Shoku të leka jetim

Kjo, sepse megjithëse Kolin e kam njohur në gazetën “Albania”, unë nuk e kisha koleg, e kisha shok.

Për të si profesionist fliste shumë mirë Ruben Avxhiu. Ai veçse gjerbte fërnet me të, ia lexonte të gjitha shkrimet. Ishte Rubi që më drejtoi edhe mua ta shihja në këtë këndvështrim, me admirim.

Tani që Koli shkoi unë mund të them që ishte më i miri ndër ne, tek e fundit nuk do rrudhë buzët me tallje. A i kujtohet ndokujt këtu, kur shkoi në jug në 1997 dhe bëri reportazhe?

Shkonte si gazetar i “Albania” dhe nuk ishte fort e lehtë. Dikush tjetër, i pranishëm, mund të ketë shumë për të treguar për këtë udhëtim që i ngjante “Vitit të mbrapshtë” të Kadaresë. Ky lloj gazetari ishte i ashpër. E rrëfente të vërtetën e tij copë.

Shpesh druhesha mos e kapnin në ndonjë cep, pasi botonte komente a shkrime që i binin ballit. Tash më vjen keq që nuk e pyeta ndonjëherë a kishte pasur frikë. Me siguri do ketë patur.

Gjithsesi në kohën që nisi të merrej me Forumin Rinor, unë e humba shpresën që do vazhdonte më në këtë profesion. Duhet t’ia kem thënë së bashku me Rubenin që nuk bën mirë ta lërë këtë zanat, i cili pa bukë s’të lë.

Në fakt, ai tjetri që zgjodhi e la pa jetë. Pa dyshim që e njihte gazetarinë në majë të gishtave dhe e përdorte shkëlqyeshëm.

Njihte të gjitha hiletë e saj dhe i përdorte mrekullisht. Po të shkoni në arkiv do të vini re që e ndjente ku ishte kamera dhe e kthente atë sipas ëndës së vet.

A ju kujtohet ajo kamera në zgjedhjet e 2005 që e ndiqte nga pas në Shijak? Ishte ide e Shkullakut apo e Kolit? Pak rëndësi ka, por efektin e pati mal.

A ju ka vajtur ndonjëherë ndër mend të pyesni përse nuk humbi asnjë debat në televizion?

Kishte një metodë krejt të vetën. Pa u ngrohur akoma gjakrat lëshonte një bombë të madhe, shumë të madhe, ndonjëherë edhe shashkë.

Kundërshtari në debat kompleksohej, mbytej në emocionet e veta. I duhej një orë të merrte veten, por deri atëherë ai kishte fituar, e kishte tërhequr qerren.

Kur hyri në betejat elektorale më ka qëlluar të bëj një farë këshillimi mediatik për të. Në zgjedhjet vendore, kur doli ballë Edi Ramës, isha një nga njerëzit mediatikë, por edhe në fushatën xhuxhe për kreun e PD-së.

Të dyja betejat i humbi. Me siguri fajtorët duhet të jemi ne, këshilltarët e këqinj që flasim sot këtu. Në fund, dua të them që unë isha përherë subjektiv me Kolin, se e kisha shok. Vitet e fundit nuk e intervistova më, sepse nuk mundesha, e doja fort për të bërë gazetarin.

Dje, i thoja Ardit dhe Silës se ky njeri nuk kishte shokë si gjithë njerëzia, por të gjithë e kishin shok të ngushtë. Ja dhe ne që jemi këtu e kishim shok të ngushtë, gjithkush, ndaj dhe kur pimë ndonjë kafe, si sot, pa të, mund të “grindemi” se cili e kishte më shumë. E shihni pra, që edhe kur s’është nuk rri dot pa u grric.

E tha mirë ajo goca që foli para meje: “Shoku të leka jetim”

Shënim: Këto dy fjalë u thanë në “Vitin pa Sokol Olldashin”

SHKARKO APP