Shoku im “cicëron”…

Fejton

Nga Thoma Goga

Një ditë  bashkë më “kundërshtarin tim” Selim, duke shëtitur,  këmbët i ndalëm të lulishtja para “Partizanit të Panjohur”. Shikoja dhe monumentin e Sulejman Pash Bargjinit që rrinte siç rrinë pashallarët. Shpata varur si një kostër bari, qeleshja që kushedi kur kishte pa larë, jamallëku ose xhybeja hedhur krahëve. Në atë pozicion duket sikur “Partizani i Panjohur“ parakalon para një figure gati mesjetare. Gjithmonë më ka intriguar vendosja e dy monumenteve të tillë që s’kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin. Për më keq, kaq afër dhe në një pozicion gati  qesharak. Po asnjëherë nuk kam pyetur, ngaqë ka dhe kinezëri të tjera me monumentet tona . E kjo “errësirë” informative i ka hapur rrugë edhe humorit popullor.

Thonë e ç’nuk thonë!…E ndërsa po sillja në mend ca nga këto që populli i quan qyfyre, një grup turistësh si me porosi ia behën aty. I erdhën nja dy herë rrotull. A thua se po bënin homazhe ose kërkonin diçka që nuk u kishte humbur. Po kanë dhe të drejtë. Sikur të mos mjaftonin ato gallatat që ka “mbjellë” populli, në monumentin e Sulejmanit nuk ka asgjë të shkruar. As në bazament, as në trup apo në shpatë. Një figurë pa identitet.  

 Në krye të turistëve një vajzë e re që dukej se ishte përkthyese. Hodhi shikimin nga unë e Selimi, sikur të gjente shpëtimin. Kundërshtari im Selim, që është i thekur për zgjidhjen e situatave të tilla, nxitoi të flasë me vajzën.

– Më falni, – tha vajza përkthyese, – ky monument nuk ka asnjë shënim, mos dini ndonjë gjë fare të thjeshtë që ta mësojnë dhe të huajt.

Selimi tundi kokën dhe pas pak sekondash mori pamjen e cicëronit që i shkon shumë. E unë që nuk i ndahem, u afrova pa u përzjer me turistët, të dëgjoja mbroçkullat e shokut tim Selim.

-Ky që shikoni këtu, – filloi Selimi me oratorinë e tij, -është një monument. Është monumenti i Sulës nga Mulleti. Ka qënë burrë i mirë. Pronar i ca tokave, i ca hamameve alla turka, i një haleje që ka qënë aty afër. Prandaj dhe e sollën afër pronës së tij…

Vajza ca i përkthente, ca i përshtaste. Ca nga turistët tundnin kokën në shënjë pohimi, ca shqyenin sytë e  shikonin njëri-tjetrin. Po Selimi nuk impresionohet nga reagimet dhe vazhdoi:

– Thonë se ky burrë i ka vënë emrin kryeqytetit Tiranë. Po si ia vuri, do thoni ju? Pyeti një të papunë që luante me rërë ( atëherë i thoshin “ranë”), se ç’po bënte? Ai budalli iu përgjigj: “Jam tue tjerrë ranë”. Dhe kështu, Sula e quajti qytetin “Tir – ranë”, emërtim që më pas u transformua në Tiranë. Të mos e kishte pyetur Sula atë budallin, kushedi si do quhej sot Tirana!…

Këtu turistëve u pëlqeu shpjegimi ndaj dhe u shkrepën edhe 2-3 aparate fotografik. E Selimi vijoi ligjëratën:

-Prandaj e kanë sjellë këtu se ky është sheshi i të papunëve. Ja njëri ka matrapik, njëri saldatriçe, tjetri tokmak…Shiko dhe pamja e Sulejman Pashës, nuk ju  duket si sipërmarrës?! Të papunët përshëndetjen e parë çdo ditë ia bëjnë Sulës dhe ai duket sikur pyet. 

-E ata si i përgjigjen?- ndërhyri përkthyesja bukuroshe.

-Një shoku im tha “po ngrohem në diell se jam ftohur në tajare”. Një tjetër tha se po tjer gënjeshtra. Po kulmin e arriti Çeçua me përgjigjen orgjinale se “po tirte pordhë”…

Ndërsa turistët po prisnin përkthimin, vajza, ngaqë s’dinte si përkthehej fjala banale, e kapërceu situatën.

-Më falni, këtu ka qënë gjithmonë ky?

-Jo, – shpjegoi Selimi. -E vunë shumë kohë në mes të atij kryqëzimit. Se kush hapi fjalë që ka qenë më policinë rrugore, prandaj e vunë atje. Mirëpo e bëri lëmsh trafikun. Shoferët kujtonin se ishte polic dhe kur shikojnë që polici nuk bënë asnjë lëvizje, me rregullore e kanë të ndalojnë në vend. Pastaj e “shkarkuan” nga detyra dhe e sollën këtu. Po do ta heqin prapë.  Ka zëra që thonë se natën ky “Partizani i Panjohur” e kërcënon me atë grushtin e fortë…Dhe Sula nga frika i ka mbushur brekushet…Po unë nuk e besoj se erën e urinës e ka nga të papunët, që ia fusin shurrës prapa tij… 

Prapë ca turistë tundnin kokën, ca shqyenin sytë. Vajza përkthyese, e kënaqur që doli nga situata tek monumenti pa gërma, e falenderoi shumë “cicëronin” e ri. Pastaj nxori nga çanta 20 euro e ia dha me kënaqësi.  Po dhe Selimi me kënaqësi i futi  eurot në xhep, i dha numrin e telefonit dhe  u tregua i gatshëm ta bënte këtë punë, sa herë të ishte nevoja. Turistët vazhduan axhendën e tyre, unë  e kundërshtari im Selim vazhduam axhendën tonë. Ja, i futëm nga një dopio raki me qofte. Turistët “hëngrën qoftet” e Selimit, ne qoftet tek tymi i Rremës me honoraret e “cicëronit”…

SHKARKO APP