Shqiptarët nuk duhet të votojnë partitë maqedonase

Nga Shaban MURATI

Më 15 tetor në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet lokale, të cilat kanë rëndësinë tyre në aspiratat dhe në strategjinë e popullit shqiptar për të realizuar të drejtat e tij kombëtare, politike, administrative, ekonomike, kulturore, sociale, etj. të barabarta me popullin maqedonas. Veçori e zgjedhjeve të tanishme lokale është se shqiptarët vijnë në këto zgjedhje me një fenomen të ri negativ, i cili u shfaq me përmasa shqetësuese në zgjedhjet parlamentare të dhjetë muajve më parë. Ky është fenomeni i kalimit masiv të votave të shqiptarëve në fondin elektoral të partive politike maqedonase, pra maqedonizimi i votës shqiptare. Rrjedhja apo humbja e 60-70 mijë votave shqiptare në favor të partive maqedonase, në zgjedhjet e fundit parlamentare, të 11 dhjetorit 2016, as nuk konsolidoi pozitën politike dhe shtetërore të popullit shqiptar në Maqedoni dhe as solli ndonjë kthesë drastike pozitive në realizimin e barazisë së të drejtave midis dy popujve nga partia maqedonase, që i mori ato vota dhe erdhi në pushtet. Ai fenomen shkaktoi dobësimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, i cili për këtë arsye ka dhjetë deputetë më pak sot në parlamentin e Maqedonisë. Është një fenomen i panatyrshëm elektoral, politik dhe kombëtar, i cili kërkon analiza serioze nga faktori politik shqiptar se cilat janë shkaqet që shpërtheu befasisht kjo llavë votash shqiptare për partitë maqedonase. Sepse nuk mund ta pranojë logjika, për shembull, që Haraçina në vitin 2014 i dha partisë LSDM vetëm 8 vota, dhe në vitin 2016 e nxjerr fituese me 2059 vota këtë parti maqedonase, duke përgënjeshtruar identitetin e vet shqiptar.

Dy partitë kryesore politike maqedonase, Lidhja Socialdemokrate, LSDM, dhe partia VMRO-DPMNE, duke parë autogolin elektoral dhe politik të shqiptarëve, janë angazhuar në një fushatë të gjithanëshme për ta përsëritur fenomenin e rrjedhjes së votave të shqiptarëve në kutitë e votimit të partive maqedonase. Pragu i 15 tetorit të zgjedhjeve lokale është një moment i rëndësishëm reflektimi për elektoratin shqiptar, për partitë politike shqiptare, për qarqet akademike dhe shoqërinë civile shqiptare, për mediat dhe rrjetet shoqërore shqiptare dhe për gjithë popullin shqiptar atje lidhur me efektet dhe pasojat negative të përsëritjes së fenomenit elektoral të dëmshëm të dhënies së votave shqiptare për partitë maqedonase. Përsëritja e këtij fenomeni do t’i hiqte nga duart shqiptarëve një pjesë të mirë të pushtetit lokal, që kanë pasur deri tani, dhe që do t’i kalonte partive politike maqedonase.
Gjatë gjithë periudhës nga zgjedhjet e fundit parlamentare në zgjedhjet e tanishme lokale dy kanë qenë tezat kryesore në Maqedoni për të shpjeguar këtë zhvillim negativ në gjirin e elektoratit shqiptar:

Teza e parë është se elektorati shqiptar e bëri këtë devijim, sepse u zhgënjye nga partitë politike shqiptare, të cilat nuk mbajtën premtimet për avancimin e pozitës së shqiptarëve, të cilat u zhytën në korrupsion dhe udhëheqësit politikë shqiptarë u komprometuan me pushtetin maqedonas, etj. Është një tezë, e cila nuk e përligj lëshimin e votës te partitë politike maqedonase. Nuk e përligj, sepse dy partitë politike maqedonase, që kanë alternuar pushtetin që nga viti 1991 i krijimit të shtetit të Maqedonisë, nuk kanë mbajtur asnjë nga premtimet e bëra për barazinë e popullit shqiptar me popullin maqedonas. Madje në disa drejtime, si ajo të drejtës së popullit shqiptar për shtetformësi, qeveritë e Maqedonisë pas vitit 1991 e bënë më keq statusin juridik të shqiptarëve se sa në kohën e ish-Federatës komuniste jugosllave.

