Shqipëria votoi Lezhën
Me këtë akt, besoj, Basha del nga humbja. Edhe nga ajo e 25 qershorit. Sepse, kjo humbje është e tij, por absolutisht jo vetëm e atij. Sepse, Shqipëria më 25 qershor votoi Lezhën.
Nga Alfred Lela
Në vitin 1991, kur u zhvilluan zgjedhjet e para paskomuniste në Shqipëri, kam qenë në klasë të fundit të shkollës, që asokohe quhej 8-vjeçare. Lulzim Basha ka qenë, ndoshta në gjimnaz, në të parin apo të dytin vit. Në ato zgjedhje fitonte Partia e Punës përballë Partisë Demokratike.
Humbje e thellë ka qenë atëherë, e tillë është edhe sot.
Për Lulzim Bashën, thellësia e humbjes dhe e dhimbjes së sotme pret edhe më fort. Atëherë ishte një mpirje që vinte nga habia. Sot është një habi që vjen nga dhimbja.
Besnik Mustafaj i kërkoi dorëheqjen Lulzim Bashës. Nga pozitat e një demokrati të vjetër dhe aspak një armiku të ri. Unë e konsideroj mik Mustafajn (për këtë ia ndërroj emrin në Besmik), dhe besoj te dëshpërimi i tij i sinqertë. Siç besoj se duhej të priste deri te leximi përfundimtar i rezultatit, që të mos ndihmonte në shkurajimin e strukturës menaxhuese të procesit të numërimit, por tashmë është vonë edhe për këtë.
Mustafaj është i pari, dhe ndoshta i vetmi fisnik, në radhën që do zgjatet, të atyre që do kërkojnë kokën e Bashës. Shumica syresh do t’i ndërtojnë sulmet nga pozitat e pozitave të humbura, por do ta paketojnë atë si ‘merak të patretun’ për Partinë Demokratike. Pavarësisht. Fakti është se përplasja që do na shpërfaqet para syve në ditët në vijim, është ajo mes mëtuesve për kreun e Partisë Demokratike. Ka qenë e tillë që në fillim. Tani duhet lënë që mëtuesit ta luajnë në oborrin e Odiseut përplasjen e tyre për të marrë fronin. Basha ka qenë deri më tash, në njëfarë mënyre, në rolin e një Penelope. Ai ka thurur ditën dhe ka shthurur natën stofin e një durimi që do i shihte mëtuesit e karriges së tij të zhbërë. Tani ai e ka në dorë vetë, që nga Penelopë të kthehet në Odise.
Me një akt të thjeshtë: të japë dorëheqjen dhe të rikandidojë për postin e Partisë Demokratike. Ai e drejton partinë prej katër vitesh. Eshtë kryetari më i ri, dhe që ka qenë në krye të një partie tradicionale më pak se askush tjetër në historinë e tranzicionit. Në besimin tim të palëkundur, Partia Demokratike nuk ka një profil më të qartë, më të plotë, më të mirë për ta udhëhequr.
Këtë e dinë demokratët e bazës. Këtë e di edhe Sali Berisha, lideri historik i PD. Këtë e di edhe Besmik Mustafaj. Këtë e dinë edhe mëtuesit e karriges së kryetarit. Basha vetë duhet ta provojë, dhe mund ta provojë vetë këtë, në një garë të drejtpërdrejtë. Le të futen në të Bregu, Patozi, Topalli e të tjerët. Jo se gara e parë ka qenë e padrejtë dhe e pandershme. Basha e pat fituar edhe atë, megjithë faktin se Berisha, në heshtje ose jo, e kishte atë të preferuar për kryesimin e partisë.
Me këtë akt, besoj, Basha del nga humbja. Edhe nga ajo e 25 qershorit. Sepse, kjo humbje është e tij, por absolutisht jo vetëm e atij. Sepse, Shqipëria më 25 qershor votoi Lezhën.
Lezha, nga ana e saj, votoi Edi Ramën. Të njëjtin Edi Ramë që ‘e përdhunoi’ në sy të gjithë Shqipërisë, duke e lënë pa përfaqësim në parlament, ngaqë e gjithë lista e Partisë Socialiste në atë qark, hiq një grua, Mimi Kodhelin, u zhbë, e kapur në rrjetën e dekriminalizimit dhe antiligjit. Por, kjo nuk pati rëndësi për Lezhën në Shqipëri dhe as Shqipërinë në Lezhë. Politiko.al