krahas të tjerave. Mundësitë ekzistojnë, por kjo punë do duhet ta bëjnë njerëzit e ndershëm që punojnë për të përmirësuar shërbimet e në interes të publikut dhe jo ata që mendojnë që përmes fondeve publike të pasurohen.