Shqiptarët, ky popull që “vdes” për… diktaturë!
NGA LEONARD KARAJ –
“Provoni t’i blini fillimisht. Nëse nuk blihen, kërcënojini. Nëse nuk kërcënohen, vidhini. Nëse nuk vidhen, atëherë i bëni të pavlefshme fletët votimit. Ju nuk jeni socialista, ju jeni specialista! Farë më të keqe mbi sipërfaqen dheut nuk besoj s’e gjen. Shqiptarët votuan kundër jush por ju jeni mjeshtra të vjedhjes, të mashtrimit, të imoralitetit, të manipulimit…”. Ky ishte denoncimi, që i ndjeri Pjetër Arbnori bënte 20 vjet më parë dhe sot, kjo shprehje kumbon më qartë se kurrë. Po, pasi zgjedhjet e 25 prillit ishin fiks të përmbledhura në ato pak rreshta që “Mandela i Shqipërisë” saktësonte asokohe dhe që fatkeqësisht mbeten aktuale.
Pra, përfundimisht duhet pranuar: shqiptarët janë të dashuruar pas “të keqes”. Aq mbrapsht qenkësh gatuar ky popull, ky votues, sa edhe pas 29 vitesh demokraci, duket qartazi se ka nostalgji për diktaturën. Ndoshta edhe për faktin se në këtë vend, pas tetë vitesh në pushtet të neo-komunistëve (“Rilindja” dhe jo socialistët në përgjithësi, në thelb përbëhet nga personazhe ose të lidhur ngushtë me PPSH-në e Enver Hoxhës, ose janë bijtë të këtyre të fundit), opozitarizmi ose ka emigruar ose është zvogëluar. Është e pakuptimtë sesi votuesi, jo vetëm ai tradicional, ai militanti i thekur dhe i verbër i PS-së, por edhe më të rinjtë, rreken drejt një stili arrogant, tallësh, pas një skizofrenie dhe hipokrizie që edhe sikur të thotë: “gomari fluturon”, me gjasë do marrë nga pas mijëra brohoritje ngazëllyese.
Deri këtu kemi arritur. Jemi tamam si një vend nën diktaturë ose me demokraci hibride dhe të brishtë, ku popullin tënd, pasi e ke shkërdhyer, në kuptimin e plotë të fjalës, ai sërish, jo vetëm që të falënderon, por edhe rivoton me të njëjtën forcë, si për të të shpërblyer “mundin dhe djersën” që ke harxhuar gjatë kësaj “pune kolosale”!
Fillimisht si një usta i vërtetë bëri pakt me Ilir Metën dhe me një cinizëm politik, arriti, që më së shumti falë këtij të fundit dhe LSI-së, të merrte fronin e ekzekutivit. Më pas anashkaloi Bashën në 2017-ën dhe e nxorri nga parlamenti me shumë dobiçllëk në 2019-ën, për të bërë në fund ndryshimet me kodin zgjedhor, aq sa duheshin për të siguruar fitoren në tavolinë. Duhet thënë se kodi i bërë nga Rama është më i keqi i mundshëm për një vend si Shqipëria. Vetëm këtu, një parti si PSD-ja e Tom Doshit merr 34 mijë vota në gjithë vendin dhe arrin të nxjerrë 3 deputetë, ndërsa një parti si LSI-ja merr më shumë se 110 mijë vota në gjithë Shqipërinë, dhe nxjerr vetëm 4 deputetë. Vetëm këtu mund të ndodhë që nga rreth 1.5 milionë vota, më shumë se 70 mijë prej tyre (pra gati 7 mandate deputetësh), janë të pavlefshme.
Vetëm këtu ndodh që gjatë mandatit të dytë qeverisës një pjesë e opozitës në vend që të bashkohet për tu rikthyer në pushtet, krijon divergjenca dhe shpërndarë edhe më shumë votën. Dhe nëse kanë një gjë pozitive sipas meje këto zgjedhje, qëndron në faktin se parti “patericë e qeverisë”, si ajo e Murrizit, Patozit, Jozefinës, Rudinës, etj, të cilat “u lodhën” duke bërë opozitë, por sigurisht ndaj Lulzim Bashës dhe jo ndaj Edi Ramës, dolën përfundimisht në pension të detyrueshëm dhe të parakohshëm.
Vetëm në këtë vend ndodh që një formacion politik si ai i LSI tenton ta rrisë aq shumë “pjacën”, sa del totalisht nga realiteti. Kërkesa ndaj PD-së për 30-35 deputetë në lista të sigurta dhe me logon e saj në kushtet e këtij kodi, bëri që opozita të mos dilte me një listë të përbashkët, e cila siç po verifikohet, ishte një gabim i madh. Kësisoj, ndëshkimi ndaj LSI, e cila nga 19 shkoi në 4 deputetë, duket si një kronikë e zezë e vetëkërkuar.
Dhe në fund, këto zgjedhje vërtetuan se Lulzim Basha, është kryeopozitari më i papërshtatshëm (të paktën deri tani dhe teorikisht), përballë një kaste pushteti të tipit “Rilindje”. Të qenurit europianist dhe mendjehapur, u vërtetua katërcipërisht se nuk të bën punë kur përballë ke një regjim tipik “PUTIN-ist/ERDOGAN-ist”.