Shqipja e ngrirë në kohë
Nga Ilir Ikonomi
Këto janë fotografi të nxjerra nga dorëshkrimi i famshëm i Kieutit (Chieuti), shkruar në gjuhën arbëreshe nga një prift rreth 300 vjet më parë. Ai përmban tekste fetare, poezi laike dhe këngë popullore në gjuhën, që pak a shumë duhet të jetë shqipja siç flitej në kohën e Skënderbeut.
Shihni fjalët shqipe të përdorura në atë kohë, që kanë ardhur brez pas brezi deri tek ne. Të ngjallin një dëshirë të madhe për ta ruajtur gjuhën tonë të pastër, me fjalët e saj të lashta dhe për të mos e përzier e bastarduar për t’u dukur interesantë.
Dorëshkrimi u zbulua 100 e ca vjet më parë nga prof. Michele Marchiano dhe u botua prej tij më 1908, në Foggia të Italisë. Deri kohët e fundit ai ruhej në Itali si pjesë e koleksionit të prof. Namik Resulit dhe për të kujdesej e bija e tij, Senije.
Me ndërhyrjen e arkivistit Bejtullah Destani në Romë, kodiku iu dhurua të mërkurën Bibliotekës së Vatikanit. Destani më tha se në këtë bibliotekë ruhen disa nga dorëshkrimet më të vjetra shqiptare dhe se ky është vendi më i sigurt për të depozituar shkrime kaq të rralla të shqipes. Scripta manent.