Shkrimi në London School of Economics: Shqipëria në rrezik, fitorja e PS nuk e ndihmon vendin
Në blogun ‘EUROPP’, të London School of Economics, është publikuar një artikull i studiuesit Max Fras, lidhur me zhvillimet që pritet të ndodhin në Shqipëri pas fitores së shumicës parlamentare nga Partia Socialiste.
Fras e sheh si zhvillim negativ kontrollin e vetëm të qeverisë nga Edi Rama, pasi historia në Ballkan ka treguar se liderët që marrin mbështetje të madhe, kthehen shumë shpejt në autoritarë. Ai thekson se faktorët e brendshëm dhe të jashtëm do e kenë të vështirë të ndikojnë mbi Ramën, çka tregon se kjo fitore e PS-së nuk do i bëjë gjërat më mirë në Shqipëri.
Max Fras shkruan se mediat ndihen të kërcënuara për të publikuar skandale korruptive të qeverisë, ndërsa të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga vendi për shkak të papunësisë. Studiuesi shprehet se Bashkimi Europian ka zgjedhur të mbështesë stabilitetin në Ballkan, duke i dhënë më pak përparësi demokracisë.
Pjesë nga shkrimi i Max Fras në European Politics and Policy:
Pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, më 25 qershor, Partia Socialiste mori pushtetin me një mazhorancë të plotë dhe të majftueshme për të krijuar qeverinë e vetme, një zhvillim që vendi nuk e kishte parë që prej 2001. Këto zgjedhje përbëjnë një mundësi unike për vendin që është dëmtuar nga ndarjet politike dhe koalicionet, në përpjekjet për të ndjekur një agjendë ambicioze të reformave dhe integrimit europian.
Në anën tjetër, historia e fundit e rajonit është e mbushur me lider “të fortë dhe të qëndrueshëm” që kanë humbur mandatin për shkak të politikave dhe veprimeve autokratike dhe antidemokratike si Nikolla Gruevski i Maqedonisë, Boris Tadic i Serbisë dhe Sali Berisha i Shqipërisë.
Mundësia për reforma mund të realizohet vetëm nëse qeveria shqiptare dhe kryeministri karizmatik, Edi Rama, mbahen nën kontroll nga institucionet, si gjyqësori, opozita, media, shoqëria civile dhe të rinjtë shqiptarë. Aktorët e jashtëm si BE dhe SHBA mund të ndikojnë pozitivisht në politikën shqiptare. Fatkeqësisht, aktorët e brendshëm dhe të jashtëm përballen me sfida serioze dhe fitorja e PS nuk ka gjasa që t’i përmirësojë gjërat.
Duke marrë parasysh të gjithë faktorët e mësipërm, Shqipëria ndodhet përpara shumë rreziqeve. Zoti Rama dhe PS përballen me pak kontrolle dhe pritshmëritë e larta sociale mund të jetë të vështira për tu menaxhuar. Partia drejtuese dhe zyrtarët e qeverisë duhet të tregojnë përmbajtje, vetëkontroll dhe maturi politike në zbatimin e planit të tyre politik, duke marrë parasysh edhe interesat e aktorëve të tjerë politikë dhe social. Politiko.al