Partitë maqedonase janë më të korruptuara se partitë shqiptare, sepse janë ato që i kanë në dorë të gjitha levat e administrimit të ekonomisë dhe të pasurive të vendit dhe korrupsionin e kanë bërë bashkë. Zhgënjimi nga partitë politike shqiptare nuk përligj aspak dhënien e votës për partitë maqedonase. Spektri i partive politike shqiptare është shumë i gjerë me mundësitë për t’ia dhënë votën qoftë partive shqiptare, që janë alternuar në pushtet bashkë me partitë maqedonase, qoftë partive shqiptare, që nuk kanë qenë në pushtet deri tani dhe nuk janë provuar. Nuk arrihen qëllimet duke hequr besimin nga partitë shqiptare dhe duke ia dhënë besimin partive maqedonase, sepse, siç thotë një proverb i qytetit tim të lindjes “Me dorë të huaj mos vrafsh as gjarprin”.

Teza e dytë, e qarkulluar për të shpjeguar fenomenin e votave shqiptare për partitë maqedonase është ajo që elektorati shqiptar me maqedonizimin e votës shqiptare ka demonstruar nivel qytetar, sepse duhet të votojë jo parti etnike, por parti qytetare. Kjo është tezë levantinësh, të cilët spekulojnë me nivelin kulturor të formimit të elektoratit shqiptar, dhe ta shesin maqedonizimin e votës shqiptare si avancim modern e qytetar. Levantinët shqiptarë nuk e thonë përse nuk e bën edhe elektorati maqedonas këtë “zhvillim qytetar” dhe të votojë për partitë politike shqiptare, dhe pse duhet ta bëjnë këtë vetëm shqiptarët. Nuk mund të ndodhë kurrë që një fshat maqedonas t’ia japë votat një partie shqiptare.

Duhet të bëhet e qartë se shqiptarët, që dhanë votat për LSDSM apo për VMRO, nuk i dhanë për parti qytetare, por i dhanë për partitë etnike maqedonase. Edhe LSDM, edhe VMRO, janë parti etnike maqedonase dhe votat e atyre dhjetëra-mijëra shqiptarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare nuk i shndërrojnë në qytetare as LSDM-në e as VMRO-në. Të dy partitë kryesore maqedonase kanë programe politike dhe qeveritare në shërbim të popullit maqedonas dhe jo në shërbim të popullit shqiptar në Maqedoni. Asnjë parti politike maqedonase nuk ka në programin e saj dy parametrat kryesore të identifikimit qytetar: dhënia popullit shqiptar të statusit shtetformues me Kushtetutë dhe dhënia e statusit të gjuhës zyrtare, gjuhës shqipe në të gjithë Maqedoninë. Ato 60 apo 70 mijë vota që shqiptarët dhanë për partinë e Zoran Zaevit shkuan dëm dhe nuk e qytetarizuan aspak atë parti maqedonase, siç tregon fakti i madh që në zgjedhjet e tanishme lokale partia LSDM e Zaevit nuk ka vënë asnjë kandidat shqiptar në komunat me përbërje multietnike. Po ashtu ka vepruar edhe partia VMRO.

Sado indulgjent që të tregohesh, është e vështirë të zbulosh qoftë edhe një element minimal përfitimi nga derdhja e votave shqiptare në kutitë e votimit të partive maqedonase. Çuarja dëm e dhjetëra- mijëra votave të shqiptarëve vetëm forcon dhe konsolidon pushtetin politik të partive maqedonase dhe dobëson faktorin elektoral dhe politik shqiptar.

