Shtyni zgjedhjet lokale!

 

Nga Irfan Rama

Mund të përduket paradoksalizëm titulli i këtij opinioni tim për t’ju drejtuar SHBA-së, Shteteve të Bashkuara të Europës dhe presidentit të Republikës Bujar Nishani për të shtyrë zgjedhjet lokale në Shqipëri, por për mendësinë time por edhe shumë bashkëbiseduesve të mi e them me bindje këtë impresion në të menduar dhe të shkruar.

Ndryshimi i papritmë politik pas thënieve të Doshit!

Ka qenë një zhvillim tepër i beftë, tepër brilant, një ndryshim revolucionar, nga ato që nuk ndodhin shpesh në Shqipëri, pavarësisht se ishte një shpërthim nervor zemërant, qefhatërmbetës, unik apo i unit të malësorit të Veriut Shqiptar kur është i pasur dhe i rrethuar nga shumë njerëz që i mbajnë çantat, stilolapsat, pardesytë, pohimet për gjithçkafolëse të atij, të “Deputetit, Politikanit, Bosit” që dëshiron ose ja bëjnë të dëshirojë përcjelljet në aeroport, kthimet nga jashtë etj. Thëniet e Doshit se unë do të bëj që ti tunden themelet e qeverisë e shtetit përcolli fillimisht me përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar i PS e më pas bomba e vrasjes së dy deputetëve, njëri socialist e tjetri demokrat nga kryeparlamentari përcolli në prokurori e politikë, por edhe në shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare një vullkan fiksim të paditur si ai i Vezufit apo Kilimanxharos apo i Hawait që kaplojnë, zjarrojnë, gurojnë e pluhrosin çdo gjë edhe njeriun edhe kafshët edhe bimët dhe më vonë mbjellinat japin produkte me nivele të larta rendimentike. U befasuan SHBA, BE e shumë shtete të botës jo nga bëmat e politikanëve e aparatit shtetëror shumë të korruptuar, por nga mënyra, forma e strategjia që u përdor nga deputeti shkodran ku futi në valle edhe deputetin Fufi dhe Mark Frrokun, -ky i fundit ia pa vërtet sherrin kësaj sherrine politike- duke “revanshuar” në kohë të dielltë për qeverisjen e dy partive të mëdha të mazhorancës një akullim e verdhim të paparë edhe në fytyrat e liderëve dhe gjithë deputetëve të shumtë të kësaj shumnaje elektorale njëmilionëshe. Nga dy luanët e politikës njëri ish plagosur nga vetë egërsimi brenda llojor. SHBA dhe BE deklaruan që të vendoset drejtësia dhe të kriminalizuarit të ikin të gjithë nga parlamenti! Askush nuk e kish parashikuar aq shpejt këtë vullkan që nuk pyet se çfarë rrok përpara!

