Shqiptarët meritojnë Bashkimin Evropian apo Mini-Shengenin e Kryeministrit Rama?!
Dr. Paulin Marku
Historia ka dëshmuar se populli shqiptar është aq i vjetër sa vetë Evropa. Shqiptarët u integruan shumë shpejt gjatë shekujve, ata u emëruan në poste drejtuese ku dëshmuan zotësi e profesionalizëm në të gjitha detyrat zyrtare që ju besuan. Po ashtu gjatë qëndrimit në emigracion kanë dëshmuar se janë të gatshëm të integrohen për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe të jetojnë në harmoni të plotë.
Ndërsa, nëse duhet të përshkruaja dëshirën dhe interesin e elitës politike drejtuese në Shqipëri do të shprehesha me shumë rezerva. Pasi koha ka dëshmuar se asnjeri prej tyre nuk e sakrifikon karrigen e pushtetit për sovranin.
Shqipërisë i është refuzuar për të disten herë hapja e negociatave. Kjo dëshmon qartë se qeveria nuk është e gatshme të realizojë me sukses kushtet dhe detyrimet që nevojiten për të qenë pjesë e BE. Ndonëse po mbushen afro tre dekada nga pluralizmi në Shqipëri, ne akoma nuk jemi të gatshëm për të përballuar vendosjen e demokracisë. Edhe sot që flasim, kërkesa e vetme e sovranit është e njëjtë, si ajo e lëvizjes studentore e 90-es “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Kjo është pasojë e keqqeverisje në Shqipëri për disa arsye themelore demokratike.
Së pari mungesa e kulturës institucionale për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve nga pala humbëse që mbetet një sfidë e pakapërcyeshme në Shqipëri që shoqërohen me akuza të vazhdueshme për shit-blerje vote dhe manipulime në zgjedhje.
Së dyti, krimi i organizuar ka shtrirë rrënjët dhe forcohet gjithnjë e më tepër në politikën qendrore duke qenë vendimtar në zgjedhjen e përfaqësuesve të sovranit dhe ndikuese në vendimmarrje.
Gjatë qeverisjes Rama ka patur akuza nga më të ndryshme për mënyrën si u mor pushteti dhe për keqqeverisje. Qeveria është akuzuar për koncesione të panumërta dhe me kosto shumë të larta, siç ishte rasti i unazës së Tiranës me një tender enigmatik me kosto marramendëse thua se po ndërtonin tunele nëpër male apo po hapej një tunel i dytë si ai i La Manshit që lidh Francën me Anglinë, dhe jo një rrugë eksistente ku nuk janë paguar plotësisht banorët që kanë më tepër se një vit që protestojnë, apo rasti i segmentit rrugorë Milot-Balldre që mbeti projekt në letër.
Një tjetër shqetësim mbetet votimet e vitit 2019, për kryetar bashkie, ku në shumicën e rasteve me një kandidati të vetëm të partisë Socialiste, që u finalizua me marrjen e pothuajse të gjitha bashkive e këshillave bashkiake nga Partia pushtet. Pa folur për kanabizimin e vendit, kausin në sistemin e gjyqësorit me një krizë të madhe në gjykatës dhe prokuror si dhe pa mungesa e gjykatës Kushtetuese.
Kështu, përqendrimi i pushtetit vetëm në duart e Rilindjes nuk është asgjë më tepër sesa një kalim nga faza e periudhës postkomuniste ku ishim, në atë komuniste. Kjo qasje politike u përforcua dhe me kontrollin e medies në vend, nëpërmjet miratimit të ligjit të anti-shpifjes.
Pra, komunizmi po ringjallet bindshëm në njësitë qendrore e lokale. E vetmja që mungon, por nuk përjashtohet të ndodhë, është hapja e kampeve të internimit dhe burgjeve politike. Si pasojë shqiptarët zgjedhin t’i nënshtrohen ose të largohen nga vendi me një pikëllim të thellë.
Ndonëse shqiptarët prisnin një bilanc të qeverisë për të dhënë detaje rreth mos hapjes së negociatave me BE, papritmas pas të gjithë kësaj situate të vështirë që po kalon Shqipëria, kryeministri i vendit sheh si zgjidhje dhe me shumë interes krijimin e Mini-Shengenin midis Shqipërisë, Serbisë e Maqedoninë e Veriut dhe jo reflektimin e zbatimin e detyrave, rekomanduar nga Bashkimin Evropiane. Kjo strategji bëhet për të shpërqendruar opinionin publik nga situata e renduar në të cilën ndodhemi.
Ndër të tjera, kësaj nisme nuk dihet ideatori, as përmbajtja dhe ajo se çfarë mund të përfitojë vendi ynë nga kjo iniciativë e kryeministrit Rama, përvec asaj që u tha në media se mund të kalohet në pikën kufitare vetëm me kartë identiteti dhe jo më pasaportë, si dhe shqiptarët mund të shkojnë të punojnë në Serbi e Maqedoninë e Veriut. Thua se ky është halli më i madh i shqiptarëve në këto momente krize politike e ekonomike e shoqërore. Ajo që është evidente dhe e papranueshme, që pjesë e kësaj tryeze nuk gjenden Kosova. Thjeshtë me një përgjigje sipërfaqesore, me justifikimin se ishte Kosova ajo që refuzoi të marrë pjesë. Pa dhënë përgjigje nga përfaqësuesit se si u ftua Kosova, si shtet legjitim apo ilegjitim?! Pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet sovran dhe as krimet e luftës.
Si mundet kryeministri ynë t’a konsiderojë vlerë historike për Ballkani, ku aty mungonin vëllezërit tanë, të një gjaku, gjuhe e kulture, kur Kosova nuk njihet Shtet sovran nga të gjithë antarët e asaj tryeze. Mbetet për t’u parë nëse vërtet kryeministrit Rama do t’i shërbejë kjo nismë për të zgjidhur problemet e shumta të Shqipërisë. Duke parë gjendjen në vend dhe diktaturën që po instalohet në Shqipëri, asnjëri nuk mund të parashikojë të ardhmen e Shqipërisë.
Unë kam qenë dhe mbetem besnik se integrimi i Shqipërisë në drejtësi, ekonomi, arsim e kulturë duhet të përqendrohet nëpërmjet integrimit Euro-Atlantik.