Shpikja e Km-së: S’ka “Armiq të brendshëm”, “armiku” është Opozita!
Nga Artur ZHEJI –
Nuk ka më LSI, në qeveri. Nuk ka më aleatë fajtorë dhe mëkatarë, të cilët, “shkatërrojnë natën, atë që ndërtohet ditën” nga Rama &, sepse të gjithë ministrat dhe drejtorët socialistë, apo të socialistizuar nën hyqmin e Km-së, janë të pastër dhe të ndershëm.
“Ne nuk jemi njësoj me ata!” është një nga shprehjet që ay, Km-ja, e thotë shpesh kur gjindet ngushtë dhe kur është rrafsh me shpatulla pas murit.
Pra, thotë dhe kërkon të na mbushë mendjen ay, kemi 2 Shqipëri dhe 2 lloj shqiptarësh, ata që punojnë dhe shërbejnë për Km-në, të “Mirët dhe të ndershmit” dhe ata që janë kundërshtarë politikë, të “këqinjtë dhe grabitqarët shkatrrimdashës!…”
Kjo ftesë për popullin, që ta shohë “bardhë e zi”, realitetin shqiptar, është një groshë e vjetër, e mejhanes propagandistike puniste (e ish Partisë së Punës), që brezi im dhe i Km-së, e ka jetuar dhe e njeh fare mirë.
Propaganda e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe e propaganda e sotme: “Shqipëria që duam”, e që lëvrohet në ERTV-në e Km-së, ka tashmë të njejtën skemë bardh e zi, të këqinjtë, “armiqtë” e Partisë (dje të Partisë së Punës, sot të Partisë Socialiste), janë edhe armiqtë e Shqipërisë (dje Shqipëria Socialiste, sot Shqipëria që duam).
Ku shkon kjo platformë lufte klasash dhe kjo ndarje në dy Shqipëri e vendit tonë edhe kështu krejt i vogël?
Shqipëria e Mirë dhe Shqipëri e Keqe, Shqipëria e Shpëtimtarëve misionarë dhe Shqipëria e Maskarenjve shkatërrimtarë…
Kjo nuk është një qasje naïve dhe retorike, por është një tendencë e rrezikshme për të përligjur një fushatizëm politik të përhershëm, që krijohet qëllimshëm me sa duket, që Km-ja, të ketë në xhep helm dhe helmatisje të mjaftueshme përçarëse, sipas parimit hoxhist të mirëkolauduar: Një popull i përçarë sundohet më lehtë!… Sepse mjerisht pikësynimi është vetëm sundimi dhe iluzioni i përjetësimit të pushtetit politik dhe jo vetëm.
Sepse, sikundër dhe kanë ardhur punët, Km-ja, e ka të vështirë të konceptojë jetën e vet pa pushtet maksimal, pasiqë ka bërë kaq dëme ndër njerëz dhe ish-miq e ish-partnerë, saqë ndjehet i friguem me mbet pa pushtetin mbrojtës një ditë të bukur…
Ky përfundim nuk më gëzon aspak në planin personal, porse kjo është thjesht e vërteta e hidhur e Km-së dhe tensioneve që krijohen natyrshëm nga një qeverisje të cilën propaganda ka filluar ta pikturojë sikur: Të mirët qeverisin, kurse opozitarët, të këqinjtë dhe baltosësit me një fjalë, janë sabotatorë të “Shqipërisë që duam”, apo e thënë troç, të asaj Shqipërie që do Km-ja.
Një çiflik që adhuron Beun dhe taksidarët e tij dhe që është gati të dhurojë ditë jete nga të vetat, për beun e fshatit dhe oligarkët e tij… 360gradë.al