“Treni” i prokurorisë me të shpejta e stopime

Prokuroria mori frymëzim nga aleatët tanë më të mëdhenj për t’i shkuar deri në fund zbardhimit të ngjarjes ku kryeparlamentari na dilte me vidio, projektues për vrasjen e delushëve të stanit të vet! Prokuroria si kurrë më parë e “bardhi” të vërtetën për 17 ditë duke dërguar në parlament urdhër arrestin për mashtrim nga dy deputetët. Opozita dihet si dribloi. Pozita i “shiti” të dy deputetët si të ishin dy leckina pastrimi me shumë “pisti” thua se nuk i kishin njohur më parë! Votimi ishte detashment thuajse 100%! I ngjashëm me kohën e Hoxhës, si votim them. Këto dy deputetë u bënë “kolerë hebreje” siç trajtoheshin hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në të gjithë Europën. Siç thotë një filozof i shquar gjerman me grua hebreje, por me shekuj në Gjermaninë e Hitlerit : “Në vitin 1936 kur të gjitha vendet dërgonin atletët e tyre në Lojërat Olimpike unë me bashkëshorten time ndjeheshim në rrethanat e atij vërshimi sportiv si të braktisur nga e gjithë bota”. Por pas dy ditësh arrest në burg Gjykata e Lartë i nxori nga ferri dhe i la në arrest shtëpiak. Me 28 mars, Prokuroria shqiptare si raketë akuzon përsëdyti tani vetëm njërin deputet, deputetin Frroku për “faktin” e ri se atë na e akuzoka Belgjika për një vrasje të vitit 1999. Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi jep dorëheqjen sepse Interpoli i Tiranës, pra drejtori e një tjetër punonjës nuk kishin vepruar me shkresurira por me emejle. Dy interpolistët pa bërë mirë fjetjet e para në qeli u liruan nga gjykatat e “ndershme” shqiptare! Prokuroria mesa duket nuk përpilon mirë akuzat se në të dy rastet bingo fiton pala e akuzuar. Se ku i dolën më pas gjashtë akuza Mark Frrokut aq shpejt?!!! Si është e mundur që i përdolën problemet në Holandë, 2.9 milionë dollarë refuzim për tregim pasurie! Nga na doli pastrimi i parave për dy ditë?!!! Si u aktivizua në moment Institucioni i Verifikimit të Pasurive dhe ku ishte ai më parë! Një mik më tha: Ku i kishin provat mre, ke xhepi?!Dhe tragjiko – komikja: Edhe opozita votoi, kur vetëm disa ditë më parë kish marrë arratinë nga kuvendi. Urra, shpejt policia për të riarrestuar Frrokun i cili disa ditë më parë tha se ka edhe shumë të tjerë deputetë që duhet të akuzohen. E shpejt del i vëllai i Markut, Arbeni, nga burgu pasi qëndroi 2 vjet i akuzuar nga prokuroria për vrasjen e një komisari të Policisë. Gjykata e Lartë e mbeti në klasë prokurorinë e cila kishte kërkuar dënim të përjetshëm për Arben Frrokun!

SHBA, BE, President: Shtyni zgjedhjet lokale!

Si mund të zhvillohen zgjedhjet lokale me datën 21 Qershor 2015? E bëj këtë pyetje pasi kur vetëm në një moment të shkurtër kohor na dolën për dy deputetë gjëra të tilla që lidhen me vrasje, fshehje pasurish , pastrim parash, marrje me drogë nga një deputet që ishte i pastër para zgjedhjeve. Po kështu edhe pozita dhe opozita para zgjedhjeve nxorën të pastër deputetë që tani akuzohen nga opozita. Madje siç thuhet nga vetë opozita, ajo ka një listë me dhjetëra emra të kriminalizuar që sot janë në mazhorancë. Natyrisht që edhe pozita ka një listë për opozitën ku duhet të futen anëtarë të parlamentit ose jo si psh kryetari i opozitës për ngjarjet e Gërdecit, 21 Janarin, Rrugën e Kombit e tjerë. Si do t’i bëhet? Mirë parlamenti po kandidatët për 61 Bashkitë e Shqipërisë për zgjedhjet e 21 Qershorit si dhe kur do të kontrollohen për korrupsionin, vjedhjet e bëra, tenderat e shumtë që kanë bërë, fshehjet e pasurive, pastrimin e parave etj. Shumë kryebashkiakë të sotëm do të rizgjidhen sërish kur mjaft kryebashkiakë janë akuzuar futur në burg e nxjerrur të pafajshëm!!! Partitë , pozita dhe opozita vendosin sërish pa pyetur popullin, pa sondazhe, pa kriteret më të rëndësishme të pastërtisë, ndershmërisë, integritetit njerëzor vulosin ato që duan! “Menaxherët” – këlthasin liderët! S’prish punë që ato janë bërë më të pasurit e vendit nga paratë e rrëmbyera të popullit dhe taksapaguesve europianë, amerikanë etj(?!) Ndaj i drejtohem SHBA, BE-së dhe Presidentit: Shtyni zgjedhjet lokale! Të paktën të dekriminalizohet nga vjedhjet dhe korrupsioni Pushteti lokal i ri. Të kalohen në filtrin shqiptaro – ndërkombëtar njerëzit e qyteteve e zonave rurale shqiptare. Më vonë do të jetë më keq për popullin e aleatët tanë.              

SHKARKO APP