Sherri Francë-Itali është teatral, por shfaqje të tilla janë të rrezikshme për Evropën

Nga Natalie Nougayrede

Ta përshkruash këtë, si krizën më të rëndë midis Francës dhe Italisë, që prej Luftës së Dytë Botërore, është paksa e tepruar. Kjo nuk është aspak atmosfera, sikur trupat janë gati për të marshuar nëpër Alpe – siç bëri Musolini në vitin 1940.

E megjithatë, kur Franca e tërhoqi ambasadorin e saj nga Roma këtë javë, pasi zv/kryeministri i Italisë, Luixhi Di Maio, takoi një grup protestuesish Jelekë-Verdhë në Francë, u duk sikur politika evropiane mori një kthesë të rrezikshme. Di Maio, një udhëheqës i lëvizjes anti-establishment Pesë Yjet, kishte shkruar në Twitter, duke shoqëruar një foto nga takimi me fjalët:”Erërat e ndryshimit kanë kapërcyer Alpet!”.

Asnjë nga vendet evropiane, nuk janë kulturalisht dhe historikisht më pranë se sa Franca me Italinë. Ato janë anëtare themeluese të projektit evropian. Të dyja vendet fqinje, janë njëlloj të fiksuara pas ushqimit dhe modës së nivelit të lartë – ato janë mesdhetare, dhe kanë një kulturë “latine”.

Praktika diplomatike, e detyron një vend të thërrasë ambasadorin e saj, kur gëlon një konflikt i madh, ose kur ka ndodhur një veprim serioz armiqësor, që kërkon një reagim të fortë simbolik – siç ishte momenti kur vendet evropiane tërhoqën ambasadorët e tyre nga Moska pas sulmit kimik në Salisbërit të Britanisë të Madhe. Po si arritëm në këtë pikë?

Mendoni pak mbi zgjedhjet për në Parlamentin Europian – dhe rritjen e populizmit të djathtë dhe të majtë në kontinent. Presidenti i Francës, Emanuel Makron, që fillimisht e promovoi veten si një udhëheqës reformist të projektit evropian, është dobësuar nga kriza e shkaktuar prej Jelekë-Verdhëve, e cila ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar.

Tani ai po përpiqet të krijojë një aleancë të demokratëve liberalë që ndan të njëjtat ide, përpara zgjedhjeve evropiane të majit. Ndërkohë, udhëheqësi i fortë i Italisë, Mateo Salvini, ministër i Brendshëm dhe udhëheqës i partisë së së djathtës ekstreme, e ka pozicionuar veten si flamurtar të populistëve të djathtë në të gjithë kontinentin.

Ai ka folur për ndërtimin e një “Lidhje të Ligave në Evropë”, dhe kohët e fundit vizitoi Poloninë, për të krijuar një aleancë me partinë qeverisëse atje, Ligj dhe Drejtësi. Në rrezik është ekuilibri politik i forcave brenda BE-së. Makron është shndërruar në shënjestrën e preferuar të Salvinit.

Qëkur një koalicion i mbizotëruar nga e djathta, mori pushtetin në Itali vitin e kaluar, marrëdhëniet me Francën janë përkeqësuar.

Dyshja Salvini-Di Maio, ka hedhur akuza të shumta në drejtim të Makron, më së fundi në lidhje me krizën e emigracionit, dhe trashëgiminë koloniale të Francës. Por ajo që i hodhi më shumë benzinë zjarrit, ishte vizita e Di Maios në Francë për të takuar Jelekë-Verdhët në periferi të Parisit.

Vizita ishte e paparalajmëruar, dhe Elizeja e sheh atë si një gjest të hapur të mbështetjes ndaj asaj që Makron nuk e konsideron thjesht një protestë sociale në nivel lokal, por edhe si një kryengritje që synon të rrëzojë atë, dhe të minojë stabilitetin e vetë institucioneve franceze.

