Shqipëria nuk ka pasur “Ushtarë të panjohur” !

Koncepti “ushtar i panjohur” (“miles ignotus”) është i vjetër dhe i krijuar fillimisht gjatë luftërave koloniale, për ushtarët që mbeteshin nëpër rërat e shkretëtirave të paidentifikuar dhe që përmblidheshin nën emërtesën “të panjohur”. Në shek. XX kjo e emërtesë u përdor edhe mbas së Parës Luftë Botërore nga vende ushtritë e të cilave kishin humbje të atilla sa mbeteshin të vrarë edhe ushtarë të paidentifikuar, pra të paregjistruar, dhe atyre në shenjë përkujtimi simbolik u ngrihej nga një varr i përbashkët, që njihet nën emërtesën ndërkombëtare “The Tomb of the Unknown Soldier”. Ndonjëherë përdoreshin edhe ndonjë palë eshtra, të zgjedhura kuturu ndër të paidentifikuarit, në mënyrë që Varri i Ushtarit të Panjohur të mos quhej “bosh”. 
Monumenti në fjalë i Tiranës i përket Luftës së Dytë Botërore dhe shqiptarë të vrarë dhe të paidentifikuar gjatë asaj Lufte nga radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk ka pasur. Madje nuk ka pasur të rënë “të panjohur” as nga Balli Kombëtar, as nga Lëvizja e Legalitetit, që ta meritonin ose ta meritojnë sot ndonjë monument për “ushtarë të panjohur”: edhe ata kanë qenë dhe janë të identifikuar. Kjo është e mirëkuptueshme sidomos në një vend të vogël si Shqipëria ku “të gjithë i njohin të gjithë”. 
Monumenti në fjalë është konceptuar, ndërtuar dhe emërtuar “Partizani Çlirimtar”, i shoqëruar me një basoreliev që riprodhon pamje nga beteja për çlirimin e Tiranës, mbante edhe një përkushtim pikërisht për partizanët që dhanë jetët e tyre në atë betejë. Emri “partizan” nuk është ndonjë emër “turpi”, as i sajuar nga shqiptarët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është përdorur nga formacione të ndryshme antifashiste të rezistencës: edhe nga italianët (“i partigiani”), edhe nga francezët (“les partisans”) etj. Nëse monumenti “Partizani çlirimtar” rezulton i pëlqyeshëm për disa dhe i papëlqyeshëm për ndoca të tjerë, kjo është çështje më vete. Por t’i sajosh Shqipërisë të tillë “ushtarë të panjohur”, qoftë nga padija qoftë nga papërgjegjshmëria, nuk fyen ndonjë forcë politike: fyen vetë Shqipërinë.

SHKARKO APP