Shigjetari i së shtunës është lule (për shqiptarët që u vjen turp prej dhunës)
Nga Enkel Demi
Në lajmet e së djelës në Sky TG24, TGCOM 24 apo Canale 5 lajmi i dytë ishte protesta opozitare e së shtunës në Tiranë. I pari ishin jelekverdhët e Francës. Në të gjitha raportimet thuhej se Edi Rama akuzohet që është bërë si Maduro. Gazetat italiane rrëfenin sulmin ndaj selisë së qeverisë me foto të mëdha në faqet e para.
I ndjek me shumë kënaqësi jetët e shqiptarëve të Italisë, Gjermanisë, Amerikës, Diasporës dhe suksesi i tyre në jetën e zakonshme, në sipërmarrje, kulturë, art, sport, politikë më cingërisin krenarinë. Por, më së shumti mendimi i tyre për zhvillimet politike në atdhe është naiv, romantik, idealist e ndonjëherë bajat, i bazuar në klishetë e vendeve ku ata jetojnë. Ky këndvështrim i tyre antidhunë u përcoll me entuziazëm nga propaganda e qeverisë duke vënë në pah shigjetarin tonë rreckaman si simbolin e së keqes që po e lë vendin e shqipeve jashtë integrimit në Bashkimin Europian.
Sot në mëngjes, në tregun e Tiranës një kilogram qepë kushtonte 1.1 euro. Një kilogram groshë e cilësisë së fundit kushton nga 2 deri në 2.5 euro. Fasulet janë pjata bazë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, e cila me këto çmime që i bëra me qëllim në euro, tashmë mund të konsiderohet pjatë shumë e shtrenjtë. Një mëditës i zakonshëm shqiptar paguhet nga 200 deri në 250 euro në muaj.
Çmimet e zarzavateve të stinës, mes të cilave lakrat janë në qiell. Nuk po i zëmë në gojë jashtëstinoret. Pjesa më e madhe e serave me ngrohje nuk kanë mbjellë, sepse çmimi i karburantit është rritur. Dhomat frigoriferike nuk punojnë, sepse energjia është shumë e lartë. Prodhuesit e mandarinës në Konispol dhe Xarrë e hodhën prodhimin në kanal, sepse qeveria greke bëri një skemë kompesimi dhe fermerët fqinj e mbytën tregun eruopian me çmim shumë më të ulët. Çfarë bëri qeveria shqiptare? Asgjë, veç propagandë, por ndërkohë po mendon të shtojë një taksë të re tek çmimi i karburantit.
Avionët e linjave perëndimore janë të ding me shqiptarë që nuk para përdorin valixhe për teshat, por thasë të zinj plehrash. Duken me sy që shumë prej tyre e kanë për herë të parë këtë udhëtim, se me hall orientohen në aeroport. Ikin dhe kërkojnë menjëherë azil. Për dy vjet mendohet se ka ikur gjysëm milioni. Qeveria thotë që ka vdekur koha t’i mbajë njerëzit me zor, por është duke përgatitur një Samit të Diasporës me paratë e këtyre që po lënë vendin.
Mediat e huaja nuk e raportuan takimin e Vlorës së Edi Ramës, por i tillë do të jetë edhe Samiti. Kuadrate të rregullta koreanoveriore, njerëz që nuk pipëtijnë, vetëm Ai që flet, sepse prej kohësh e bezdis edhe mërmërima më e vogël kundër. Po përgatit një ligj për shtypin dhe portalet, të cilin e kundërshtojnë të gjithë gazetarët dhe organizatat e tyre më në zë si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. E bën, sepse nuk duron më asnjë pëshpërimë kundër. Ndaj, ata që po vijnë me dëshirë në Samitin e Edi Ramës do bëjnë mirë ta dinë se do jenë të mirëpritur si ua ka ënda, por me një kusht të vockël; ta qepin si kukullat, kur nuk kanë shfaqje.
Shërbimi Informativ Shtetëror është tashmë në dorën e ish-oficerëve të lartë, të mesëm dhe të vegjël të ish-Sigurimit të Shtetit. Fuksat janë shpërndarë kudo nëpër katundet e qytete. Në urbanët e Tiranës flitet përherë e më pak, gogësihet përherë e më shumë.