Nuk ishte një detaj i parëndësishëm, që mes aktivistëve me të cilën u takua, Di Maio qëndroi pranë njërit prej tyre, që bëri publikisht thirrje që presidenti francez të rrëzohet, dhe të zëvendësohet nga një “gjeneral”.

Makron nuk e harroi se si Pesë Yjet, e ndihmuan lëvizjen franceze të protestës, me platformën e vet digjitale. Salvini është gjithashtu një aleat i Marinë Lë Pen, Partia e Tubimit Kombëtar e të cilës ka përfituar më shumë nga protestat e Jelekë-Verdhëve, në sondazhet e opinionit publik. Tashmë Makron ka vendosur të mos tolerojë më, duke sinjalizuar kalimin e një pragu të rrezikshëm. Ministria e Jashtme franceze, publikoi ​​një deklaratë, ku denoncoheshin “deklaratat e pahijshme”, që ishin “të paprecedenta që nga koha e luftës”. Kjo referencë historike specifike, u vendos qëllimisht për të qenë një këmbanë alarmi, dhe një paralajmërim.

Ajo synonte ndërkohë të shërbejë si një kujtesë për diçka thelbësore në lidhje me projektin evropian:çfarëdolloj mosmarrëveshjesh që mund të lindin brenda klubit, bashkëjetesa – por edhe bashkëpunimi – midis shteteve anëtare, kërkon një shkallë minimale të qytetarisë dhe respektit ndaj legjitimitetit demokratik të partnerëve.

Nëse kjo do të ketë ndikimin e synuar tek Roma, kjo mbetet për t’u parë. Salvini tregoi disa shenja prapësimi, duke thënë se do të ishte i lumtur të takohej me Makronin – por toni i tij mbetej sfidues. Dinamika që qëndron pas këtij sherri, fshihet në politikën e brendshme në Itali. Ashtu si të gjithë populistët (qoftë në të majtë apo në të djathtë), Salvini përdor një gjuhë të ashpër në etiketimin e armiqve, të brendshëm ose të jashtëm.

Deri më tani, përplasja me Francën dhe stigmatizimi i emigrantëve, i ka shërbyer për mirë. Popullariteti i partisë së tij, është rritur në sondazhet e opinionit publik, që nga zgjedhjet italiane të marsit 2018. Dhe tani, partnerët e koalicionit, Lidhja e ekstremit të djathtë dhe Pesë Yjet, janë rivalët që konkurrojnë për votues përpara zgjedhjeve evropiane, duke e përdorur Francën si një kokë turku.

Kjo taktikë ndihmon në arratisjen prej problemeve të Italisë dhe qeverisjes së keqe (ekonomia ka hyrë në recesion), dhe gjithashtu nga më shumë vështirësi personale (Salvini ndodhet nën hetim mbi qëndrimin e tij mbi migrantët). Me Pesë Yjet, që shihen si partneri më i dobët në koalicion, udhëheqësi Di Maio, po përpiqet të përfitojë nga Jelekët e Verdhë- një lëvizje që ai e krahason me ditët e hershme të partisë së tij.

Çarja diplomatike franko-italiane, nuk duhet të ekzagjerohet. Ajo përmban kaq shumë teatralitet dhe elementë qesharakë, sa ka edhe elementë negativë. Kjo nuk do të thotë se BE-ja është gati të shpërbëhet. Dhe as nuk do të thotë që e djathta ekstreme, do të dominojë Parlamentin Evropian. Forcat e saj janë të ndara, dhe sondazhet tregojnë se nuk do ta fitojnë dot shumicën.

Por ajo tregon – ashtu si Brexit – se si politikat e brendshme të polarizuara, dhe përhapja e retorikës së mbushur me urrejtje, mund të shndërrohet lehtësisht në një situata acaruese dhe në ndarje të hapura midis kombeve, që jo shumë kohë më parë kishin një partneritet dhe miqësi të fortë. Kjo grindje, dëshmon brishtësinë e terrenit, mbi të cilën po ecim në Evropën e sotme.

“The Guardian” – Bota.al

SHKARKO APP