Shqiptarët në Maqedoni duhet të kuptojnë se votimet dhe zgjedhjet kanë një kuadër të hekurt brenda të cilit zhvillohen marrëdhëniet politike, marrëdhëniet ndëretnike dhe jeta politike, dhe ky është kuadri kombëtar. Diskriminimet e gjithanshme, që vuan populli shqiptar nga pushteti maqedonas, vijnë për shkak të identitetit kombëtar të ndryshëm dhe ata trajtohen si qytetarë të kategorisë së dytë, sepse janë shqiptarë. Shqiptarët si popull nuk kanë zgjidhur akoma në Maqedoni statusin e trajtimit kombëtar shqiptar, që do të thotë statusin e tyre të barabartë juridik me popullin maqedonas. Logjika dhe përvoja historike më minimale mësojnë se në një shtet binacional, çdo popull si prioritet duhet të zgjidhë statusin e tij kombëtar dhe pastaj të përqendrohet në statusin social. Nëse të gjitha qeveritë maqedonase dhe partitë politike maqedonase e kanë trajtuar popullin shqiptar si refugjat, kjo përbën një problem ekzistencial kombëtar dhe jo social. Kjo dikton prioritetet për popullin shqiptar atje, që të mobilizohet të votojë dhe të forcojë faktorin politik shqiptar në Maqedoni për t’i imponuar pushtetit maqedonas barazinë kombëtare të statusit dhe të vendimmarrjes në shtetin e Maqedonisë. Siç kam theksuar në librin tim “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”, (Tiranë, 2016), çështja e shqiptarëve të Maqedonisë është një çështje e pazgjidhur kombëtare.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni kanë shumë mëkate dhe difekte të manifestuara gjatë 26 viteve të shtetit të ri të Maqedonisë. Dobësitë e tyre nuk mund të shihen të shkëputura nga dobësia e elektoratit shqiptar, që i ka zgjedhur ato, as të shkëputura nga dobësia e klasës intelektuale dhe e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Çështja madhore shtrohet se statusi kombëtar i parealizuar i popullit shqiptar mund të vonohet nga dobësitë e partive shqiptare, por nuk mund të zgjidhet kurrsesi nga partitë maqedonase, të cilat kanë në programet dhe vijën e qeverisjes krijimin dhe konsolidimin e shtetit një nacional maqedonas. Duke votuar partitë maqedonase, shqiptarët votojnë për këto programe e vija qeverisje një nacionale maqedonase dhe këtë duan ta mbulojnë tymnajat “qytetare” të levantinëve ruralë të sponsorizuar.

Duke maqedonizuar votën, zgjedhësit shqiptarë heqin dorë vullnetarisht nga të drejtat kombëtare dhe nga identiteti i tyre kombëtar. Ata vetë humbasin të drejtën morale të kërkojnë trajtim të barabartë me popullin maqedonas, sepse vota e maqedonizuar i shkrin me elektoratin maqedonas. Pa ia imponuar nëpërmjet faktorit politik shqiptar qeverive maqedonase dhe partive maqedonase statusin e barabartë kombëtar me popullin maqedonas në legjislacion, në Kushtetutë dhe praktikë, votuesit shqiptarë mund të rrinë edhe dhjetë breza duke fryrë sytë nga qielli maqedonas për të pritur t’iu zbresë statusi i qytetarit.

Fenomeni negativ i derdhjes së votave shqiptare në kutitë e partive maqedonase është një fenomen, i cili po të tolerohet e të neglizhohet, mund të ketë pasoja të rënda për të drejtat kombëtare dhe statusin e popullit shqiptar në Maqedoni. Partitë politike shqiptare, intelektualët, shoqëria civile, institutet, mediat shqiptare, rrjetet sociale, etj. duhet të bashkohen dhe të punojnë fort që të mos përsëritet dhe tani në zgjedhjet lokale ky fenomen negativ elektoral, sepse ai dëmton të gjithë shqiptarët, dëmton çështjen e popullit shqiptar në Maqedoni.

Ndaj, në prag të ditës së votimit për zgjedhjet lokale, apeli shkon te bashkëkombësit tanë, familjet shqiptare, të gjithë personalitetet në skenën politike, akademike, artistike, kulturore, arsimore, fetare, etj. të shqiptarëve në Maqedoni, që të bashkohen për të ndaluar fenomenin negativ të maqedonizimit të votës shqiptare. Avancimi i statusit kombëtar të popullit shqiptar në Maqedoni do të sjellë përmirësimin e statusit të tyre qytetar dhe jo e kundërta. Vota është e shqiptarëve dhe duhet të mbesë te shqiptarët.

SHKARKO APP