Shkodran Musafi është një gjerman!

Por emocioni i këtij lajmi u shua shpejt, kur një tjetër foto e Shkodran Mustafit, filloi të qarkullonte në web. Atje, ai dukej bashkë më shokët e tjerë të Valencias, duke pozuar me tre gishtat e ngritur lart, sinonim i tre golave që ata kishin shënuar. Po të shikohej fotoja me imtësi aty vihej re një shenjë që shumëkush e quajti skandal. Tre gishtat e Mustafit tregonin simbolin e tre gishtave serbë (foto rubrika sport e lapsi.al).

Natyrisht, unë vetë jam i bindur se djali nga Gostivari, që prindrit dikur i kanë vënë emrin e një qyteti që ata e adhuronin në ëndrrat e tyre, as ka dashur të kumtojë një simbol të tillë. Në rastin më të mirë ai është ngatëruar dhe në rastin më të keq, thjeshtë nga injoranca, as nuk e di çdo të thotë ajo shenjë. Ndaj është një idiotësi ti’a marrësh për të madhe dhe të mërzitesh me të.

Por, të dyja rastet, si ai i shqiponjës të vullnetshme, si ai i tre gishtave të keqkuptuar, na shërbejnë për të nxjerrë një përfundim, se ai nuk duhet gjykuar nga optika e patriotëve shqiptarë. Se atij nuk i duhen marrë seriozisht as shenjat me shqiponjë kur feston golat dhe as përbetimet e tij përkrah kupës së botës, ku demostronte gjakun e të parëve të tij. Shkodran Mustafi nuk është as një tradhëtar e as një patriot. Futbollistikisht, ai është thjesht një gjerman. Dhe sa herë që e gjykojmë ne duhet ta gjykojmë si të tillë.

Boll të futesh e të lundrosh në internet dhe e kupton këtë. Në ato pak intervista që ai i ka dhënë mediave shqiptare që kur luante në Angli, (te Evertoni në vitin 2009 e tek Sampdoria ne Itali më pas), tek ai vihet re një personalitet i dyfishtë. Kur flet për familjen, për origjinën, për mënyrën se si vendosën prindrit e tij shqiptarë të Maqedonisë ti vinin emrin që ka dhe sot, ndihen lehtë notat patriotike që ka tashëguar nga e shkuara e tij. Por kur flet për zgjedhjen që do të bëjë, mes kombëtares shqiptare apo gjermane, ai është krejt i qartë. Mendon për karierën, për të ardhmen, për famën dhe pasurinë, përpara se të mendojë për kombin. Dhe kur i thotë këto fjalë është ende shumë i ri, produkt i pastër i një bote të lirë dhe globale, që vë në qendër të saj individin përpara kolektivit.

Dhe si i tillë, kur i erdhi momenti të merrte një vendim, ai e bëri zgjedhjen e tij. Përpara shqiponjës së sfilitur shqiptare, ai zgjodhi shpendin e kamur gjerman. Natyrisht që mendia ta do që edhe prindrit e tij që e kishin edukuar me ndjenjat e patriotizmit, nuk e kanë penguar në këtë zgjedhje. E që nga kjo ditë, Shkodran Mustafi është një futbollist gjerman. Loja e tij në Kupën e botës, që ndikoi sa do pak që vendi i tij të shpallej kampion në Brazil, ka bërë të lumtur me miliona gjermanë. Tani ai u përket atyre. Ashtu siç i përket Shaqiri, Berhami, Kasami, apo Xhaka i madh, zvicerianëve. Ashtu siç i përket Gjergji Kone grekëve. Adnan Januzaj belgëve.

Të paktën si futbollistë ata nuk janë shqiptarë. Dhe ne mund të krenohemi me gjithshka përmes tyre, por jo përmes futbollit. Mund t’i duam për mënyrën se si ndërtojnë familjet, si rrespektojnë baballarët, si mbajnë ramazan, apo si bëjnë ndonjë qokë humanitare etj. Por, vetëm për një gjë nuk mund të krenohemi me ta. Me imazhin e tyre si futbollistë. Si të tillë fatkeqësisht nuk na përkasin. Madje na kanë braktisur me përbuzje.

Kjo nuk do të thotë se për këtë duhen “dënuar me vdekje”, siç bëri një organizatë e fshehtë kosovare, këtë verë, me Adnan Januzajn. Jo, deri më sot bota nuk ka shpikur dënime për mungesë dashurie. Por, ama duhet të jemi të qartë se si futbollistë, ata thjeshtë nuk na duan.

Tani na takon ne ti bëjmë pyetjen vetese se përse vazhdojmë ti marrim seriozisht? Pse krenohemi kur na shkelin syrin me ndonjë shqiponjë pas golit, apo pse protestojmë në rrjetet sociale, në rastet kur imagjinojmë se Shkodran Mustafi, po pozon me simbolet serbe? Mustafi dhe shokët e tij na e kanë hequr mundësinë të ekzaltohemi apo të mërzitemi me ta. Ata na kanë lënë vetëm një zgjedhje: ti admirojmë si futbollistë. Sa për patriotë, ne skemi asnjë të drejtë ti masim me metrin tonë. Ata i përkasin tjetër kujt.

SHKARKO APP