Shqiptarët dhe kulti i individit
Nga Gentian Çala –
Ka nga ata që mendojnë se historikisht, antropologjikisht dhe kulturalisht, shqiptarët kanë nevojë, prodhojnë dhe adhurojnë kultin e individit. Ata që mendojnë kështu, sjellin si shembull se në 100 vjetët e historisë sonë moderne kemi pasur drejtues të tillë, pushteti i të cilëve ka qenë i gjatë dhe i karakterizuar nga kulti i individit, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha, apo së fundi Edi Rama.
Ka disa paradigma publike për këtë tezë, siç është p.sh. “na duhet një dorë e fortë”, “ne nuk dimë ndryshe përveç se me dhunë”, “jemi popull i pagdhendur”, etj. Këto duket se justifikojnë një pushtet represiv, autoritar dhe me kultin e individit brenda. E thënë kështu, duket si element i mazohizmit kolektiv, pra qenka diçka që vjen e krijuar nga poshtë, por unë mendoj se kjo nuk është përcaktuese.
Ka një element kompensator të rëndësishëm: mungesa e institucioneve të forta dhe të qëndrueshme, si dhe e sundimit të ligjit duket se është kompensuar nga liderat autoritarë që udhëheqin me dorë të fortë. Pra, zbazëtia institucionale e mbushur nga lidera që gradualisht ndërtojnë kultin e tyre të individit. Madje kemi dy raste, kur kanë bërë ose kanë tentuar ndryshimin e rendit kushtetues: i pari, me Ahmet Zogun, kalimi nga Republikë Parlamentare në Monarki, dhe i dyti tentimi i miratimit të Kushtetutës në vitin 1994 për një Republikë gjysëm presidenciale.
Regjimi i Enver Hoxhës arriti kulmin me krijimin e kultit të individit dhe të vënies së shtetit në funksion të tij. Madje u bë gjakatar dhe izolues për popullin e tij deri në nivele të tilla që janë pak të ngjashme gjetiu.
Kurse sot kemi një shtet, i cili nuk përbën një demokraci funksionale, por hibride dhe ku shumë elementë flasin për një autokraci të Ramës dhe ka premisat e krijimit të një kulti të individit: “…më të mirë sesa ne nuk ka”, thotë shpesh ai. Gjithçka e vendos ai dhe kudo shfaqet ai si protagonist dhe fjala e fundit. Kjo është deri diku strategji për të mbajtur pushtetin dhe për ta zgjeruar atë, por edhe një problem psikologjik i Ramës, i toleruar nga bashkëpunëtorët dhe partia ku ai militon.
E pra, kulti i individit, kulturalisht mund ti pëlqejnë një pjese të shqiptarëve, por ka ende shumë që janë kundër tij. Ideja se kjo u pëlqen shqiptarëve në masë do edhe pak kohë të testohet, në zgjedhjet parlamentare që po afrojnë. Kulti i individit Rama nuk i shërbeu popullit të tij, ndaj pakënaqësia duket mjaft e madhe. Mediat rreth apo në shërbim të pushtetit të tij selektojnë detaje që të krijojnë përshtypjen se atë e duan dhe e adhurojnë, por e vërteta duket të jetë krejt ndryshe.
Shqiptarët kanë prodhuar shtete të dobëta dhe liderë të pushtetshëm. Kanë ndërtuar pak mekanizma për të shmangur pushtetin abuziv, shpesh i janë nënshtruar atij. Kanë qëndruar në pozicion mbrojtës në raport me pushtetin dhe i ka lënë terren autokratëve me prirje të kultit të individit. Ndaj na duhet që të merren masa parandaluese ndaj kësaj historie ciklike, në mënyrë që ajo të mos ndodhë. Institucionet e forta, sundimi i ligjit, rotacionet e elitave politike, demokratizimi i partive, mund të jenë disa nga masat parandaluese.
Ai që na shtyp sot, mund ta rrëzojmë ne nesër, sapo të na jepet rasti! Kështu ka ndodhur dhe kështu ka për të ndodhur. Por, mësimet që nxjerrim, nuk duhen harruar.