Sheshel, njeriu i Hagës që pritet të destabilizojë Vuçiçin

“Gjykata tha se është një lirim i përkohshëm,” u tha ai turmave të mbështetësve përpara selisë së partisë së tij në Beograd. “ Por e përkohshmja do të zgjasë deri sa ne të rrëzojmë presidentin Tomislav Nikoliç dhe të gjithë tradhëtarët që shitën nderin e tyre, hoqën dorë nga nacionalizmi serb dhe u bënë shërbëtorë të fuqive perëndimore.”

Sheshel kthehet në vendin e tij ndërkohë që Serbia po përgatitet nga njëra anë t’i bashkohet BE-së, mendohet deri në vitin 2020, e nga ana tjetër po forcon edhe më shumë lidhjet me Rusinë, e cila është në konflikt me Europën për shkak të krizës në Ukrainë. Partia e tij, propozuese e Serbisë së Madhe që do të përfshinte gjithashtu Malin e Zi, pjesë të Bosnjes dhe Kroacinë, ka qenë aleate kryesore e Sllobodan Millosheviçit. “Ka përpjekje për ta përdorur kthimin e Sheshelit për të destabilizuar Serbinë, por kjo gjë nuk do të lejohet,” tha Ministri i Punës, Aleksandër Vulin.

Anëtarë të shquar

Gjatë dhjetëvjeçarit të luftërave, sanksioneve dhe keqmanaxhimit ekonomik, presidenti aktual Nikoliç, kryeministri Vuçic dhe Guvernatori i Bankës Qendrore Jorgovanka Tabakoviç, ishin anëtarë të shquar të Partisë Radikale të Sheshelit. Ata u shkëputen në vitin 2008 për të formuar Partinë Progresive, e cila fitoi zgjedhjet e vitit 2012, në një moment pakënaqësie popullore të krijuar nga kriza globale dhe kriza e borxhit europian që la 400.000 vetë të papunë, dobësoi Dinarin me 30% në raport me Euron dhe e detyroi qeverinë të hynte në borxhe të rënda për të evituar një rrënim ekonomik. Vuçiç tani drejton Partinë Progresive e cila përbëhet kryesisht nga ish anëtarë të Partisë Radikale.

Vojsllav  Sheshel ka kaluar 11 vitet e fundit duke u grindur me prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës dhe jo duke bërë politikë në Beograd, e megjithatë partia e tij është grupi opozitar më me influencë ne Serbi. Imazhi i tij ende përdoret për propagandë nga partia e tij, por influenca e tij mendohet  të jetë dobësuar, gjatë viteve të gjata në gjyqe që e kanë mbajtur atë larg syve të publikut.

Gjithësesi ai nuk ka reshtur së përdoruri çdo rast që mund t’i jepte vizibilitet përmes  gjyqit për të shpalosur platformën dhe këndvështrimin e tij politik, si dhe për të tallur formalitetin e gjykatës si dhe akuzat e “pa drejta” të saj ndaj serbëve.

 Nacionalisti i linjës së ashpër, Sheshel, është një nga liderët e fudit të mbijetuar nga klasa politike e ish Jugosllavisë të shpërbërë gjatë luftërave të viteve 1990. Ai është akuzuar për vrasje të planifikuara si dhe përndjekje, tortura dhe burgosje të jo serbëve përgjatë konflikteve të ndryshme. Ai u vetë dorëzua në Hagë në vitin 2003, por mbeti figura qendrore e Partisë Radikale Serbe (SRS)

Fillimet provokative

Vojsllav Sheshel ishte një student i shkëlqyer, i cili u bë mbajtësi më i ri në moshë i një doktorature në Jugosllavi dhe filloi shpejt të jepte leksione fillimisht në Miçigan e më pas në Sarajevë.

Ai iu fut telasheve që në fillimet e karrierës së tij, kur shkroi një artikull, që nuk iu botua, ku bënte thirrje që Jugosllavia të zëvendësohej nga një entitet të dominuar nga serbët. Për këtë ai u dënua me dy vjet burgim. Pas lirimit, ai u vendos në Beograd, ku qëndrimet e tij ekstremiste dhe provokative e shkëputën shpejt nga komuniteti akademik, por e kthyen në një figurë në rritje në skenën politike. Ai shfrytëzoi momentin në vitin 1990 kur, ndërkohë që Federata Jugosllave filloi të shkërrmoqet, ai themeloi SRS. E prezantoi veten si pasardhës i luftëtarëve nacionalistë  çetnikë të Luftës së Dytë Botërore. Mbështetësit e tij përfshinin disa grupime paramilitare, si Shqiponjat e Bardha, çetnikët dhe Seseljovci.

Në vitet e para të luftës, deklaratat e tij përfshinin kërcënime për të hedhur në erë stacionin bërthamor në Krsko të Sllovenisë si dhe paralajmërime për NATO-n se bombardimet kundër serbëve të Bosnjes do të shpaguheshin me sulme me raketa ndaj objektivave të ndryshëm në Itali, Austri dhe Kroaci. Grupet paramilitare të organizuara dhe mbështetura nga ai si dhe nga Slobodan Milosevic, luftuan në luftërat e Bosnjes dhe Kroacisë. Ato janë akuzuar për krime dhe mizori humanitare. Që në vitin 1992, Sheshel ishte në listën e shtatë individëve që sekretari i atëhershëm i shtetit Lawrence Eagleburger kërkoi të hetoheshin për krime lufte.

Ndarja me Milosheviçin

Sheshel ishte aletai kryesor në parlament i Millosheviçit gjatë luftës në Bosnje. Thyerja mes tyre ndodhi në vitin 1993, kur MillosheviçI  u duk se pranoi një plan për tërheqjen e mbështetjes për serbët e Bosnjes. Millosheviçi u detyrua të shpërndajë parlamentin dhe shpërtheu ndaj Sheshelit duke e quajtur atë “ personifikim të dhunës dhe primitivizmit”. Vite më pas, ishte Kosova ajo që i bashkoi sërisht  dy rivalët në një valë të re ethesh nacionaliste.

Sheshel ishte i pakompromis në pikëpamjet e tij. Ai u shpreh atëherë për Kosovën  dhe shqiptarët atje se: “ Vendi i tyre është Shqipëria dhe ata duhet të shkojnë të jetojnë atje. Të vetmit shqiptarë që duhet të jetojnë këtu janë ata që e mendojnë Serbinë si atdheun e tyre.”

Mbështetje deri në fund

Nga qelia e tij në Hagë, MillosheviçI u bëri thirrje mbështetësve të tij të votonin Sheshelin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, duke e ndihmuar atë që në raundin e parë të fitonte 23 % e të renditej i treti. Mbështetja vazhdoi e fortë në të gjitha raundet e tjera të votimit, por ai nuk mundi të marrë më shumë se vendin e dytë në zgjedhjet që I fitoi Vojsllav Koshtunica. Megjithë humbjen, popullariteti  që fitoi gjatë fushatës presidenciale, e ndihmoi atë të hynte në Parlament në vitin 2003 dhe ta mbante partinë e tij si një faktor me influencë  në politikën serbe edhe pas vdekjes në Hagë të protektorit të tij.

Mbështetësit më të fortë të tij dhe të SRS janë ata që vuajtën nga shkatërrimi ekonomik i Serbisë post Millosheviç.

Shumë vite pas vdekjes së Millosheviçit dhe pas daljes së përkohshme të atij vetë nga Haga, Sheshel vazhdon të betohet se do të ndjekë deri në vdekje pikëpamjet e tij ultranacionaliste të pa kompromis. (përgatiti Lapsi.al)

SHKARKO APP