Shpëtim Idrizi dhe Edi Rama, pse u “prishën” dy shokët në shtator 2009
Deri në vitin 2005, Shpëtim Idrizi, ishte një “shërbëtor” i selisë rozë. Në fakt, i mori të dyja prej socialistëve. Edhe shërbimin, edhe shërbesat.
Fatos Nano ishte i pari që e afroi Shpëtim Idrizin, kur e përfshiu në qeverinë e vet, për shumë vite me radhë si Drejtor të Përgjithshëm të Tatimeve. Dalëngadalë, Idrizi u fuqizua së tepërmi. E jo vetëm kaq. Ishte një ndër njerëzit që bëri edhe afrimin e turqve, madje edhe ndërmjetësimin, për blerjen e Albtelekom.
Në vitin 2005, njeriu që e mbështeti më shumë Fatos Nano, dha dorëheqjen nga partia. Edi Rama po vinte në krye, ndaj dhe Shpëtim Idrizi po shikonte për aleancat e reja. Të gjithë e mbajnë mend shkathtësinë e tij dhe drejtimin e zyrës së financës në PS në katin e tretë të selisë. Katër vjet “çimentoi” një aleancë të fuqishme me Edi Ramën. Të gjithë i mbajnë mend kafetë, drekat, darkat që ata kalonin së bashku. Ku ishte Rama, ishte edhe Shpëtim Idrizi.
Zgjedhjet e vitit 2009, ishin të vështira, por edhe vendimtare për kryetarin socialist, i cili, edhe për shkak të fuqisë, njohjeve, por edhe organizimit, e propozoi Shpëtim Idrizin si kryetar të Qarkut të Tiranës. Ai do të merrte përsipër organizimin e takimeve elektorale socialiste e gjithcka, përpara se lista të bëhej publike.
Këtu ndodh edhe surpriza, apo katapultimi. Kur mendonte se e kishte të sigurt emrin në listë, ndër të parët në listën e Tiranës, Edi Rama i komunikon se nuk do ta vinte në listën e Tiranës, as në fillim jo e jo, por …të katërtin në listën e Vlorës së PS.
Atë ditë të majit 2009, të gjithë e mbajnë mend sherrin e madh në PS, kur Shpëtim Idrizi ulëriste ndërkohë që Rama përballë qëndronte i qetë. Njeriu që ishte marrë më gjatë me zgjedhjet dhe financat e PS nuk po vlerësohej nga Rama. Aq i nxehur ishte Idrizi, sa njerëzit që kanë qenë aty, flitej se e kanë parë me tavëll duhani në dorë, por nuk dihet nëse kishte pasur ndërmend të qëllonte kryesocialistin.
Sidoqoftë, Idrizi shkoi i katërti në Vlorë dhe fitoi, hyri në kuvend në legjislaturën 2009-2013. Por sapo filloi legjislatura në shtator 2009, për të rrënuar akoma më tepër numrat e vafër të PS (vetëm 66 deputetë në ato zgjedhje), Shpëtim Idrizi, mes inatesh dhe sherresh, vendos të largohet nga Partia Socialiste. Kishte kohë që e bluante në kokë planin e tij të ikjes. Por shfrytëzoi një kërkesë formale të Tahir Muhedinit, për të marrë drejtimin e partisë së çamëve, që në atë kohë e kishte emrin PDI.
Në shtator 2009, Idrizi, e la PS në baltë, sikurse PS e kishte lënë atë. Bashkohet dhe del në krye të PDIU, tashmë me një emër të ri, dhe çamët, arrijnë dy vota në parlament.
I dërrmuar nga lojërat politike, dhe nga financat gjithashtu, Shpëtim Idrizi shpalli bashkëpunimin me qeverisjen e djathtë të PD.
A ishte bërë pishman Edi Rama për këtë vendim? Dhe për largimin e një prej shokëve të tij? Ndoshta, por nuk kishte më kohë të mendonte për këtë aleancë. Zgjedhjet e vitit 2013 erdhën dhe PDIU, arriti të marrë në kuvend 5 deputetë, duke e faktorizuar më shumë Shpëtim Idrizin.
Dje, në 30 mars, Shpëtim Idrizi po hynte i qetë në PS. Ndoshta e kishte marrë malli edhe për selinë e dikurshme, ku kishte kontribuuar aq shumë kohë, nerva, energji dhe para. Që nga përkujdesja për rregullimin e zyrave, e deri tek lyerja e fasadave.
Por dje, Shpëtim Idrizi, nuk po hynte në takim për të qenë njeriu që do të shkonte te shefi për të pritur se i sati do të ishte në listën e PS. Hyri si lider i një force politike, që kërkonte nga torta e pushtetit socialist të zgjedhjeve lokale. Duke shënuar kështu, edhe rikthimin në aleancën e majtë. (a.basha)