Aleksandër Lleshaj, një katolik praktikant, po e kthen Ministrinë e Brendshme dhe policinë në aparat dhune. Të shtunën u mbrojt nga heshta e shigjetarit me një farë gazi lotsjellës. Njerëzit që u ekspozuan ndaj tij u plandosën dhe e lanë protestën, kurse vuajtën 24 orë nga helmimi i tij. Uroj që mos të ketë përdorur lëndë helmuese luftarake, LHL si na i mësonin dikur në Ushtarake. Por, gazi, nëse ka qenë i këtillë ka patur dendësi shumë të lartë. Një miku im italian më rrëfente të djelën se kishte qarë me lot, megjithëse gjendej në Rogner.
E djela ka qenë ditë arrestimesh për policnë. E me thënë të drejtën, nëse nuk do ta kishin zgërdhi në dru, shigjetari me siguri do e kalonte në burg shumë më mirë se jashtë, pasi mbush barkun me bukë dhe nuk i pikon kasollja. Nuk pashë asnjë mesazh apo status të të “lënduarve” prej dhunës për arrestimin e dhunuesit par exellence, të moshuarit 80 vjeçar nga Lezha.
Duket po vjen dita që edhe ne besimtarët e tjerë që shkojmë në meshë po të djelave t’i themi Sandër Lleshajt: “të kemi lënë Zotin”.
Urrejtja që ka pushteti për popullin flet për numrin e familjeve që bien në varfëri. Shumica e familjeve në skamje hanë një herë në ditë dhe me gjasë groshët jo aq shpesh. Fëmijët e të varfërve kanë gjithë simptomat e kequshqyerjes, kurse nuk e ndjekin shkollën, sepse librat kushtojnë. Çfarë bën qeveria? Në çdo buxhet të ri e shkurton skemën e asistencës me 20 – 30 për qind. Dëshpërimi është i madh, për pasojë mëria e shigjetarëve.
Shqiptarët prej vitesh janë braktisur nga qeveria e tyre, diplomatët e huaj, ka gjasë t’i lërë vetëm edhe diaspora. Po ushtrohet trysni e madhe që t’i braktisë edhe opozita. Kjo e fundit pa dyshim i meriton të tëra epitetet që i kanë vënë kundërshtarët e saj, propaganda, analistët. Unë për vete nuk i heq asnjë presje gjithë shkrimeve dhe qëndrimeve të mia ndaj udhëheqjes së Partisë Demokratike të këtyre gati 6 vjetëve, por sot sado hidhur të na vijë, opozita është e vetmja shpresë. Është si ajo flaka e kandilit në fundin e galerisë së zgafellës, por ja, ashtu e dobët është shpresa e vetme që bën pak dritëz.
Po e fikëm edhe atë bëhet terr i plotë. Një mjet i ka mbetur opozitës politike; djegia e mandateve. Po e bëri këtë, vendos të paktën drejtësi mes vedit, sepse Edi Rama më parë ia dogji shumë mandate duke vjedhur zgjedhjet. Tani le t’i djegë pakica vetë çka i ka mbetur dhe me këtë rast shpëton nga bullizmi, dhuna verbale që po i bën në Parlament sulltani me shpurën e tij. Pastaj, ky i fundit le t’i bëjë rreshtore Kuvendit, madje ta mbajë kuadrat si ishte në kohën e shoqes Vito Çurri.
Tani, unë e kuptoj që po nuk jetove në Shqipëri t’i vret sytë rreckamani me heshtë. Por, ai dhe e ashtëquajtura “dhunë” e protestës është formë, estetikë, sepse përmbajtja është halli që i ka zënë shqiptarët “aty ku s’thuhet” do kishte me thënë KM-ja. Shqiptarët që jetojnë gjetkë i kuptoj, sepse nuk e jetojnë përditshmërinë e atdheut të tyre. Janë, tek e fundit të sinqertë në padijen e tyre. Propagandën po ashtu e kuptoj, sepse ajo shkon tek forma. Tek e fundit Edi Rama gjithë këto vjet ka qeverisur në formë, jo në përmbajtje, meqë dhe vetë i pëlqen bojatisja, jo muri që ngjyros.
Ata që nuk kuptoj janë shakatorët e shigjetarit, sepse i ngjanë gomarit që e kafshonte ujku dhe uronte të ishte në ëndërr. Nëse heshta do e kishte vrarë pushtetin do ishim të shpëtuar, por duhet të themi që zgjatja e kësaj agonie nuk do të na çojë në “dhunë”, por në konflikt, sepse ky po i merr Shqipërisë shpirtin. Atëherë, ku do mbytemi, sepse shigjetari nuk do të ketë më heshtë në dorë, por kallash.(27.al)