Shtypur në emër të lirisë
Ian Buruma
Aktet e terrorit mund të shkaktojnë dëme të tmerrshëm. Por ata nuk mund të shkatërrojnë një shoqëri të hapur. Vetëm ata që qeverisin demokracitë tona mund ta bëjnë këtë, duke na i tkurrur liritë në emër të lirisë.
Shinzo Abe, kryeministri nacionalist i krahut të djathtë i Japonisë, nuk ka nevojë për shumë nxitje që të shtrëngojë ligjet e fshehtësisë, t’i japë më shumë kompetenca policisë, apo ta bëjë më të kollajtë përdorimin e forcës ushtarake. Ekzekutimet e lemerishëm të dy nënshtetasve japonezë nga terroristët e Shtetit Islamik në Siri kanë ofruar pikërisht nxitjen që i duhet Abes për të ndërmarrë masa të tilla.
Por Japonia nuk është parë asnjëherë si një bastion i lirisë së fjalës, as nuk ka pretenduar që të jetë. Franca po. Pikërisht, për lirinë e fjalës ndodhën edhe demonstratat e solidaritetit në vijim të sulmeve terroristë në Paris muajin e kaluar. Franca, nga të gjithë vendet, do të shmangte kurthin ku ngeci republika tjetër e madhe e Perëndimit që pretendon të jetë feneri i lirisë në botë.
Frika nga dhuna terroriste që pas sulmeve të 11 shtatorit i ka bërë më shumë dëm lirisë në SHBA, se sa vrasja e mijëra qytetarëve të vet në ato atentate kamikazësh. Për shkak të asaj frike, amerikanët lejojnë që të spiunohen pa dallim nga qeveria e tyre, dhe lejojnë që të dyshuarit për terrorizëm të torturohen dhe të burgosen pa afat dhe pa gjyq.
Franca, ashtu si shumica e shteteve të tjerë në Bashkimin Europian, e ka tashmë një ligj i cili ndalon gjuhën e urrejtjes. Ligjërisht nuk mund të fyesh njerëzit në bazë të racës së tyre, besimit apo orientimit seksual. Dhe në Francë, ashtu sikurse dhe në disa vende të tjerë, mund të ndiqesh penalisht nëse mohon Holokaustin si dhe gjenocide të tjerë historikë.
Presidenti François Hollande, i cili nuk është një nacionalist i krahut të djathtë si Abe, tani dëshiron t’i forcojë këta ligje. Ai ka propozuar nisma të reja ligjore që do të bënin kompani të internetit si Google apo Facebook përgjegjëse për cdo lloj gjuhe të urrejtjes që do të hidhej në internet nga përdoruesit e tyre.
Ish krerë shtetesh të BE-së kanë mbështetur gjithashtu një propozim të udhëheqësve hebrenj të Europës për të shpallur të paligjshëm dhe dënuar në cdo gjykatë të BE jo vetëm antisemitizmin dhe mohimin e gjenocidit, por edhe “ksenofobinë” në përgjithësi. Pak njerëz do të donin të mbronin shprehjet e ksenofobisë apo antisemitizmit. Po a është vërtetë gjë e mencur që të përdorësh ligjin për të ndaluar mendimet?
Së pari, ligje të tillë, nëse do të miratohen, pak gjasa ka që të reduktojnë rrezikun e akteve terroristë. Ndalimi i shprehjes së mendimit nuk do i bëjë të zhduken. Ata do të vazhdojnë të shprehen, ndoshta më fshehtësisht, e si pasojë do të bëhen edhe më helmues. Dhe baza sociale dhe politike e terrorizmit, në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, nuk do të zhduket nga faqja e dheut thjeshtë sepse ndalove publikisht gjuhën ksenofobe.
Por ekziston një rrezik më i madh i përdorimit të ligjit për të kontrolluar atë që mendojnë njerëzit. Ky mund të shkaktojë debat publik. Ky rrezik vë theksin në këndvështrimin (ende në fuqi në SHBA), se mendimet, sado të këqinj, duhet të shprehen lirisht, me qëllim që ata të kundërshtohen me kundëargumenta.
Sigurisht, do të ishte naive të besonim se ekstremistët fetarë apo politikë janë të interesuar në shkëmbimin e ideve. Por nxitja e dhunës është e ndaluar edhe në SHBA. Amendamenti i parë i Kushtetutës nuk të mbron nga liria e shprehjes, atëherë kur provohet se ajo mund të krijojë rrezik për dhunë.
Pikëpamjet ksenofobe, apo mohimi i gjenocidit, janë të neveritshme, por ato nuk rezultojnë domosdoshmërisht në një rrezik të tillë. Në shumicën e shoqërive, përfshirë SHBA, shprehja publike e mendimeve të tillë është e kufizuar në një konsensus të përgjithshëm mbi atë që është e respektueshme shoqërisht. Ky konsensus ndryshon me kohën. U takon botuesve, shkrimtarëve, politikanëve dhe të tjerëve që flasin në publik që t’i japin formë.
Karikaturistët, artistët, blogger-at, aktivistët dhe komedianët ndodnjëherë pëlqejnë të sfidojnë konsensusin e respektueshmërisë. Disa prej këtyre sfidave mund të shkaktojnë zemërim (në fund të fundit ky është qëllimi). Por sa kohë që nuk nxisin dhunën, më shumë do të bëhej dëm se sa mirë, nëse do të ndaloheshin me ligj. Lejimi i qeverisë të vendosë se cilët mendime janë të lejueshëm është i rrezikshëm, jo thjeshtë sepse mbyt debatin, por edhe sepse qeveritë mund të jenë arbitrare apo në shërbim të interesave të tyre.
Në klimën aktuale të frikës, do të ishte e dobishme të kujtonim një rast të famshëm të gjuhës së urrejtjes në SHBA. Në vitin 1977, Partia Naziste Amerikane planifikoi që të zhvillonte një demonstratë në Skokie, një rrethinë e Chicagos me një popullsi të madhe hebrenjsh. Një gjykatë lokale, e nxitur prej opinionit publik të tronditur dhe frikësuar, vendosi që shfaqja e kryqeve të thyer, shpërndarja e fletëpalosjeve dhe mbajtja e uniformave naziste duhej ndaluar. Një demonstrim i tillë, u argumentua nga gjykata, do të ishte fyerje për një komunitet ku kishte edhe të mbijetuar të Holokaustit.
Por ky ndalim u kontestua nga Unioni Amerikan i Lirive Civile si shkelje e Amendamentit të Parë. Aegumenti i avoketërve të Unionit, shumica prej të cilëve ishin hebrenj liberalë, nuk bazohej në ndonjë simpati për pikëpamjet apo simbolet naziste. Argumenti i tyre ishte se, nëse lejon qeverinë të ndalojë mendimet që ti urren, atëherë ti dobëson të drejtën tënde për të kontestuar një ndalim të ngjashëm, për pikëpamje me të cilat mund të biesh dakord.
Me fjalë të tjera, liri e shprehjes do të thotë gjithashtu liri e shprehjes së urrejtjes, sa kohë që kjo nuk rrezikon apo nxit dhunën. Shumica e qeverive europiane që tani kanë një pikëpamje më strikte ndaj fyerjeve publike se sa Gjykata Kushtetuese e SHBA. Do të ishte gabim i madh të shtoheshin edhe më shumë kufizime. Boll dëm po shkaktojnë sulmet terroristë. Nuk ka nevojë që qeveritë t’i përkeqësojnë gjërat duke shtypur liritë e qytetarëve të tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate
bota.al