Shqipëria me 2. 8 milionë banorë dhe 3. 3 milionë votues!
Nga Zef Shtjefni
Duken si lapsur këto shifra, por nuk është aspak ashtu. Shqipëria, nga censusi i fundit i Qeverisë Berisha 2, doli se kishte afro 2. 8 milionë banorë. Ndërsa tani së fundi, të dhënat e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, thonë se do të kemi 3. 3 milionë votues. Si të jetë e mundur vallë një gjë e tillë!? Duke marrë parasysh se Shqipëria ka një popullsi me moshë të re (30-40 vjeçe) dhe nga ana tjetër, ka 3. 3 milionë votues, atëherë shtrohet pyetja: po të rinj, që nuk kanë mbushur moshën e votimit , sa paska ky vend? Duhet të jenë diku afër 30-35% e popullsisë, që i përket kësaj moshe. Nëse, me një llogari të thjeshtë del kështu, lind pyetja tjetër: sa shqiptarë ka ky vend? Me këto “barinj” që kemi, hajde merre vesh se sa jemi! Me këto shifra që na jep censusi i Saliut, nuk shkohet gjëkundi, ashtu siç nuk shkohej me shumë punë të tjera gjysmake të tij. 3 mln, 3. 5 ml, 4 mln, 4. 5 mln, apo sa jemi vallë? Duhet të jemi afro 4. 5 mln , mëqë kemi 3. 3 milion votues dhe afro 30% të popullsisë me moshë nën 18 vjeç. Si mund të jenë reale ato shifrat që kemi vënë si titull të këtij shkrimi!?
Sipas censusit të Saliut të II-të Shqipëria ka 2. 8 mln banorë. Kështu ua kanë vërtetuar ato pleq e plaka, që kanë gjetur nëpër shtëpi, censistëve të tij. Por nga regjistrat e gjendjes civile vetëm votues na dalin sot 3. 3 milionë, thotë Komisioni Qendror i zgjedhjeve! Kështu që censusi i Saliut, nëse ka ndonjë vlerë, mund ta ketë vetëm për të na treguar se sa shqiptarë jetonin në Shqipëri në atë kohë, por jo sa shqiptarë ka Shqipëria. Prandaj është normale të dalim 3. 3 mln votes, sepse kemi më shumë se një të tretën, për të mos thënë afro gjysmën e shqiptarëve me të drejtë vote, jashtë në emigracion. Ata detyrohemi t’i vëmë në listat e votimit, edhe pse tash 24 vite nuk u japim të drejtën e votës. As tre për qind e tyre nuk kanë votuar që nga viti 1990 e këtej, sepse politika jonë u thotë: lëreni punën e familjet dhe hajdeni e votoni në Shqipëri. . ! Zgjedhjet edhe kësaj here janë në prag. Por, përsëri nuk pamë as edhe një përpjekje që emigrantëve t’u krijohet ndonjë kusht apo mundësi për të shprehur të drejtën e tyre elementare kushtetuese, për të votuar qeverisjen e tyre dhe të familjeve të tyre. Asnjë nga palët politike, që na ka qeverisur, siç duket, nuk ia kanë qefin votës së emigrantëve. Madje, në të shumtën e herëve kemi filluar t’i quajmë, refugjatë. D.m.th. të ikur. Po pse valle nuk e kanë qejf votën e emigrantëve politikanët tanë? Sa herë i kemi dëgjuar të flasin me nota ekzaltuese për ndihmën e madhe që ata i japin vendit me paratë që dërgojnë këtu. Paratë ua kemi qejf, sepse ata i zgjidhin Shqipërisë dhe qeverive të saj sa e sa probleme sociale. Por votën e emigrantëve askush nuk e do! Nuk e duan se ndoshta kanë frikë prej saj. Politika jonë tash 24 vite i është turrur me bataret e propagandës elektorale pjesës rurale të fshatrave dhe rrethinave të qyteteve tona. Dhe nuk e ka keq. Me pak tullumbace ua bëjnë trutë dhallë dhe i bëjnë t’u shkojnë pas si kope. Ndërsa emigrantët kanë preferuar t’i mbajnë larg, sepse me siguri e dinë se ata nuk e gjuajnë kot votën në kuti. E dinë mirë se të manipulosh votën e emigrantëve, është shumë më e vështirë. Vota e emigracionit është më e kualifikuar dhe me siguri është kjo arsyeja pse politikanët tanë i trembën asaj. Ambasadat tona, që na kostojnë afro 2 mln euro në vit, i kemi kthyer në kavaleshenca për partizanët dhe të afërmit e politikanëve dhe në pjesën më të madhe të rasteve të vetmin shërbim që bëjnë, është shërbimi taxi e ciceron falas për politikanët tanë, për familjarët dhe rrethin e tyre partiak. Emigrantëve apo refugjatëve, siç i thërrasin rëndomë, janë të interesuar vetëm t’u zhvasin ç’të mundën ambasadat e konsullatat tona, për ndonjë dokument a ndonjë copë letër, që mund t’u nevojitet. Por për të votuar nëpër ambasada, i kanë dyert e mbyllura. Se për votim me internet, as që mund t’u shkojë mëndja, edhe pse sot ata, në botën moderne ku jetojnë, çdo gjë online e bëjnë. Bëjnë pagesat, dërgesat, aplikimet, votimet, nëse kanë dy shtetësi etj., etj.
Politika shqiptare u ka vënë vizë emigrantëve. I quan refugjatë ata dhe nuk e do bezdisjen e tyre elektorale. Është kjo arsyeja absurde pse Shqipëria e censusit të Saliut ka 2. 8 mln banorë, ndërsa sot na dalin 3. 3 mln votues. Mbase ky përjashtim u ka interesuar si demokratëve dje, por ndoshta edhe socialisteve dhe LSI-stëve sot, sepse kështu lidershipi i tyre ka mundësi t’i zgjedhë vetë deputetët dhe komunarët e shqiptarëve. E kemi parë dhe po e shohim çdo ditë se sa bukur i kanë zgjedhur! Kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë sa kohë që do të vendosin ata dhe jo populli për fatin e vet, për qeverisjen dhe përfaqësuesit e tij.