Shqiptarë votoni me tru dhe jo sipas teserës së gjyshit
Shpërndajeni votën tuaj sa më shumë, kemi nevojë për kryeministra të dobët dhe një parlament të fortë, që të mos gjobiteni, që të mos shpërdoroheni, që të mos shkeleni pa dhimbje dhe pa mëshirë nga oligarkët dhe shërbëtorët e tyre në pushtet. Mos përtoni dhe mos shkoni të fitoni një ditë plazh më shumë, por votoni kundër oligarkisë dhe kundër timonit e timonierit të vetëm…
Nga Artur Zheji
Shqiptarë me 25 Qershor 2017, keni një zgjidhje, ose do të bëhemi të gjithë bashkëfajtorë për atë që do të vijë pas ose do të pengojmë me votën tonë, përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetëm.
T’i japësh të gjitha pushtetet dhe timonin, një njeriu të vetëm, është një kërcënim i madh dhe një marrëzi, për të cilën mund të pendohemi, por do të jetë vonë dhe kur është vonë proçeset janë të pakthyeshme, së paku për 4 vjet. Do të pendohemi, sepse, nëse Rama ja mbërrin të ketë 71 vota, do të kemi një kryeministër – kryepolic, që do të na gjobisë dhe t’ju gjobisë të gjithëve sipas qejfit.
Do të gjobisë hallexhinjtë, në emër të shtetit dhe do të darkojë me oligarkët me verë të shtrenjtë, një gotë aq sa fiton hallexhiu në një muaj, duke u tallur me të gjithë. Do të gjobisë katundarët që shesin majdanoz dhe vezë, këpucarët që arnojnë këpucët e shqepura të hallexhinjve, do të gjobisë studentët që s’kanë para për të paguar taksën e lartë universitare, do të gjobisë për një semafor apo për një faturë të papaguar energjie, do të gjobisë te vegjlit për një faturë të vogël fiskale dhe do të japë në krahun tjetër, përsëri konçesione qindra miliona euro për oligarkët, që gëlltisin pasuritë tona kombëtare.
Të ishte se Rama, do të ishte thjesht politikani kokëkrisur, që do të donte vërtet të bënte shtet, nuk do të mbante këtë peshore të prishur dhe kallpe, në zyrat e qeverisë. Një peshore që quan gazetarët apo kritikët ndaj tij si kazanë dhe pronarët e kazanëve mediatikë, ka frikë tu përmendë emrin dhe i thahet pështyma kur ja përmendin të tjerët. Sepse kaq është guximi i tij i rremë, të shkelë e të shtypë, të gjobisë e të përgojojë, ata që ai kujton dhe mendon se janë të dobët para tij.
Dhe spërdridhet pështymëtharë, zverdhet e zvjordhet, kur duhet të flasë për pronarët e mëdhenj, pasanikët dhe parellinjtë, që janë në të vërtetë edhe pronarët e tij, që e kanë urdhëruar të marrë dhe tu marrë shqiptarëve votën, për të pasur vetëm ai, “timonin” e Shqipërisë, pa frena, pa marshe, pa kontroll nga askush, pa opozitë dhe pa media.
Shqiptarë, votoni me tru. Me trurin tuaj dhe jo me nostalgjinë e gjyshit veteran apo partizan. E sotmja s’ka fare lidhje me ata 16 apo 20 vjeçarë që morën malin për të luftuar dikur për një Shqipëri të re dhe ndryshe. Ishte kohë tjetër dhe e zbukuruar nga një propagandë 60 vjeçare, një nostalgji e panevojshme, sot në kohën dixhitale dhe oksidentale që jetojmë.
Votoni për ato që shihni dhe ato që gjykoni, ju vetë dhe hapni një faqe e një kapitull të ri në mendjen tuaj. Më një Parim të Madh, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë mos i jepni të gjitha pushtetet, një njeriu apo një partie të vetme.
Qoftë ky Rama, Meta, Basha, Berisha… qoftë kjo PD, PS apo LSI… Shpërndajeni votën tuaj sa më shumë, kemi nevojë për kryeministra të dobët dhe një parlament të fortë, që të mos gjobiteni, që të mos shpërdoroheni, që të mos shkeleni pa dhimbje dhe pa mëshirë nga oligarkët dhe shërbëtorët e tyre në pushtet. Mos përtoni dhe mos shkoni të fitoni një ditë plazh më shumë, por votoni kundër oligarkisë dhe kundër timonit e timonierit të vetëm.
Nesër është dita. Nëse ndodh ndryshe, pasnesër vjen nata për vegjëlinë, për shumicën që do të mbetet pa mbrojtje dhe e nëpërkëmbur. Mos harroni,vetëm një gotë verë që oligarkët pinë në një darkë, ju vlen për një muaj që të blini sheqer, miell, kafe dhe një thelë mish për supë e gjellë.
Hiqeni me votë këtë shpërdorim, ndryshe mos psherëtini lokaleve të lagjes apo kur gëlltisni paçen tuaj të të djelës, që e prisni një javë. Votoni me tru, me mençuri dhe mos rendni pas fluturave me ngjyra, të premtimeve dhe përbetimeve të rreme. /360grade.al/