Shesh “iluminist” që shpëtoi idenë e Europës së vërtetë

Nga Julia Kristeva

Evropa është sërish në ballë të kësaj beteje, sepse historikisht ka ditur të diagnostikojë të keqen, ka reaguar kur është dashur si dhe zotëron traditën kulturore të Iluminizmit, që ofron mjete për të luftuar atë. Liria, barazia dhe vëllazëria nuk janë dogma të pandryshueshme, por rezultat i një historie në lëvizje e sipër. Dhe ngjarje të tilla si ajo e Parisit, ndihmojnë për t’i ruajtur këto vlera

 

Bashkë me popullin francez, në protestën kundër masakrës së Parisit, ishte në mënyrë ideale e gjithë Evropa. Evropianët e shumtë që ishin të pranishëm në Paris, nga delegacionet zyrtare por edhe njerëzit e zakonshëm, ndihmuan t’i jepet formë një komuniteti të gjallë dhe demokratik, që së paku këtë herë diti, përtej deklaratave të zakonshme, të mishërojë idealin evropian.
Duke goditur “Charlie Hebdo”, terrorizmi fondamentalist ekzekutoi një formë të rrallë të inteligjencës, atë e që bën të “qeshë” mendimin dhe që është në AND-në e kombit francez, por dhe vetë Evropës.
Për pasojë, të dielën e shkuar, popujt evropianë u njehsuan me atë francez. Të paktën në rafshin simbolik, Evropa e idealeve arriti të triumfojë mbi Evropën e teknokratëve. Deri më tani, Bashkimin Evropian nuk ka patur kurrë një bazë të vërtetë të përbashkët kulturore, filozofike dhe ideale. Përkundrazi BE, ishte kufizuar në qënien e një Evrope tregjesh dhe financash. Megjithatë në Paris, populli prezantoi një tjetër Evropë, duke u rreshtuar në mbrojtje të idesë së një qytetërimi të vetëm, të vlerave të përbashkëta, të një tradite kulturore të kërcënuar.
Përballë rrezikut që kishin përballë, liria, barazia dhe vëllazëria, pushuan së qëni koncepte abstrakte, duke u mishëruar në miliona njerëz, që treguan se ishin këto vlera që i përkasin të gjithë Evropës. Edhe liderët e kontinentit, duke ardhur në Paris, e përforcuan këtë mesazh.
Tanimë duhet shfrytëzuar kjo frymë popullore, për të provuar të shndërrohen këto vlera në aksione konkrete. Pasi që të vësh në jetë një ideal të përbashkët, nuk mjafton thjesht përsëritja e fjalëve sipas rradhës, por kërkohen prova konkrete, madje edhe një histori që i mban së bashku dhe i sqaron, një tregim pra i kuptueshëm nga të gjithë.
Pjesëmarrja në marshimin e Parisit, të kujton atë që ndodhi natën e rrëzimit të Murit të Berlinit. Të paktën pjesërisht, sepse për ne sot sfida është akoma edhe më e vështirë. Kur Muri u rrëzua, njerëzit e lindjes dëshironin lirinë, por mbi të gjitha kërkonin që të ishin pjesë e modelit të Evropës Perëndimore, ai i demokracisë dhe tregut të lirë.
Ndërkaq ne nuk kemi shumë modele për të zgjedhur, sidomos të rinjtë që janë shpesh pa asnjë perspektivë ekonomike dhe pa ideale. Është një situatë e vështirë, që nxit fanatizimin e ideologjive që propozojnë vdekjen e të ndryshmit nga vetja jonë.
Për këtë arsye, duhet që të rinisemi nga ideali i lirisë, por edhe të rihapim një debat serioz mbi besimet fetare, duke rikujtuar këtu se tradita evropiane ka në qendër individin dhe të drejtat e tij.
Evropa pra, duhet që të tregojë se është ende e aftë të prodhojë vlera universale, që aktualisht në kontinent dhe me herët në pjesën tjetër të botës, janë të kërcënuara kudo nga pak, nga krizat e identitetit dhe fondamentalizmi.
Evropa është sërish në ballë të kësaj beteje, sepse historikisht ka ditur të diagnostikojë të keqen, ka reaguar kur është dashur si dhe zotëron traditën kulturore të Iluminizmit, që ofron mjete për të luftuar atë. Liria, barazia dhe vëllazëria nuk janë dogma të pandryshueshme, por rezultat i një historie në lëvizje e sipër. Dhe ngjarje të tilla si ajo e Parisit, ndihmojnë për t’i ruajtur këto vlera.

Shënim: Julia Kristeva është një filozofe dhe studiuese franceze me origjinë bullgare.

bota.al

SHKARKO APP