Shqipëria me prodhime bio, por me tregjet më të pista në Europë
Sa herë vij në Shqipëri më kënaqet syri kur shoh perimet e frutat aq cilësore në tregjet e fshatarëve kudo nëpër rrugët e Tiranës dhe çdo qyteti. Kënaqesh më tepër kur i shijon ato, sepse kanë vërtetë shijen origjinale, kundërmojnë aromat bio të tyre. Shpesh u them miqve të mi se ato që blejmë e hamë atje, nëpër supermarketet e mëdha të Europës, duken fruta e perime plastike në krahasim me tonat. Ato janë të papjekura, apo të pjekura rrugëve dhe magazinave me javë e ndoshta me muaj të tërë. Ndërsa këtu tek ne çdo mëngjes herët, fshatarët dalin tezgave, apo cepeve të rrugëve me ato prodhimet e kopshteve të tyre aq të freskëta, të shkulura, apo vjelura në mëngjes, apo në darkë. Mes erës së domateve, hudhrave të njoma, ullinjëve, mollëve e luleshtrydheve, sallatës e kastravecave të freskët njeriu magjepset e nuk e di ç’të blejë më parë. “I keni zgjedhur vetëm për ne”, pyesnin kuzhinieren e një restoranti vitin e kaluar një grup turistësh çekë në Shëngjin. “Po, po”, i përgjigjej ajo dhe ikte duke tundur kokën e duke thënë me vete: “Këto gjana kështu i hanë për ditë edhe lopët këtu”. Mirëpo, si dhe shumë të mira të tjera që kemi ne shqiptarët, gjithë këto vlera kaq të rëndësishme dhe kaq jetësore i humbasim për pak punë. I humbasim për pak kulturë, për pak dije, për pak rregull. Shumë prej nesh kemi mësuar të prodhojmë, por nuk dimë të tregtojmë. Nuk dimë të reklamojmë. Nuk dimë të mbajmë pastër dhe estetikisht thuajse asgjë. Këtu shpesh të duket sikur e bukura është si ajo bukuria që vret, me të cilën një pjesë e madhe jona nuk janë mësuar ende të bashkëjetojnë. Në tregjet tona plot me fruta e perime të mrekullueshme bio mbretëron pisllëku e kaosi. Në mes të pluhurit të rrugëve, shakull në diell, mbi copa dërrasash, mbi blloqe betoni e mbi teneqe shiten prodhimet bio të fermerëve tanë rrugëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Më tmerr akoma është kur sheh dyqanet e mishit e peshkut të hapura në mes të pluhurit dhe të rrethuar nga mizat. Ka mundësi që shumë prej nesh që i blejmë dhe shumë prej atyre që i shesin prodhimet bujqësore e blegtorale nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë se ushtritë e tmerrshme të bakterieve të padukshme që fshihet nën gjethet e perimeve, në lëkurën e frutave, në poret e mishit e peshkut, në kazanët e tepsitë e ullinjëve, të gjizës e djathit, etj.. “Ne jemi ajo që hamë”, thonë shpesh doktorët. Ne, shqiptarët hamë ushqime bio, por së bashku me to hamë me mijëra bakterie çdo ditë. Vjen fjala, nëse do ta vrisnin pak mendjen bashkiakët tanë për standardet e vendeve të shitjes, apo tregjeve, situata do të ishte ndryshe. Nuk e kam aspak fjalën për fonde e investime, por thjesht për ide organizative, sepse edhe në Europë këto tregje privatët i ndërtojnë, i pastrojnë e i mbajnë në rregull. Ispektorët e Bashkisë dhe Ministrisë kanë për detyrë të kontrollojnë e vënë gjoba, të heqin e japin liçensa. Po të kryenin edhe ata punën e tyre gjendja nuk do të ishte kjo!
Shqipëria, pa ekzagjerim ka prodhimet bujqësore dhe blegtorale më të mirat në rajon. Por gjithashtu ka tregjet dhe dyqanet më të pista në Europë. Mendojmë se i lajmë me ujin e Bovillës, që vjen tubave të ndryshkur dhe të pistë të ujësjellësit të shtëpive tona, por nuk është aspak ashtu. Por më e keqja akoma është se kur të mësohet syri më të keqen, nuk të bën përshtypje asgjë, nuk sheh asgjë dhe nuk mendon asgjë. Bile, nëse dikush nga shitësit do provonte sot t’i fuste frutat perimet brenda, apo t’i shiste në zona të mbrojtura nga dielli e pluhuri, atje nuk do të shkonte njeri të blinte. Ma kanë konfirmuar këtë sa e sa fermerë. Pra jemi edhe ne blerësit që i duam ato aty, buzë të rrugës, mes të pluhurit e mizave, në pikë të diellit. Ashtu, siç jemi mësuar të tregtojmë e blejmë së bashku Versaçin me Gabin, po kështu jemi mësuar të blejmë e konsumojmë prodhimet bujqësore dhe blegtorale bio dhe më të mirat në Europët, të cilat i blejmë në mes të pluhurit dhe pisllëkut.
Është çështje kontrolli shtetëror, por mbi të gjitha çështje kulture kombëtare!
ZEF SHTJEFNI