Shkëmbimi i territoreve është ndërrim i tokës shqiptare me tokë shqiptare
Njohësi i mirë i çështjeve të rajonit, gazetari Ben Andoni i ftuar në studion e ORa News, thotë se serbët synojnë të krijojnë asociacionin me të gjitha kërkesat reale të serbëve, çka krijimi i këtyre komunave do të krijonte handikap në rajon dhe pengesë të madhe për zhvillimin e Kosovës. Ai thotë se ideja për shkëmbim territoresh janë të rrezikshme dhe që nuk do të pranohen as nga vet serbët.
Andoni: Zt.Thaçi pak mbas zt.Vuçiç kanë krijuar një lloj konfuzioni në publik që i intereson staturës së tyre të përbashkët. Kjo lloj loje ka nisur muaj më parë nga zt.Vuçiç, i cili premtoi për serbët në mars do të kishte një zgjidhje dhe do të kishte një kumt të madh për popullin serb, por të dhimbshëm. Po vjen vjeshta dhe serbët akoma nuk kanë marrë asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me Kosovën. Teknikisht është që asociacioni i komunave serbe do të krijohet me kërkesa reale të serbëve, me atë që i gjithë elementi kosovar e ka mënjanuar deri më tani. Atë që serbët kanë mbuluar për sa i përket lëshimit që do bëjnë për lehtësimin e Kosovës që do marrë vendin në OKB, të njëjtën gjë ka bërë edhe zt.Thaçi. Ka bërë diversion nëpërmjet një lloj politike që është artikuluar muaj përpara në mënyrë fluide nga ambasadori amerikan në Kosovë. I gjithë problemi është e ardhmja e Kosovës dhe ruajtja e hapësirës territoriale të saj.
Janë shmangur të gjitha institucionet në Kosovë dhe në Serbi. Nëse zonja Brnabiç është shmangur tërësisht pasi ka dalë nga “xhepi” i Vuçiç, edhe zt.Haradinaj është shmangur. Që në momentin që dy personazhet kryesore po i afroheshin Presidencës, dhe dihej që do të ishin presidentë pa mëdyshje, në Bruksel u bënë lëvizjet e duhura që bisedimet të stopoheshin dhe të kalonin në nivele presidenciale, duke ulur kredencat e punës shumë të madhe të negociatorëve. Ato pak marrëveshje që u arritën nuk u zbatuan dhe këtu gjetën justifikimin të fusin në lojë dy personazhet. Asociacioni do marrë funksione shumë të mëdha në Kosovë dhe krijohet një handikap. Është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Do të jetë shumë pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për unitetin e etniteve në Kosovë dhe ky do të jetë handikap në Ballkan.
-Shkëmbimi i territoreve
Andoni: Për mendimin tim është më i vështirë të pranohet nga serbët se nga shqiptarët. Për mendimin tim. Nga shqiptarët është ndërrim i tokës shqiptare me tokë shqiptare. Jepet veriu i Mitrovicës për Luginën e Preshevës, e cila ka qenë pjesë e Kosovës. Kjo nuk është e favorshme as për serbët sepse i ndan jashtëzakonisht. Në këto dy ditët e fundit edhe kisha serbe që është antagoniste është kundër kësaj ideje, por edhe pala shqiptare është tërësisht e pa kënaqshme. Korrigjimi i kufijve nuk mund të bëhet korrigjim mbi tokat e shqiptarëve.