Shteti drejt rrumpallës dhe kriza e patates

Nga Mero Baze

Në kufirin mes shqiptarëve në Kukës, ka ndodhur një krizë që vizaton realisht rrumpallën e shtetit shqiptar në këto ditë vere, kur kryeministri ka fituar, por qeverinë e ka opozita e re. Dhe për këtë shkak, kryeministri nuk e mbledh dot qeverinë, ndërsa ministrat teknikë të Bashës, nuk ikin nga zyra se kanë kondicionerë falas.

Ajo që ka ndodhur në Kukës po përkufizohet si kriza e patates. Doganat tona nuk lejojnë të futet patatja e Kosovës në Shqipëri, duke i nxjerrë një problem idiot të references, ndërkohë që Shqipëria e ka aktualisht Kosovën, tregun e vetëm ku po eksporton gjithë perimet e stinës. Falë zotit, për të eksportuar në Kosovë nuk duhen ato rregullat e forta të eksportit në BE dhe fermerët shqiptarë e kanë atë aktualisht të vetëm treg të shalqinit, domates, kastravecit, sallatës etj.

Por për shkak të bllokimit idiot nga ana jonë të eksportit të patates së Kosovës në Shqipëri, pala kosovare me të drejtë kërkon ose të zgjidhet problemi, ose të vendoset reciprociteti. Dhe këtu, dëmi është kolosal, ndërkohë që presidenti Thaçi darkon me Edi Ramën një herë në dy javë, dhe që gjithë qeveria e Kosovës pushon në Durrës, apo gjirin e Lalzit, duke mos ditë fare çpo bëhet në kufi.

Por çfarë ka ndodhur?

Një komision Ad Hock i ngritur për të rregulluar problematikën e shkëmbimeve doganore Shqipëri- Kosovë, e ka parë të arsyeshme t’ia fuste kot, dhe e ka hequr importin e patates nga Kosova, si një artikull ku hiqet referenca, dhe kjo ka shkaktuar gjithë krizën. Ministrja teknike e Financave nuk ka gisht në këtë histori, por as nuk di si ta zgjidhë këtë krizë, pasi nuk ekziston komunikimi në qeveri.

Kryeministri nuk mbledh dot qeverinë, se nuk i mblidhen, pasi ministrat i ka në shumicë të opozitës së re, LSI plus PD. Dhe rrumpalla bëhet e plotë, ndëra kriza tregtare Shqipëri- Kosovë është në sytë e të gjithë vëllezërve që puthen me njëri- tjetrin në darkë dhe nuk zgjidhin dot punët në mëngjes.

Shenja të forta shthurje duken po ashtu në sistemin tatimor e doganor. Në plazhet shqiptare në jug, po bëhet kërdia me çmime të larta, me disko ku duhet të parapaguash, me shërbime luksi dhe askush nuk paguan asgjë për shtetin, ndërsa në pritje të qeverisë së re, edhe doganierët duket se po shikojnë mos bëjnë ndonjë lek.

Gropa në buxhet mund të thellohet dhe për shkak të bllokimeve të shkaktuara nga mos-funksionimi i qeverisë “gjysmë teknike – gjysmë armike”, dhe relaksi që ka pushtuar administratën pas zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama, në vend që të linte në qetësi deputetët që kanë fituar zgjedhjet, të cilët po i ritorturon nëpër vapë, të ripyesin popullin si e do tepsinë, ka lënë në qetësi administratën e shtetit, dhe shenjat e një shthurje reale shikohen gjithandej. Dhe kjo, sidomos në agjensi apo dikastere ku janë ende në punë njerëz të cilët mendojnë se i pret reforma politike dhe administrative në shtator. Ndjenja se këto muaj janë shansi i fundit, duket se ka nxitur një babëzi të re dhe një shthurje të administratës, e cila reflektohet qartë tek kriza banale e patateve në Kukës, ku askush nuk e gjente dot për 24 orë, kush i ndalonte, dhe askush nuk e zgjidhte dot. Në fakt është një çështje teknike që po e pengon rrumpalla politike, ndërkohë që politikën po e pengojnë disa njerëz teknikë, që nuk ikin, edhe pse nuk kanë më arsye politike.

Gazeta TEMA

SHKARKO APP