Shkarkimet kundër LSI, frika nga sondazhet dhe të gëzuarit e sheshit Willson
Kur ministrave teknikë të PD, t’u dalë dehja e pushtetit të shijuar shkurtimisht për dy tre muaj, do ta shohin veten përsëri në Opozitë dhe me ca shkresa të firmosura shkel e shko e me nxitim, që do të mund të jenë antipasta e menysë, së Vettingut të votuar para pak kohe…
Nga Artur Zheji
Në pothuajse 20 ditë që na ndajnë nga zgjedhjet politike, ka filluar përveç “blablablasë” politike në terren, edhe një fushatë spastrimesh në administratë. “Rastësisht”, por sigurisht që qëllimisht, shkarkimet bien mbi punonjës apo drejtorë të LSI.
Dhe krejt pa përtesë ka përveshur mëngët zv/kryeministrja e re, tekniko-PD-iste, zonja Mandia, që sheh me dashuri të paparë, shkeljen e syrit të kryeministrit dhe majën e stilografit të Ëngjëll Agaçit, në çdo vendim që merr në këtë drejtim.
Është ngritur kësisoj edhe një task forcë, ku LSI nuk merr pjesë, as edhe ministrja e Integrimit, pra një vendimmarrje rreptësisht PD-PD, tjetër bllof i kurdisur nga kryeministri që fërkon duart.
Qëllimi politik dhe elektoral, që ka filluar kjo fushatë? Të frikësohet baza zgjedhore e LSI, sepse kupola e partive të sapo dashuruara, që paguan shumë para për të bërë sondazhe dhe sondazhet u tregojnë, se ka një mos rritje të PS, një rritje të vogël të PD dhe një rritje eksponenciale të LSI dhe kjo është shumë nervozuese për kupolën e re dhe të përkohshme, rozë e blu.
Po pse? Sepse e dinë se nuk do të mund të qeverisin bashkë, pas 25 Qershorit. Sidomos Basha e di këtë edhe më mirë, sepse ai, me të drejtë i druhet lojës së dyfishtë të Ramës.
Basha e di mirë që pavarësisht bisedës kokë më kokë me Ramën, pamvarisht rrugëdaljes që i “dhuroi” Rama, në daljen nga Çadra, ai, lideri i Opozitës “rrebele”, bëri pikërisht atë, që Ramës i interesonte më shumë: Zgjedhjet normale, me Partinë Demokratike brenda, dhe rezultatin e nesërm të pakontestuar, më 25 Qershor, ku shanset e PS-LSI, janë qartësisht më të mëdha.
Basha, ka një merak të madh pra dhe të justifikuar: Po sikur kjo ftohja dhe “sherri” i përhershëm dhe i nëndheshëm, Rama-Meta, të jetë edhe kjo pjesë e një loje? Sepse takimet kokë më kokë, Rama-Meta, herë me sherre dhe herë më dashuri e qetësi, kanë qenë dhe janë shumë më të shumta. Po sikur, mbas 25 Qershorit, Rama ta ndajë sërish “Timonin” e qeverisjes me LSI? Çfarë do të ndodhë me Bashën?
Atëherë cila është zgjidhja? I këshillojnë gabueshëm këshilltarët e mirëpaguar nga përtej Oqeanit: “Goditja e LSI, zvogëlimi i ekspansionit të saj dhe marrja në terren e votave të LSI.”
Mënyra?
- Sulm verbal ndaj Metës dhe Polit të tretë, që udhëhiqet sot natyrshëm nga LSI.
- Sulm në administratë dhe shkarkime të bujshme nga puna, të LSI-istëve.
Rezultati i parë, i kësaj strategjie thurur nga strategët e kushtueshëm të përtej Oqeanit?
Gëzim i madh për Ramën, kundërshtari i natyrshëm më i madh i PD, sepse miku dhe armiku Basha, po thellon hendekun ndarës PD-LSI, gjë që e afron atë edhe më pranë pushtetit të nesërm.
Rezultati i dytë?
Gëzim i madh te selia e partisë, pranë sheshit Wilson, te LSI, pra. Përmes kësaj lufte ata u besojnë më shumë sondazheve, që e paraqesin rritjen e saj, të “frikshme” për konkurrentët.
Rezultati i tretë?
Kur ministrave teknikë të PD, t’u dalë dehja e pushtetit të shijuar shkurtimisht për dy tre muaj, do ta shohin veten përsëri në Opozitë dhe me ca shkresa të firmosura shkel e shko e me nxitim, që do të mund të jenë antipasta e menysë, së Vettingut të votuar para pak kohe.
Të tillë këshilltarë, edhe sikur të punojnë gratis, Luli, duhet t’i mbajë sa më larg, se vetëm ashtu prishin më pak punë. /360grade.al/