Shullazi, fati i Filologjikut
“Universiteti i Tiranës, ka plot vajza dhe djem, burra dhe gra të shkëlqyer, që mund ta nisin nga fillimi këtë garë dhe ta bëjnë të bukur. Duke i dhënë Rektoratit një fytyrë të re. Fytyrën e besimit te dija dhe mundësive që të jep ajo“…
Nga Rudina Xhunga
Ndonjëherë, e keqja vjen për mirë, ose t’i bëje të dalë për mirë, thonë. Ndërsa po afrohet gara e zgjedhjeve Universitare, që në media mori një vëmendje kohë pas kohe, befas ndodhi çudia.
Shullazi kërcënoi kandidatin për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, që të tërhiqej nga gara. Kjo ishte ajo çfarë, pak a shumë, tha ish-kryeministri Berisha, ndërsa gara për Rektorin e ri të Universitetit të Tiranës është të mërkurën.
Prokuroria, pas arrestimit të djeshëm, do ta hetojë Shullazin edhe për këtë denoncim publik të ish-kryeministrit Berisha.
Nuk do të qe çudi që një njeri që ka mënyrë jetese, kërcënimin, ta ketë bërë këtë, të ketë kërcënuar edhe për zgjedhjet akademike. Por derisa të dalë a është e vërtetë kjo, apo një sajesë, gara në Rektorat, nuk mund të vazhdojë.
Ajo as mund të ngrijë, derisa të flasë Prokuroria. Thjesht do të duhej të prishej, për të nisur nga e para.
Profesor Mynyr Koni nuk mund të vazhdojë të garojë, sepse ai nuk gjeti kurajën të denoncojë publikisht një kërcënim, nëse ishte i vërtetë, ose të përgënjeshtronte publikisht ish-kryeministrin, nëse nuk ishte kërcënuar. Ai nuk bëri asgjë. E la të ndodhë duke pritur ta përdorë. “Unë do të vazhdoj garën”, nuk është sqarim për një akuzë të tillë, nga më të rëndat, e përfshirjes së krimit në politikë dhe jetë akademike. Një profesor i përfshirë në këtë situatë, që nuk flet, nuk sqaron, nuk denoncon, nuk mund të bëhet Rektor. Nuk di nëse ai mund të jetë edhe profesor.
Ndërsa Klodeta Dibra nuk mund të vazhdojë, madje ajo as që duhej të hynte. Pavarësisht sqarimit, a kërcënoi Shullazi dhe në emër të kujt, për të mbrojtur kë, nuk është ky thelbi i largimit nga gara të Klodeta Dibrës.
Ajo është një personazh dukshëm i lidhur me Partine Socialiste, anëtare e Këshillit Bashkiak të PS, portreti i qeshur i fitores së Erion Veliajt, ajo të vjen ndërmend e para, sapo të kujtohet fotografia e parë e fitores së Veliajt.
Ajo mund t’i shërbejë Bashkisë dhe Partisë, me gjithë energjinë dhe besimin e saj, por nuk mund të drejtojë Universitetin më të rëndësishëm shqiptar. Dhe jo për shkak të Shullazit. Unë, refuzoj ta besoj, që Klodeta Dibra i kërkoi ndihmë atij për t’u bërë Rektore. Nuk është çështje, shullazi, por pullazi. Universiteti nuk është pullaz i asnjë partie.
Ndaj mirë do të ishte, që pavarësisht nëse Shullazi ka kërcënuar ose jo, më mirë që gara u përgojua, që të prishet dhe të bëhet si duhet.
Prokuroria mund të vazhdojë punën dhe gara të nisë nga e para.
Universiteti i Tiranës, ka plot vajza dhe djem, burra dhe gra të shkëlqyer, që mund ta nisin nga fillimi këtë garë dhe ta bëjnë të bukur. Duke i dhënë Rektoratit një fytyrë të re. Fytyrën e besimit te dija dhe mundësive që të jep ajo.
Ka vajza dhe djem të jashtëzakonshëm, që nuk i njeh as e njohin Ramën dhe Bashën. Që janë shkolluar mirë dhe japin një dorë të shkollohen mirë, brezin e shqiptarëve të rinj. E bëjnë këtë me besim te arsimi, jo te politika. E bëjnë pa kërkuar asgjë në këmbim, as të hyjnë në gara, me fitues të përcaktuar. Jepuni mundësi atyre të besojnë, jepuni garën!
Njëri, njëra prej tyre, nesër mund të jenë fytyra e re e Universitetit të Tiranës.
Klodeta Dibra, nuk mund të jetë Rektorja e Universitetit. As Mynyr Koni. Ndaj kërcënimi ose krijimi i kërcënimit të Shullazit, erdhi për mirë, që gara të bëhet garë. MAPO