Shqipëria në sytë e një amerikane

Nga Miranda Der/Shqipëria është pjesa e bukur e botës me njerëzit mikpritës dhe të këndshëm, me një tolerancë fetare të jashtëzakonshme, ushqime bio dhe të shijshme, dhe një histori mbresëlënëse me tradita të gjalla dhe mentalitet të trashëguara ndër shekuj. Kam qëndruar këtu për tre vite dhe mund të them, me plot bindje, që jam e trishtuar të largohem nga Shqipëria. Shqipëria është një vend ku falet shumë dashuri. Shqipëria di çfarë kuptimi mbart fjala “familje.” Ajo shpërfaq besnikëri. Ajo praktikon dhembshuri. Në tre vite që kam kaluar këtu, Shqipëria më ka ofruar dashurinë e saj. Unë kam marrë katër puthjet te faqet nga njerëzit që për mua janë si familje. Jam ulur të tavolina e familjes dhe në dasmën Shqiptare. Madje, një Shqiptare ka bërë një kostum popullor të krahinës së Mirditës për mua.

Kam mësuar të këndoj këngët dhe të kërcej vallet shqiptare. Kam shëtitur në të gjithë Shqipërinë nga Thethi deri në Butrint; Lezhë deri në Korçë dhe shumë qytete të tjera. Kam parë shumë fshatra në të cilët jetojnë njerëz të sinqertë. E kam bërë zakon të mësoj traditat shqiptaret që duken pak të çuditshme për mua si një amerikane. Më behët zemra mal kur unë shikoj dy persona që luftojnë me gjithë zemrat e tyre për të paguar faturën e kafeve. Buzëqesh shumë kur njerëzit më tregojnë që ka gjasa të sëmurem kur unë dal me flokë të lagur ose me mangë të shkurtra.

Njerëzit shqetësohen shumë për mua kur dëgjojnë që unë jetoj vetëm dhe kjo gjë për mua është një situatë humori. Para ardhjes sime në Shqipëri, asnjëherë s’kam pirë më shumë se 2 kafe në ditë. Njerëzit rreth meje kurrë nuk ishin interesuar që unë jam me origjinë gjysëm kineze sepse në Amerikë, unë thjeshtë dukem një “Amerikane” dhe origjina e njeriut nuk është një gjë e veçantë. Shqiptaret janë kureshtare dhe të drejtpërdrejtë. Është shumë e ndryshme nga kultura në të cilën jam rritur, dhe ndonjëherë është e vështirë për mua të jetoj këtu. Por shumicën e kohës, jeta ime këtu është interesante dhe kam kaluar shumë mirë.

E dua shumë Shqipërinë dhe kam shumë besim për të ardhmen e Shqipërisë, por do të jem një gënjeshtare nëse do të them që Shqipëria nuk ka disa problematika shumë të thella. Për mendimin tim, pesimizmi është problemi më i madh këtu, i shpërndarë si një sëmundje nëpër Shqipëri. Kjo humbje e shpresës është si një infeksion që dobëson Shqipërinë dhe krijon mundësi për sëmundje të tjera. Këto sëmundje janë korrupsioni, ndotja, dhe varfëria. Shqiptaret që kanë shumë potencial për të ofruar ikin nga Shqipëria sepse besojnë që mund të gjejnë një jetë më të mirë jashtë vendit të tyre. Shqiptarët vazhdojnë të hedhin mbeturina në lumë e në rrugë, dhe nuk mendojnë që një njeri mund të jetë një shembull në fillimin e një ndryshimi. Forca për të kontribuar në rregullimin e Shqipërisë është pothuajse e humbur me brezin e vjetër.

Miranda DerPor të rinjtë sjellin një energji të re në Shqipëri. Mendoj që të rinjtë janë si lulja Mimoza. Njerëzit më të trishtuar ndihen më mirë kur janë afër Mimozës. Kjo ndjenje “e re,” aroma e mirë dhe ngjyra shumë e ndritshme që freskon të gjithë. Mimoza është vetëm një pjesë e natyrës këtu në Shqipëri që është e mrekullueshme. Në Amerikë do të paguanim shuma të mëdha parash për produktet Shqiptare sepse janë më të freskëta, më të shijshme dhe krejtësisht bio. Edhe pamjet këtu janë të mahnitshme. Çdo ditë kur unë zgjohem, shikoj pamjen nga ballkoni im që është Kalaja e Lezhës, shikoj malet dhe fshatrat me shumë gjelbërim dhe mendoj… Unë jetoj në një përrallë.

Në sytë e mi, Shqipëria ka nevojë për më shumë punë. Është si në fazën e adoleshencës. Ka shumë potencial, është luftarake, sfidon çdo ditë vështirësitë dhe pesimizmin, është e bukur, po zhvillohet dhe ka një zemër të madhe. Gjithmonë do jem e lidhur me Shqipërinë. Do të luftoj për Shqipërinë. Jam shumë mirënjohëse për miqtë e mi shqiptare që më kanë dhuruar kulturën dhe mikpritjen Shqiptare. Shpresoj që edhe ata kanë mësuar diçka për kulturën time Amerikane.

Kur të vij serish të vizitoj Shqipërinë, jam e sigurt që do të takoj një Shqipëri më të rritur dhe më të fortë.  Shihemi më vonë, Shqipëria ime. Do më mungoni shumë!

*Vullnëtare e Korpusit të Paqes 2013-2016, në Milot dhe Lezhë

SHKARKO APP