Shqipja si një pikë për të vendosur Levën tonë të Arkimedit
Nga Alfred Peza
Më jepni një pikë ku ta mbështes levën dhe me të do të lëviz Tokën, është shprehja që i atribuohet shkenctarit sicilian Arkimedi, të lindur në portin e Sirakuzës këtu e 23-24 shekuj më parë. Një shprehje e famshe, nga ai që konsiderohet edhe si matematikani më i madh i lashtësisë, e që përdoret edhe në mënyrë figurative dhe filozofike, për shpjegimin e potencialeve që fshihen për bërjen e gjërave të duhura e në mënyrën e duhur, bazuar tek një element kyç. Një pikë fokale, me anë të së cilës mund ta ndryshojmë njëherë e përgjithmonë, rrjedhën e gjithë gjërave tona.
Mu kujtua kjo shprehje ndërsa ndiqja i fokusuar zhvillimet e fundit në Parlamentin e Maqedonisë, në lidhje miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qëndror. Pavarësisht tensioneve të pritshme për një vend të paçliruar ende nga fantazmat e nacionalizmit, miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që u arrit në vitin 2001. Një dokument strategjik që i dha fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë, që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni.
Që nga busti i Mulaim Pezës në qendër të Shkupit, njeriut që ka themeluar shkollat dhe mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, e deri tek shqiptari në visin më të largët që jeton sot kudo në botë, ky lajm besoj se është përjetuar me gëzimin e një arritje historike. Me kënaqësinë e një realizimit të një ëndrre të kahershme, që i jep shqiptarëve të paktën që nga 1913 e deri më sot, mundësinë e të ndjerit edhe më të barabartë mes të barabartësh, me popujt dhe kombet e nacionaliteteve të tjera, në atë hapësirë.
Po aq sa edhe shqiptarët vetë, e fituara më e madhe në këtë histori është shteti maqedon. I cili prej disa muajsh po hedh hapat e munguara deri dje, drejt krijimit të shtetit modern multietnik e funksional, duke krijuar premisat për të jetuar në harmoni si brenda vetes, ashtu edhe me fqinjët rreth e rrotull. Ky hap “i vogël” i Shkupit zyrtar, për te realizuar një detyrim të 17 viteve më parë dhe një premtim elektoral të pak muajve më herët nga Kryeministri Zaev, është një hap gjigand për shtetin e Maqedonisë, drejt bërjes edhe më shumë Europiane.
Duke gëzuar tashmë më shumë të drejta, pozitat e shqiptarëve do të bëhen gjithnjë e më të forta duke e ripozicionuar cilësisht ndryshe peshën dhe rëndësinë e vet reale, në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së ardhshme. Ky hap, bën që për herë të parë në histori, gjuha shqipe të jetë një gjuhë zyrtare në tri shtete në Ballkan; Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Një rast unik ky jo vetëm në rajon, por ndoshta kudo në botë. Kaq mjafton për të kuptuar, se është pikërisht gjuha shqipe, pika mbi të cilën shqiptarët kudo ku ndodhen në këtë hapësirë të Europës Juglindore, të mund të vendosin levën e tyre të Arkimedit, për ta zhvendosur të ardhmen, drejt objektivit tonë strategjik kombëtare.
Kot nuk është thënë me sa duket, se shekulli i XXI, është i shqiptarëve. E si në Bibël, edhe në këtë rrugëtim jo edhe aq të lehtë, nga sot e tuje, e para ishte fjala. Në gjuhën zyrtare shqipe…/Alpenews.al