Shqipëria në Bashkimin Europian në 2033

Klementin Mile

Nëse Shqipëria arrin të anëtarësohet ndonjëherë në Bashkimin Europian, kjo nuk pritet të ndodhë para vitit 2033. Bashkimi Europian vendosi: Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do t’i hapen negociatat. Është e kotë të flasim për Komisionin Europian që ishte dakord për hapjen e tyre dhe për Këshillin Europian që doli kundër. Apo të futemi në detaje jo vendimtare, duke dalluar disa shtete europiane që ishin kundër dhe shumicën që ishin pro. Bashkimi Europian është një organizatë komplekse që nuk mund të reduktohet shkencërisht në këto terma, përveçse për qëllime politike.

Por a i përket Shqipëria natyrshëm Europës? Apo ne kemi ecur vetëm formalisht në procesin e integrimit, si të thuash, pa u europianizuar? Si t’i dallojmë zërat e ndryshëm të “polifonisë” europiane, ata miratues dhe skeptikë? Çfarë është integrimi europian dhe kur mund të anëtarësohet Shqipëria në “familjen e madhe” europiane?

“Europa”: e bukur, e gjatë dhe me sy të mëdhenj

Historia e Europës dhe historia e Bashkimit Europian nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ka shumë pika takimi në momente të ndryshme historike. Termi “Bashkim Europian” i përket shekullit XX, ndërkohë që termi “Europë” daton shumë më herët. Termi “Europë” u përdor për herë të parë gjatë civilizimit grek, por në dy kontekste: njëri mitologjik dhe tjetri gjeografik. Prej etimologjisë së këtij termi mund të ngrihen shumë hipoteza, por megjithatë fjala greke eurus do të thotë e gjerë, duke e lidhur në këtë mënyrë Europën me hapësira të gjera territoriale. Në aspektin mitologjik Europa konsiderohej si një femër shumë e bukur, e gjatë dhe me sy të mëdhenj. Gjithashtu Afrikës, në atë kohë i referoheshin shpesh me emrin Libia. Siç duket qartë, emrat e kontinenteve që njiheshin atëherë (Europa, Azia, Afrika) në të gjitha versionet janë femërore. Kjo tendencë ka rezistuar deri në ditët tona, madje jo vetëm në lidhje me emrat e kontinenteve, por edhe të shteteve përbërëse të tyre.

Nga ana tjetër, në aspektin gjeografik, në lashtësi Europa shihej si një territor i ndarë nga dy kontinentet e tjera: Azia dhe Afrika. Europa konceptohej si territor i kufizuar në veri nga Deti i Veriut dhe në lindje nga Ngushtica e Bosforit. Ky ishte konteksti mitologjiko – gjeografik i “Europës” përgjatë civilizimit grek.

Mitologjikisht nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria të mos i përkasë Europës. Edhe gjeografikisht vendi ynë bën pjesë në Europë. Pengesat, pra, janë të një natyre tjetër. Ato lidhen me paaftësinë e shqiptarëve për t’u europianizuar në atë masë që nevojitet për të jetuar sipas standardeve europiane. E kjo do të thotë që parimet, vlerat dhe normat europiane të mos mbeten jashtë nesh si sanksione negative ose si “detyra shtëpie”, por të brendësohen dhe jetësohen në të gjitha ndërveprimet, organizimet dhe komunikimet e shoqërisë sonë.

Polifonia europiane e interesave

Në Bashkimin Europian bashkëekzistojnë zërat e shumë kategorive dhe grupeve të interesit. Kështu, detyrën për të mbrojtur interesin e përbashkët të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian e ka Komisioni Europian. Është pikërisht Komisioni që kujdeset për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në kohë dhe që marrin parasysh interesin e përbashkët. Por, për të kryer këtë funksion, Komisioni Europian duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera të Unionit.

Nga ana tjetër, shtetet anëtare të Bashkimit Europian përfaqësohen në Këshillin e Ministrave dhe në Këshillin Europian. Tek i pari ata dërgojnë ministra, ndërsa tek i dyti marrin interesin e shtetit e mbron kreu i shtetit, sipas rastit, president ose kryeministër.

Së treti, Parlamenti Europian, i zgjedhur nëpërmjet votës së qytetarëve europianë, kryen funksionin e përfaqësimit të zërit qytetar në procesin e vendim-marrjes së BE-së. Siç shihet, në Bashkimin Europian bëhet dallimi ndërmjet interesit kombëtar (të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Europian) dhe interesit të përbashkët (të përfaqësuar nga Komisioni Europian) nga njëra anë, dhe interesit të qytetarëve europianë, nga ana tjetër.

Garantimi i paprekshmërisë së rregullave të lojës është funksioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Është ky institucion që ndërhyn në rastet kur raportohet se është shkelur e drejta e Bashkimit Europian, d.m.th. traktatet, direktivat, vendimet, rregulloret etj.

Refuzimi që Këshilli Europian i bëri Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet kuptuar si i ardhur për të mbrojtur interesin kombëtar të shteteve të Unionit, natyrisht, i lidhur me frikërat që kanë peshë elektorale në ato shtete, si për shembull me frikën e kërkesave të larta për azil nga shqiptarët, siç theksoi, për shembull, presidenti francez, por edhe me frikën e përhapjes së krimit të organizuar shqiptar në territorin europian, për të cilën u shpreh kryeministri holandez. Refuzimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut qe një rast tjetër për të dëshmuar fuqinë e interesit kombëtar në Bashkimin Europian përkundër interesit të përbashkët dhe interesit qytetar.

