Shqiptarët punojnë më shumë dhe paguhen më keq

 

Me mbi 2100 orë pune në vit, punëtori shqiptar rezulton se punon 20 për qind më shumë orë në vit se sa mesatarja e OECD për paga që janë 60 për qind më të ulëta se sa Maqedonia fqinje.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

 

Një studim i Institutit të Statistikave mbi ndërmarrjet jobujqësore me mbi 10 punëtorë në Shqipëri zbuloi se shqiptarët punojnë shumë më tepër se sa punëtorët e vendeve të zhvilluara përkundrejt përfitimeve shumë më të ulëta.

INSTAT zbuloi se punëtori shqiptar punon mesatarisht 2120 orë punë në vit, ndërkohë qëpunëtorët në vendet e OECD (klubi i vendeve të pasura) punojnë mesatarisht 1770 orë në vit. Ky krahasim është i vlefshëm vetëm për punëtorët e ndërmarrjeve me mbi 10 punonjës. Këtu nuk përfshihet kohëzgjatja e punës nëpër kafene dhe restorante me më pak punëtorë.

Por megjithëse punojnë shumë më tepër, kostoja e punëtorit shqiptar është shumë më e ulët, vetëm 55 mijë lekë në muaj. Kjo nuk është ajo çfarë punëtori merr në dorë. Paga mesatare është 45 mijë lekë në muaj. Kjo është pagë e vlefshme vetëm për punëtorët në ndërmarrjet mbi 10 punëtorë. Për shumicën e punëtorëve që punojnë në ndërmarrje më të vogla, kostot dhe pagat nuk dihen.

Prodhim i lartë, pagë e ulët

Të dhënat e INSTAT tregojnë se kostoja e punës së shqiptarëve prej 2.2 eurosh në orë është 60 për qind më e ulët se sa në vendet fqinje si Maqedonia apo Bullgaria. Diferenca është shumë e lartë nëse sheh se Bosnja dhe Hercegovina psh, ka prodhim të brendshëm bruto për frymë njësoj si Shqipëria, megjithatë atje paga e punëtorit është 60 për qind më e lartë se sa Shqipëria, gjë që sugjeron pabarazi shumë më të lartë, ose faktin që punëtorit shqiptar i mbetet në dorë një pjesë shumë më e vogël e vlerës së shtuar të punës së vet se sa punëtorëve të vendeve fqinje.

Punonjësit e bankave dhe të industrisë financiare në tërësi kanë pagat më të larta në Shqipëri me një mesatare prej 545 lekësh për orë pune. Shërbimet hotelerike dhe të restoranteve kanë një kosto pune minimale prej 215 lekësh për orë pune.

SHKARKO APP