Integrimi europian si solidaritet

Për të kuptuar integrimin europian është e nevojshme të kuptohet fillimisht se çfarë do të thotë “integrim”. Le të mendojmë diçka të përbërë nga pjesë, p.sh. një institucion. Pjesët e institucionit janë sektorët që e përbëjnë atë. Këta sektorë quhen të integruar, atëherë kur efektet që prodhohen tek njëri sector ndikojnë në funksionimin e sektorëve të tjerë. Integrimi, ashtu si dhe efektet, mund të jetë pozitiv ose negativ, por është e rëndësishme të kuptohet që mbi të gjitha, integrim do të thotë që pjesët e ndryshme nuk mund të jenë më të izoluara, krejtësisht të pavarura dhe indiferente. Në një kuptim më të afërt me ndjeshmëritë njerëzore, integrim do të thotë solidaritet: do të thotë gëzim i përbashkët dhe hidhërim i përbashkët.

Por çfarë është integrimi europian? Në rastin e integrimit europian pjesët që integrohen janë shtetet kombëtare. Ajo që shtetet kombëtare humbasin gjatë procesit të integrimit europian është sovraniteti, që do të thotë se për një numër të konsiderueshëm çështjesh vendimet nuk mund të merren më prej qeverive të shteteve kombëtare, por prej institucioneve të Bashkimit Europian. Ndërsa ajo që shtetet kombëtare fitojnë gjatë integrimit europian është solidariteti, i kuptuar si treg i përbashkët, mbrojtje e përbashkët, monedhë e përbashkët, politikë bujqësore e përbashkët etj.

Nga ana tjetër, solidariteti që rrjedh prej integrimit europian bazohet në disa vlera themelore të përbashkëta, të cilat duhet t’i respektojnë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, si dhe ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen në të. Këto vlera shpesh grupohen në të ashtuquajturat kritere, ku kriteri politik i referohet fushave si demokracia, shteti i së drejtës, mbrojtja e të drejtave të njeriut, dhe mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteve. Kriteri politik thekson faktin që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian funksionojnë mbi bazën e demokracisë liberale, shteti i së drejtës është i konsoliduar, të gjithë janë të barabartë para ligjit, të drejtat e njeriut janë të shenjta dhe minoritetet nuk i nënshtrohen diskriminimit. Përqafimi i këtyre vlerave është vendimtar dhe themelor për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Në këto rrethana, një pjesë e konsiderueshme e ndihmës së BE-së për Shqipërinë synon pikërisht ndërtimin dhe aplikimin e këtyre vlerave.

Kriteri ekonomik ka të bëjë me pasjen e një ekonomie tregu funksionale, të aftë për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut të Bashkimit Europian. Kriteri ekonomik synon të trajtojë çështjen e integrimit ekonomik në Bashkimin Europian. Shqipëria, p.sh. duhet të forcojë ekonominë e vet, duhet të fusë teknologji të avancuara dhe të sigurojë se produktet dhe shërbimet shqiptare janë të standardeve dhe cilësisë së lartë, që nuk janë të dëmshme për konsumatorët, në mënyrë që të bëhet i mundur përballimi i konkurrencës me ekonomitë e shteteve anëtare të BE-së.

Kriteri administrativ është aftësia për të përballuar detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai nënvizon nevojën e adoptimit (miratimit dhe zbatimit) të legjislacionit të Bashkimit Europian në kuadrin ligjor të shtetit shqiptar. Për këtë nuk është thjesht e nevojshme që Parlamenti shqiptar të miratojë traktatet, direktivat, vendimet, rregulloret dhe akte të tjera ligjore të BE-së si pjesë e legjislacionit tonë, por në të njëjtën kohë Shqipëria duhet të forcojë administratën shtetërore për të bërë të mundur zbatimin e legjislacionit të ri.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE

Procesi i integrimit europian mund të ndahet në një numër fazash, të cilat janë shtatë. Shqipëria e ka nisur këtë proces 16 vjet më parë, në janar 2003, dhe ka arritur të kalojë katër faza: fillimin e negociatave të MSA-së, nënshkrimin e MSA-së, hyrjen në fuqi të MSA-së, dhe Opinionin pozitiv të Komisionit Europian për vendin. Shqipërisë do t’i duhet të kalojë edhe tri faza të tjera për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Këto faza të mbetura janë hapja e negociatave të anëtarësimit, nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit, dhe marrja e një date anëtarësimi. Përvoja e vendeve të tjera të përfshira në procesin e integrimit ka treguar se këto faza, në varësi të problematikës së vendit dhe gjendjes së Unionit, mund të zgjasin pak ose shumë. Kështu, hapja e negociatave të anëtarësimit mund të marrë nga 1 deri 7 vjet; nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit nga 2 muaj deri 5 vjet; dhe marrja e një date anëtarësimi nga 1 deri 2 vjet. Pra, e shkuara sugjeron se Shqipëria, nëse do të anëtarësohet ndonjëherë në Bashkimin Europian, do të arrijë ta bëjë këtë në rastin më të mirë në vitin 2022 dhe në rastin më të keq në vitin 2033. Nisur nga gjendja aktuale e vendit, nga kultura politike e masës dhe vetëdija e elitës politike, data e dytë, padyshim, duket më realiste.

/Gazeta Liberale/

SHKARKO APP